1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dështojnë negociatat për buxhetin e BE-së

Parlamenti Evropian kërkon më shumë para për BE-në: si shtesë për vitin në vazhdim, për 2013 dhe më tej. Vendet anëtare duan të kursejnë. Konflikti rrezikon të kthehet në krizën e madhe të radhës.

Flamujt e vendeve anëtare.

Takimi në Bruksel dështoi

Negociatat për buxhetin e BE-së 2013 dështuan. Deputetët e Parlamentit Evropian nuk pranuan të paraqiteshin në negociata, pasi siç u shpreh në një deklaratë presidenti i Parlamentit Martin Schulz, "nuk ka një marrëveshje mes vendeve anëtare për një buxhet shtesë për këtë vit". Fjala është për 9 miliardë euro.

Alain Lamassoure, kryetari i komisionit për buxhetin në Parlament u shpreh: "Përballë faktit që vendet anëtare nuk e shohin veten të aftë të zgjidhin problemin e një buxheti të balancuar për vitin 2012, Parlamenti Evropian nuk mund të vazhdojë negociatat për buxhetin 2013." Fusha si kërkimi, zhvillimi rural, ndihma humanitare dhe programi i studimeve Erasmus janë sipas fjalëve të Lamassoure "që prej një muaji me financim të pamjaftueshëm."

Edhe në diskutimet për buxhetin 2013 përfaqësuesit e institucioneve evropiane kanë qendrime shumë të ndryshme: Komisioni dhe Parlamenti kërkojnë për buxhetin e vitit 138 miliardë euro, pra 5 miliardë euro më shumë se sa janë të gatshëm të paguajnë qeveritë. Një raund i parë negociatash dështoi të premten e kaluar.

Nuk bëhet fjalë vetëm për buxhetin vjetor

Martin Schulz

Martin Schulz

Tani Komisioni duhet të paraqesë një propozim të ri. Më pas negociatat mund të fillojnë nga e para. Nëse përsëri nuk arrihet një marrëveshje, aplikohet një rregull emergjence. Atëherë BE vitin e ardhshëm mund të shpenzojë çdo muaj 1/12 e buxhetit të këtij viti. Kjo do të thotë se nuk do të ketë as reduktim dhe shtesë të buxhetit aktual. Por në lojë është shumë më tepër se buxheti vjetor. Javën e ardhshme BE në një samit të jashtëzakonshëm do të negociojë planin shumëvjeçar financiar për periudhën kohore 2014-2020. Edhe për këtë Komisioni dhe Parlamenti kërkojnë shumë më tepër para.

Por kontribuesit neto si Gjermania kërkojnë një kufizim. Britania e Madhe kërcënon madje me veto, britanikët duan të kursejnë veçanërisht shumë. Partnerët në negociata të martën (13.11) theksuan se bisedimet për buxhetin 2013 nuk kanë lidhje me kornizën financiare shumëvjeçare. E megjithatë dështimi i fundit hedh hije të reja mbi samitin e jashtëzakonshëm javën e ardhshme.   

Mbikqyrja bankare evropiane 

Polemika pati të martën në takimin e ministrave të financave edhe për mbikqyrjen e planifikuar evropiane të bankave. Ajo duhet të garantojë që mundësisht të gjitha bankat në Evropë të kontrollohen sipas kritereve të njëjta. Dhe sipas një vendimi të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, ajo është parakusht që bankat të përfitojnë ndihma direkte nga fondi evropian i shpëtimit, ESM. Tek kjo ndihmë shpreson mbi të gjithë Spanja. Bankat spanjolle me borxhe të larta kanë nevojë urgjente për para, por shteti spanjoll përpiqet të shmangë sa të jetë e mundur kushtet të cilat shoqërojnë programin e ndihmës për shtetin.

Spanja bën pjesë ndër ato vende që duan të përshpejtojnë ritmet për vendosjen e mbikqyrjes bankare evropiane. Por ministri luksemburgas i Financave Luc Frieden, kërkon që "mbikqyrja bankare evropiane të sjellë një vlerë shtesë sa i takon eficiencës." Cilësia ka përparësi ndaj shpejtësisë, tha Frieden. Kështu ai është shprehur thuajse me të njëjtat fjalë si kancelarja gjermane Merkel apo ministri gjerman i Financave  Wolfgang Schäuble.

Ka ende shumë çështje të polemizuara

Konsultimet në Bruksel dështuan.

Konsultimet në Bruksel dështuan.

Por ka edhe probleme të tjera. Për shembull ndarja e mbikqyrjes bankare dhe politikës monetare në Bankën Qendrore Evropiane (BQE), pasi mbikqyrja do të funksionojë nën çatinë e BQE-së. Polemika ka edhe për përmasat e mbikqyrjes dhe ndarjen e kompetencave mes kontrollit bankar kombëtar dhe atij evropian. Dhe së fundi: bankat evropiane veprojnë në tregun e brendshëm evropian por BQE është përgjegjëse vetëm për vendet e eurozonës. Ministrja austriake e Financave Maria Fekter sheh për këtë arsye rrezikun "e një fragmentimi mes eurozonës dhe pjesës tjetër të Evropës". Kësaj ajo do t'i kundërvihet dhe kërkon që "mbikqyrja bankare të vlejë për të gjithë anëtarët dhe të aplikohen të njëjtat standarde".

Meqenëse ka ende shumë çështje të pasqaruara plani kohor deri në dhjetor gjendet nën trysni të madhe. BE aktualisht është aq i zënë me problemet e buxhetit sa afati i 1 Janarit duket shumë i rrezikuar.