1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dështoi raundi „vendimtar“ i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit

Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq deklaruan se palët nuk janë dakorduar për përgjegjësitë dhe kompetencat e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

default

Hashim Thaçi, Catherine Ashton dhe Ivica Daciq

Raundi i tetë i bisedimeve mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë ishte jo vetëm i vështirë dhe maratonik, i cili zgjati mbi 14 orë dhe përfundoi pas mesnate, por në momente ishte edhe dramatik. Aq dramatik sa që ka pasur edhe grindje dhe tone të larta, gjë që në një moment ka detyruar ndërmjetësuesen në këtë dialog, të ngarkurën e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Chaterine Ashton, të ndërpresë takimin dhe të kërkojë një pushim. Konsultimet e ndara dhe të përbashkëta me delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, kanë vazhduar tërë ditën. Angazhimi i ndërmjetësuesve ishte shumë i madh, por bisedimet përfunduan pa sukses.

Delegacionin serb e ka udhëhequr kryeministri Ivica Daciq, ndërsa në delegacion për herë të parë ishte edhe zëvendësi i tij Aleksandar Vuciq. Grindjet më të mëdha kanë ndodhur pikërisht mes tij dhe kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Këtë konfirmuan pas takimeve të dy kryeminsitrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq, në deklaratat e ndara për gazetarë.

Ivica Dacic / Kosovo / Brüssel / Serbien

Ivica Daciq

„Takimi ka qenë shumë i rëndë dhe në momente dramatik“, theksoi Daciq. Ndërsa Thaçi u shpreh se takimi nuk ka qenë fare i lehtë. „Ka pasur disa persona që kanë ardhur për herë të parë në këtë dialog dhe u është dashur ca kohë të përballen me realitetin e ri në Kosovë. Eshtë dashur kohë që të adaptohen me tavolinën e negociatave dhe të kuptojnë se duhet të shkëputen nga politika e vjetër dhe proklamimi i bluzave të Sheshelit“, theksoi Thaci.

Ndërsa Daciq tha se zëvendësi i tij Vuciq ka ofruar në një moment edhe dorëheqje nga posti i tij, por ai nuk e ka pranuar këtë dorëheqje, sepse „qëndrimi dhe kërkesat e palës serbe janë unike“.

Dështimi i raundit të tetë nuk do të thotë se ka dështuar përfundimisht dialogu në nivelin e kryeministrave. Kanë mbetur edhe dy javë deri në hartimin e raportit të baroneshës Chaterine Ashton, nga i cili varet nëse Serbia do të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Por shanset për marrëveshje pas këtij takimi janë më të vogla se deri tani.

„Bisedimet kanë qenë të gjata, shumë të rënda dhe dramatike. Jo vetëm për nga toni por edhe për nga pasojat - nga ajo se cka mund të merret dhe të jepet. Ende ekzistojnë dallime shumë të mëdha për kompetencat e asociacionit, policisë dhe gjykatave. Në këë moment mund të them se nuk kemi marrëveshje. Kemi dhe pak kohë për konsultime por dallimet janë të mëdha“, theksoi Daciq duke shtuar se pala serbe këtë javë do të vazhdojë konsultimet në Beograd.

Edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaci konfirmoi se Beogradi ka kërkuar më shumë kohë për konsultime. Por ndonjë datë e caktuar për vazhdimin e dialogut nuk ekziston. Megjithatë është e mundur që dialogu të vazhdojë javën që vjen.

Kryeministri Daciq tha se pala serbe nuk do të heqë dorë nga kërkesat që asociacioni i komunave me shumicë serbe të ketë kompetenca dhe përgjegjësi në sektorin e policisë, gjykatave, shëndetësisë, arsimit dhe lëmive të tjera të rëndësishme për serbët që jetojnë në Kosovë.

Daciq tha se pala serbe duhet të vazhdojë konsultimet, sepse „pasojat e një vendimi për pranimin apo për refuzimin e një marrëveshjeje me palën kosovare mund të jenë shumë të rënda për Serbinë dhe popullin serb në Kosovë“.

Dialog Belgrad-Pristina

Dialogm Beograd-Prishtina

Daciq tha se „deri tani janë arritur disa rezultate pozitive drejt normalizimit të raporteve dhe vendosjes së mirëkuptimit mes palëve“. Por, sipas tij, Prishtina ka frikë se asociacioni mund të shërbejë si „bazë për ndarje të Kosovës dhe seperatizëm, ndërsa populli serb në Kosovë nuk pranon që ky asociacion të mos ketë kompetencat e duhura“.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Hashim Thaci mbeti i prerë në qëndrimet se „asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë pushtet ekzekutiv dhe legjislativ. Zgjidhja mund të jetë vetëm në kuadër të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës“.

„Ne kemi ardhur me vullnetin më të mirë për të arritur marrëveshje mes shteteve të Kosovës dhe Serbisë. Pozicioni ynë bazohet mbi kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kemi qenë dhe jemi në favor të marrëveshjeve për ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe do të jemi të përgjegjshëm edhe më tej. Prishtina ishte e gathsme për marrëveshje, por Serbia po heziton“, theksoi Thaçi.

Shpresat për arritjen e një marrëveshje ekzistojnë ende, por të dy kryeminsitrat thanë se palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket përgjegjësive të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

„Qasja e Beogradit është e ngurtë, por dua të shpresoj se Beogradi do të reflektojë dhe do të ndryshojë qëndrimet gjatë ditëve të ardhshme. Beogradi duhet të vendosë për fatin e vet“, theksoi Thaçi duke shtuar se pozicionet e Kosovës janë të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa kryeministri Daciq konkludoi se marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE nuk është momenti më i rëndësishëm i këtij dialogu. „Por në rast se marrëveshja nuk arrihet, do të jetë shumë vështirë që tani të pritet një vendim pozitiv për Serbinë“, konstatoi ai duke shtuar se „Serbia mbetet besnike ndaj dialogut me Kosovën, edhe në qoftë se nuk arrihet ndonjë marrëveshje e shpejtë“. Sipas tij, Serbia është e gatshme për zbatimin e marrëveshjeve edhe nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje.