1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dështon në Senat propozimi i republikanëve për zgjidhjen e krizës së borxheve në SHBA

Në SHBA vazhdon lufta e nervave në zënkën për rritjen e kufirit të borxhit. Në votimin në Kongres të premten (29.7.) demokratët dhe republikanët bllokuan sërish njëri-tjetrin.

default

Të paktën një gjë është sqaruar tani plotësisht: propozimi i republikanëve nuk do t'i japë fund krizës së borxheve, ai doli nga gara.

Republikanët dhe demokratët bllokojnë njëri-tjetrin

John Boehner, kryetari i republikanëve në dhomën e përfaqësuesve.

John Boehner, kryetari i republikanëve në dhomën e përfaqësuesve.

John Boehner, kryetari i republikanëve në dhomën e përfaqësuesve, arriti më në fund vërtet të premten në mbrëmje shumicën nevojshme për planet e tij, edhe pse me rezultat të ngushtë:

„218 votojnë pro, 210 kundër. Propozimi u miratua“, u bë e ditur.

Por më pak se dy orë më vonë, dhoma e dytë e Kongresit, Senati i kontrolluar nga demokratët, i shkatërroi planet. Kjo pritej dhe për këtë arsye Boehner i kishte sulmuar më parë ashpër demokratët:

„Dhoma e përfaqësueve veproi, tani e kanë radhën qeveria dhe demokratët të paraqesin diçka mbi tryezë.“

Kryetari i demokratëve në Senat Harry Reid.

Kryetari i demokratëve në Senat Harry Reid.

Pikërisht këtë përpiqet të bëjë kryetari i maxhorancës demokrate, Harry Reid, por ende nuk mundet. Reid donte të fillonte qysh natën e së shtunës (30.7.) me debatin rreth planit të tij për zgjidhjen e krizës, por republikanët kundërshtuan. Tani votimi mund të mbahet më e herëta natën e së dielës (31.7.). Natyrisht vetëm nëse deri atëherë do të ketë edhe një plan i cili të përkrahej nga të dy palët. Senatori Reid u bëri thirrje, me nota gati lutjeje republikanëve, që t'i thoshin se çfarë duhet të ndryshojë ende në planin e tij, në mënyrë që të bëhet i pranueshëm për ta:

„Ne presim që ju të bëni diçka, çdo gjë, për t'u afruar me ne."

SHBA në tension - Çfarë do të ndodhë pas 2 gushtit?

Koha për të arritur vërtet një marrëveshja është e pakët. Deri të martën (2.8.) marrëveshja duhet të jëtë arritur, ndryshe SHBA kërcënohet nga paaftësia paguese. Si provë për atë se sa pak para i kanë mbetur shtetit, aktualisht përmendet shpesh se qeveria amerikane ka për momentin më pak para likuide në dispozicion se sa koncerni i kompjuterave Apple.

Ndoshta brenda fundjavës (30./31.7.) Ministria amerikane e Financave do të bëjë të ditura planet e saj për rastin e emergjencës. Pa arritjen e marrëveshjes mes demokratëve dhe republikanëve, që prej të mërkurës (3.8.) do të jenë të nevojshme vendime të rënda: Nëse paratë nuk mjaftojnë për të paguar të gjitha detyrimet, kush do të lihet të presë? Kreditorët e Amerikës për interesat e tyre? Ushtarët për pagat? Apo miliona pensionistët për çeqet e pensioneve?

Ende shumë politikanë vazhdojnë të përhapin optimizëm se në minutën e fundit do të arrihet marrëveshje, por se si do të bëhet kjo aktualisht nuk e di askush. Uashingtoni këtë fundjavë pret me tension!

Autor: Sabine Müller / E. Xhani

Redaktoi: Bahri Cani