1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Dështon euro, dështon Evropa" - Debat i ashpër në Bundestag për krizën e borxheve

Debati qendror i së mërkurës u përqëndrua gati totalisht në politikën e qeverisë gjermane ndaj krizës së borxheve në eurozonë. Politikanët e opozitës e kritikuan ashpër kursin e Merkelit në krizën aktuale.

Debati në Bundestag

Debati në Bundestag

7. Shtatorin kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ka për ta harruar aq kollaj. Jo vetëm debati i përgjithshëm në Bundestag, por edhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetueshmërinë e ndihmave miliardëshe për Greqinë dhe ombrellën e shpëtimit ishin dy gurë të rëndë për kancelaren. Kështu vendimi i Gjykatës Kushtetuese pro vendimit të qeverisë së Merkelit për të ndihmuar në shpëtimin e euros, ishte një lehtësim mjaft i mirëpritur. Gjykata Kushtetuese vendosi se pjesëmarrja e Gjermanisë në paketën e shpëtimit të euros së rrezikuar pajtohet me ligjin themeltar gjerman.

Frank-Walter Steinmeier i SPD-s atakon qeverinë për paaftësi

Frank-Walter Steinmeier i SPD-s atakon qeverinë për paaftësi

Steinmeier: Qeveria më e paaftë prej dhjetëvjeçarësh

Por megjithatë orët e mëpasme të së mërkurës nuk ishin më të këndshme për kabinetin e kancelares. Që në fillim të debatit në Bundestag, kryetari i fraksionit të SPD-s në opozitë, Frank Walter Steinmeier atakoi drejtpërdrejt qeverinë si "më e paafta që prej dhjetevjeçarësh". Njerëzit nuk i besojnë më kësaj qeverie se do të jetë e aftë të rezistojë deri në vitin 2013, tha Steinmeier. Me ngurrimin për të vepruar gjatë krizës financiare, koalicioni i kristiandemokratëve dhe liberalëve ka rrezikuar demokracinë.

Politikani socialdemokrat kritikoi qeverinë për lëkundje mes deklaratave proevropiane dhe parullave skeptike. "Rezultati i sotëm është: Anija evropiane vjen vërdallë pa orientim, e gjithë bota pret nga Berlini, por nga Berlini vjen heshtje që uturon dhe sherr brenda koalicionit. Kjo nuk mjafton, të dashur zonja dhe zotërinj."

Angela Merkel kundërpërgjigjet me ton dramatik

Angela Merkel kundërpërgjigjet me ton dramatik

Merkel mbron me tone dramatike kursin e saj

Kancelarja Merkel reagoi me një ton jo aq tipik për të duke akuzuar opozitën për fjalime "të pakontrolluara dhe të papërgjegjshme". Por aktualisht fjalimi i saj i drejtohej më shumë radhëve të veta, sesa opozitës. Disa deputetë të krahut qeveritar kanë sinjalizuar se nuk do të japin votën e tyre për paketën e re që duhet miratuar për shpëtimin e euros. Stabilizimin i euros Merkel e deklaroi qartë si prioritet qendror të legjislaturës së saj. "Detyra qendrore e kësaj legjislature është: Ashtu si Gjermania doli më e fortë nga kriza, ashtu duhet edhe Evropa të dalë më e fortë nga kriza se sa ishte para saj."

Euro është më shumë se një valutë, tha Merkel. "Euro është garanti për një Evropë të bashkuar." "Dështon euro, dështon Evropa. E sepse Evropa e lirisë dhe demokracisë është vatra jonë, nuk duhet të dështojë euro, dhe ajo nuk ka për të dështuar." Si përgjigje ndaj krizës ajo kërkoi më shumë marrëveshje të detyrueshme brenda BE-së, madje edhe ndryshimi i kushtetutës evropiane nuk duhet të jetë më tabu, kërkoi Merkel.

Gregor Gysi, kryetar fraksioni i së Majtës

Gregor Gysi, kryetar fraksioni i së Majtës

Diktaturë e tregjeve

Me fjalë dramatike, kancelarja gjermane paralajmëroi qeveritë e 17 vendeve të eurozonës që të menaxhojnë si duhet krizën e borxheve. E ardhmja e Gjermanisë është e pandarë nga ajo e Evropës, tha kancelarja.

Por partitë e tjera gjemane nuk ndoqën tonin prej zonje shteti të kancelares Merkel. Kryetari i fraksionit të së Majtës, Gregor Gysi bëri fjalë për një "diktaturë të tregjeve", e cila po rrezikon demokracinë.

Autor: Kinkartz, Sabine/Bölinger, Mathias/Phoenix/Arapi

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM