1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dështon puçi ushtarak - Turqia paguan çmim të lartë

Turqia e mënjanoi kaosin pas dështimit të puçit ushtarak, por me numër të lartë viktimash. Situata është vënë nën kontroll, ka thënë kryeministri turk, Binali Yildirim. Erdogan paralajmëron kundërpërgjigje të fortë.

Türkei Binali Yildirim Premierminister

Kryeministri turk, Binali Yildirim

Përpjekja për puç ushtarak në Turqi nga disa qarqe të ushtrisë natën e së shtunës (16.07) ka dështuar. Qeveria turke e ka marrë plotësisht situatën nën kontroll. " Komandantët tanë kanë kontrollin", ka thënë kryeministri truk, Binali Yildirim të shtunën në Ankara. Por Turqia e ka paguar këtë me numër të lartë viktimash. Sipas kryeministrit turk, Yildirim, numri i të vrarëve është rritur në 265 vetë. 161 të vdekur ka pasur nga forcat e sigurisë, besnike të qeverisë. 104 puçistë janë vrarë. 1140 vetë janë plagosur dhe rreth 3000 ushtarë e oficerë të lartë janë arrestuar.

Kryeministri turk, Yildirim e ka cilësuar puçin si "njollë turpi" për demokracinë turke. Kombi u ka dhënë përgjigjen e duhur terroristëve, ka thënë ai. Presidenti turk Erdogan, i cili bëri thirrje njerëzve të dilnin në rrugë, ka akuzuar kreun e lëvizjes, Gylen, predikuesin, Fetullah Gylen për puçin, por ky i fundit e ka mohuar atë. Erdogan akuzoi puçistët "për tradhti të lartë ndaj atdheut" dhe ka paralajmëruar goditje të fortë. Në një sms dërguar turqve, ai shkruan që ata të qëndrojnë për demokraci dhe paqe. Sipas mesazhit, njerëzit duhet të qëndrojnë në rrugë për t'i dalë kundër një "kaste të vogël". Kryeministri turk, Binali Yildirim thirri të shtunën, parlamentin turk në një seancë të jashtëzakonshme.

Türkei nach Putschversuch Bosphorus Brücke Istanbul Menschenmenge

Ura e Bosforit pas braktisjes nga ushtarët

Ndryshim i ushtrisë

"Turqia nuk udhëhiqet nga ushtria", citohet nga mediat kryeministri turk. Ushtria do të ndryshojë radikalisht, ka paralajmëruar ai. Yildirim ka bërë fjalë për "struktura paralele" tek forcat ushtarake, të cilat kanë bërë përpjekje për marrjen e pushtetit. Gjenerali Ümit Dündar është vendosur përkohësisht si drejtues i shtabit ushtarak, bëri të ditur, agjencia turke e lajmeve, Anadolu.

Ushtria turke me 640.000 ushtarët e saj konsiderohet një nga ushtritë më të mëdha në botë. Brenda vendit ushtarakët e shohin veten si mbrojtës të kushtetutës. Nga viti 1960 ushtria ka ndërmarrë tre puçe ushtarake, kur sipas saj ka qenë e rrezikuar ndarja e fesë nga shteti.

Njerëzit bllokuan tanket

Në rrugët e Ankarasë dhe Stambollit janë parë natën e së shtunës tanke dhe njerëz që vraponin në panik, kur dëgjoheshin të shtëna. Ndërkohë qytetarë të zemëruar e përkrahës të Erdoganit janë ngjitur vetë në tanke për t'i penguar ata në rrugën e tyre, siç kanë treguar pamjet televizive. Në Stamboll në afërsi të sheshit Taksim ushtarët janë parë të shtunën se si dorëzoheshin në Urën e Bosforit dhe merreshin në pranga nga policia. Ndërtesa e parlamentit turk është dëmtuar pas sulmeve nga ajri të puçistëve. Sipas të dhënave nga qarqet qeveritare, po ashtu në afërsi të pallatit presidencial avionë luftarakë hodhën bomba. Edhe ndërtesa e Shërbimit Sekret Turk është sulmuar natën e së shtunës, bëjnë të ditur, përfaqësues të institucionit. Por kreu i Shërbimit Sekret, Hakan Fidan është dërguar në një vend të sigurtë.

Erdogan nuk e ka vlerësuar si duhet ushtrinë

E përditshmja zvicerane "Tages Anzeiger" e ka komentuar të shtunën (16.07) kështu përpjekjen për puç në Turqi: "Për një kohë të gjatë dukej se Erdogan e kishte fituar luftën për pushtet me ushtrinë, edhe përmes proceseve spektakolare, jo edhe aq të pastra. Kur Erdogan ndërmori përpjekjen për të çuar Turqinë drejt Bashkimit Europian, ai e përdori këtë për të kufizuar kompetencat e ushtrisë. Madje parak pak javësh, u duk se ai bëri një hap afrimi me ushtrinë, duke ia rikthyer kompetencat, por me sa duket Erdogan ka bërë vlerësimin e gabuar për ushtrinë."

DW.COM