1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dështon fillimi i zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë në veri të Kosovës

Gjyqtarët dhe prokurorët serbë pa asnjë shpjegim nuk shkuan për t'u dekretuar te Presidenti i Kosovës. Ky i fundit akuzon Beogradin për pengim te procesit, ndërsa BE për paaftësi.

Ka dështuar dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të punonin në gjykatat në veri të Kosovës, marrëveshje kjo e dakorduar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kjo për faktin që gjyqtarët dhe prokurorët shumica nga ata serbë, pa ndonjë shpjegim nuk erdhën në ceremoninë e dekretimit në zyrën e Presidentit të Kosovës, ku të pranishëm ishin edhe shumë ambasadorë dhe shefja e zyrës së BE-së, Natalya Apostollova.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast e akuzoi Beogradin zyrtar për pengimin e dekretimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që do të punonin në gjykatat e Veriut të Kosovës. Presidenti po ashtu tha se, "ky është dështim dhe paaftësi” edhe i Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi dhe ndërmjetësues në zbatimin e marrëveshjes për sistemin e drejtësisë që duhej të fillonte së zbatuari sot (17.10). Në një komunikatë për medie, zyra e Presidencës sqaron se dekretimi nuk ndodhi, sepse kandidatët nuk erdhën në zyrën e Presidentit.

Thaçi akuzon për pengim Serbinë

"Ata nuk erdhën nga që u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, nga se inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Më tej në njoftim, Presidenti Thaçi mosdekretimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve e cilëson dështim edhe të BE-së.

"Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi. Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithëpërfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës i ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt", thuhet në njoftimin e Presidencës. 

Keqardhje nga BE, mesazhe qetësimi nga Serbia

Zyrtarë të Bashkimit Evropian nga ana e tyre, shprehen keqardhje pse sot nuk u bë dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serb, ashtu siç ishin dakorduar në Bruksel. Megjithatë, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini thotë se "BE pret që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt”.

Nga ana tjetër mediet serbe citojnë shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç të ketë thënë se procesi i dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë do të përfundojë deri të premten e kësaj jave.

"Kjo është hera e parë që nga viti 1999 që do të kemi gjykatë me shumicë serbe dhe me kryetarë serbë në Mitrovicë dhe prokurori me shumicë serbe. Pres që kjo punë e madhe dhe e rëndësishme për popullin tonë serb në Kosovë të përmbyllet deri të premten", citohet të ketë thënë Marko Gjuriç.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në gusht të këtij viti në praninë e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u pajtuan që më 17 tetor të hyjë në fuqi marrëveshja për drejtësinë në veri të Kosovës. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në shkurt të vitit 2015, me të cilën parashihej shuarja e strukturave paralele serbe të drejtësisë. Të dy presidentët janë dakorduar që Kosova dhe Serbia të hyjnë në një fazë të re të dialogut, me të cilën parashihet përfundimisht përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.