1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dështim në Siri, pozitiv për ekonominë - Bilanci i samitit të G20-s

Bilanci i i samitit të G20s. Asnjë përafrim në çështjen e Sirisë. Më shumë ujdi samiti tregoi në çështjet ekonomike dhe reformën e tregjeve financiare.

Shenjat që në fillim nuk ishin të mira dhe në fund pesimistët fituan: Samiti i G20-s në Shën Petersburg ofroi një skenë me të gjithë aktorët e rëndësishëm botërorë, por nuk solli ndonjë përafrim të pozicioneve në konfliktin më akut botëror, Sirinë. Përkundrazi: Pozicionet u ngurtësuan edhe më tej. Zgjidhje politike apo ndërhyrje ushtarake? G20 u përça.

Kancelarja Merkel u shpreh të premten në Shën Petersburg se është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare shkëmbeu mendimet. Nga ana tjetër ekzistoi edhe një ujdi e gjerë se ajo që duhet arritur patjetër është vënia në lëvizje e procecit politik. "Unë shpresoj që vende si Rusia dhe Kina të japin kontributin e tyre, që të mund të zhvillohet një Konferencë II në Gjenevë për Sirinë", u shpreh kancelarja gjermane. "Por për momentin nuk duket se do të ketë një rezolutë unanime dhe vlerësim të njëjtë të Kombeve të Bashkuara".

Putin përballë Obamës

Mund të thuhet se G-20 dështoi në çështjen e Sirisë. Një pjesëmarrës në samit madje u shpreh se "disa vende thjesht nuk kanë dëshirë të ndërmarrin diçka, pasi janë shumë të zënë me veten." Presidenti rus, Vladimir Putin tha në konferencën përmbyllëse të samitit, se në asnjë rast nuk pati ndonjë mazhorancë për një ndërhyrje ushtarake në Siri. Ai përsëriti pozicionin e njohur se një sulm me armë kimike, mund të jetë një provokacion i kundërshtarëve të Asadit. Edhe me presidentin amerikan, Barack Obama ai zhvilloi konsultime tete-a- tete për këtë, tha Putin.

Ban Ki Moon dhe Obama bisedojnë gjatë samitit

Ban Ki Moon dhe Obama bisedojnë gjatë samitit

Ndërsa Obama nga ana e tij u shpreh se ai e kishte shumicën e pjesëmarrësve në anën e tij. Po qe se nuk merr përgjigje kjo shkelje e së drejtës ndërkombëtare, atëherë ky është një sinjal që iu dërgohet vendeve autoritare dhe organizatave terroriste. "Mund të përdoren armët e shfarosjes në masë, pa pasur frikë për pasojat. Kjo nuk është bota, në të cilën ne duam të jetojmë", tha Obama para gazetarëve. Të martën e ardhshme ai do të flasë para popullit amerikan.

Ekonomia botërore në rimëkëmbje

Më shumë ujdi samiti tregoi në çështjet ekonomike. Ky është edhe qëllimi kryesor i samitit, sipas pjesëmarrësve. Në fund të fundit ishte kriza financiare botërore e vitit 2008, ajo që solli krijimin e një instance të tillë. Në një deklaratë përfundimtare të samitit thuhet se koniunktura botëreo ndërkohë është qetësuar, por është herët për të bërë fjalë për fundin e krizës. Të njëjtat tont përdori edhe presidenti kinez Xi Jinping. Ai kërkoi nga shtetet e G20-s të konsolidojnë buxhetet e tyre. Për këtë duhet rritur bashkëpunimi mes vendeve të G20-s.

Putin në konferencën e shtypit

Putin në konferencën e shtypit

Më shumë drejtësi fiskale

Por një bashkëpunim i tillë kërkon kohën e vet. Më qartë kjo duket në reformën e tregjeve financiare. Në këtë çështje janë shënuar vërtet hapa përpara, por ka ende shumë për të bërë. Në Shën Petersburg u ra dakord për një plan kohor për të reduktuar evazionin fiskal të megakoncerneve ndërkombëtare. Për këtë çështje u angazhua së tepërmi Angela Merkel: "Nga njëra anë ne luftojmë kundër papunësisë, nga ana tjetër ka koncerne që lulëzojnë, e nuk paguajnë asgjëkundi tatime." Ajo u shpreh pozitivisht për hapat e bëra në drejtim të rregullimit të bankave të ashtuquajtura banka-hije. "Me këtë ne bëjmë të qartë se çdo produkt financiar, çdo aktor financiar dhe çdo treg financiar i nënshtrohhet rregullimit."

Luftë kundër barrierave tregtare

Për të luftuar më me efektivitet evazionin fiskal, shtetet e G20-s ranë dakord për të rritur shkëmbimin e informacionit. Deri në vitit 2015 duhet të krijohen standarte, të cilat do të bëjnë të mundur krijimn e një databaze të përbashkët. Vetëm kjo do të bënte të mundur shkëmbimin e synuar. Në fund të samitit, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të G20-s debatuan për tregtinë botërore dhe luftën kundër proteksionizmit. Një ritual: Çdo vit nënshkruhet një deklaratë, ku theksohet se barrierat tregtare janë të dëmshme për ekonominë botërore. Nga ana tjetër numri i masave proteksioniste rritet nga viti në vit. Edhe projektet e infrastrukturës zunë vend në samit. Australia, vendi që merr kryesinë e radhës së samitit dhe mikpritësi i G20 në vitin 2014 do ta vërë këtë temë në qendër të samitit të ardhshëm.