1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dështimi i Maqedonisë në proceset evrointegruese nuk duhet kërkuar në Bruksel

Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në Luksemburg nuk solli asgjë të re për Maqedoninë, sa i përket caktimit të datës për fillimin e negociatave për antarsimin e vendit në BE.

default

Ministri i jashtëm i Maqedonisë Antonio Milloshovski, akuzoi Greqinë se po keqpërdor pozitën e saj brenda BE-së për të bllokuar antarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike. "Është për të ardhur keq që Greqia po e keqpërdor procesin e zgjerimit me arsyetime që kanë të bëjnë më çështje të pazgjidhura bilaterale. Politika greke po përsërit vazhdimisht qëndrimin se Maqedonia nuk mund të marrë datën për fillimin e bisedimeve për antarsim pa zgjidhjen e çështjes së emrit,” ka deklaruar Antonio Milloshovski.

Ai nuk ka anashkaluar edhe akuzat drejtuar zyrtarëve të Brukselit. BE nuk mblodhi forcë që problemet bilaterale që keqpërdoren në kontekstin rajonal t`i vendosë anash ose t`i ndajë nga interesat e përbashkëta evropiane, ka thënë Milloshovski. “Vendimi që Maqedonia të mos marrë datë për negociata nuk do të na bëjë më të motivuar, nuk do të ndikojë pozitivisht në procesin e zgjerimit e as nuk do të kontribuojë për rritjen e kredibilitetit të BE-së në Maqedoni dhe rajon,” ka thënë Milloshovski.

Opozita maqedonase vlerëson se sinjalet e Brukselit janë tejet negative për vendin, qeveria po i humb dita ditës përkrahësit në Bruksel dhe kjo ndikon në largimin e Maqedonisë nga proceset evrointegruese. “Kemi arritur që vendi të mos gjendet fare në axhendën e BE-së, kjo situatë është e patolerueshme, kryeministri Gruevski duhet të dalë në opinion dhe t`i tregojë arsyet e kësaj gjendjeje të mjerueshme,” ka thënë deputetja e socialdemokratëve Cvetanka Ivanova.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë Antonio Milloshovski.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë Antonio Milloshovski.

Për partinë shqiptare në pushtet BDI, mosdhënia e datës për fillimin e negociatave nuk është befasi. “Ishte një mesazh i cili nuk është i panjohur, nuk është i papritur aq më pak befasues për Maqedoninë, sepse mesazhi që dërgojnë vazhdimisht zyrtarët evropianë drejt Maqedonisë është që të zgjidhë sa më shpejt kontestin rreth emrit me Greqinë,” vlerëson Ermira Mehmeti-Devaja deputete e BDI-së.

Për analistët poltikë, dështimi i Maqedonisë në proceset evrointegruese nuk duhet të kërkohet në Bruksel, por tek politika aktuale e qeverisë. “Fati i proceseve evrointeguese është në duart e qeverisë, ajo duhet të gjejë kompromis për çështjen e emrit, vlerësojë se qeveria e Maqedonisë është larg arritjes së një kompromisi. Me një politikë të tillë Maqedonia nuk duhet të shpresojë në ndonjë lajm të mirë edhe nga Samiti i NATO-s në Lizbonë,” thotë Nano Ruzhin, analist politik.

Bashkimi Evropian i miraton të gjitha vendimet me konsensus, që nënkuton se Greqia mund të përdorë veton, ky fakt nuk duhet të anashkalohet nga qeveria e Shkupit thotë analisti Artan Sadiku. “Nuk ka asnjë farë gjase të ketë përçarje përbrenda BE-s sa i përket caktimit të datës për Maqedoninë apo ndonjë farë llojë mundësie minimale, që Maqedonia të marrë datën para se ta zgjidhet çështja e emrit,” shprehet Artan Sadiku.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 16.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NsGN
  • Data 16.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NsGN