1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dështon konsensusi politik në Greqi - Vendi në krizë financiare dhe politike

Partitë politike në Greqi nuk munden të krijojnë një qeveri të “shpëtimit kombëtar”. Iniciatiava u ndëmor nga vetë kryeministri Papandreu, përballë revoltës sociale për masat e kursimeve. Por opozita refuzoi.

Kryeministri grek Jorgos Papandreu i drejtohet popullit grek në një fjalë në televizionin grek.

Poker me pushtetin - kryeministri grek Jorgos Papandreu

Kryeministri Papandreu nuk dha më në fund dorëheqjen dhe qeveria e “shpëtimit kombëtar”, e shfaqur si nismë e tij pas takimit të jashtëzakonshëm me presidentin e vendit Papulias, mbeti vetëm në planet e tij disaorëshe. Pas gjashtë orë përpjekjesh me krerët e opozitës, duke dëshmuar në thelb dobësinë e kabinetit të tij për të vazhduar mandatin qeveritar pas 20 muajsh në timonin e vendit, në mesazhin e tij televiziv drejtuar kombit, ofroi si rrugëdalje nga ngërçi politik reformimin e zgjeruar të qeverisë së tij dhe votëbesimin në parlament.

Protesta të qytetarëve grekë në Athinë, 15.6.2011.

Zemërimi i qytetarëve - mijëra grekë protestuan në sheshin Syntagma, ndaj masave kursyese të qeverisë.

“Le të marrim përsipër përgjegjësitë ndaj vendit. Unë do të vazhdoj në të njejtën rrugë”, theksoi Papandreu. Ai akuzoi opozitën e djathtë dhe kreun e saj Andonis Samaras për “lojë marketingu politik” dhe i faturoi opozitës dështimin e përpjekjes për krijimin e qeverisë së “shpëtimit kombëtar”.

Opozita: Zgjedhjet e parakohshme e vetmja rrugëdalje nga kriza politike

“Kryeministri nuk pranoi propozimin e vetëm konsensual, që mund të nxirrte vendin nga qorrsokaku dhe të bashkojë popullin grek”, ishte përgjigja e Samaras. Ai i cilësoi “qesharake” pretendimet e kryeministrit, për “lojë marketingu” dhe shprehu keqardhjen e tij, që me kabinetin e ri do të ndryshojnë figurat por “politika qeveritare e memorandumit që rrënoi vendin do të mbetet e njejtë”.

Kreu i së djathtës tregoi si të vetmen rrugëdalje zgjedhjet e parakohshme. Në të njëjtë linjë ishin edhe dy partitë e tjera të spektrit të djathtë, që folën për “lojë shantazhesh” të dy partive kryesore të alternuara në pushtet.

Generalstreik in Griechenland am 15.06.2011

Grevat rëndojnë edhe më tej ekonominë greke në gjendje të rëndë.

“I vetmi opcion demokracie është shpallja e zgjedhjeve, e vetmja perspektivë shpëtimi është ndryshimi i raporteve, disfata e partive të memorandumit dhe krijimi një aleance të majtë”, deklaroi kreu i partisë së majtë Sinaspismos Aleksis Cipras, që përpjekjet për krijimin e një qeverie të pranueshme nga të gjithë e kishte cilësuar qysh në fillim“devijim demokratik” pasi “nuk do të kishte legjitimitetin e votës së popullit”.

Vendi humbet një shans historik

Nga zhvillimi i djeshëm, partitë opozitare dhe bashkë me to dhe tregjet dhe troika, mund të ndjehen të zhgënjyera se “humbi një shans historik” për konsensus kombëtar në momente kritike për vendin. Por edhe qytetarët e sidomos protestuesit në sheshin Sintagma, që kërkojnë largimin e qeverisë dhe shfuqizimin e memorandumit me troikën, mbeten të zhgënjyer.

Analisti grek Babis Agrollampos.

Analisti grek Babis Agrollampos.

“Njerëzit, shoqëria greke ndiejnë se kanë rënë brenda një labirinti ku e ndjek borxhi dhe se rrugëdalja e vetme, që mund të ishin zgjedhjet, me qëllim që të dalë një qeveri e re me mandat të rinovuar popullor, humbi në radhë të parë për faj të qeverisë. Tani se si do të çtensionohet situata brenda kësaj tenxhereje me presion asnjë nuk mund ta parashikojë” - shprehet analisti grek Babis Agrollambos. Ai ndan të njëjtin opinion me shumë kolegë të tjerë të tij, për “strategji personale” dhe “menaxhim akrobatik” të një konjukture tejet të vështirë politike nga ana e kryeministrit Papandreu, që befasoi madje edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë me nismën e tij.

Reformimi gjerë i qeverisë, karta e fundit e Papandreut

Nisma e kryeministrit Papandreu për ndarjen e pushtetit me opozitën megjithë shumicën parlamentare, konsiderohet pa precedent në historinë parlamentare të Greqisë. Por pas dështimit të iniciativës më e rëndësishmja tani është se si kryeministri do të mund të ndryshojë klimën në favor të tij dhe të kapërcejë pengesën e radhës: aprovimin e programit afatmesëm në fund të muajit vetëm me votën e deputetëve të shumicës.

“Kyesorja është nëse qeveria do të mund të fitojë disa pikë në mënyrë që të mund të kalojë në një kurs më aktiv ndaj partnerëve dhe kreditorëve për një program më të lehtë për shoqërinë greke” - thotë analisti Babis Agrollambos. Ai vlerëson se Papandreu është duke luajtur kartën e tij të fundit para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, që do të shënojnë dhe “ndëshkimin demokratik të sistemit të korruptuar politik”. “Në këto momente ai që tregohet i dobët është kryeministri dhe sistemi politik, që nuk ka një plan dhe nuk kupton mënyrën se si do të nxjerrë vendin nga pripecia”, përfundon analisti grek.

Autor: Niko Anagnosti / Athinë

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM