1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dëshirë për të qenë i pavarur - Studimi në universitetet shtetërore

Në Gjermani ekzistojnë rreth 400 shkolla të larta të miratuara nga shteti. Prej tyre, 88 janë universitete shtetërore. Më shumë se 200 janë shkolla të larta profesionale.

default

Prej rreth dy milionë studentëve të regjistruar, dy të tretat janë të regjistruar në universitete, që mbetet forma më e preferuar e studimit. Po, çfarë gjërash duhet të kesh parasysh, veçanërisht si student që vjen nga jashtë për t'u regjistruar në një universitet gjerman? Vanesa Den ishte në Universitetin e Këlnit, ku takoi një publik ndërkombëtar.

"Nga Krakovi, nga Polonia."

"Qipro"

"Nga Hungaria"

Prej rreth 100 kombeve vijnë studentët e universitetit të Këlnit, universitetit më të madh publik të Gjermanisë. Prej rreth 43 mijë studentëve, të paktën një në dhjetë vetë janë të huaj. Patrik Honeker, zëdhënës i shtypit i Universitetit të Këlnit: "Besoj se shumica e studentëve, që vijnë në Gjermani prej botës së jashtme, kërkojnë një ambjent të mirë për studime. Kjo do të thotë se ata duan të bashkëpunojnë me shkencëtarë, që janë më të mirët në sektorin e tyre, dhe këta ata i gjejnë tradicionalisht në Gjermani në universitete."

Në dallim nga shkollat private të biznesit dhe shkollat e larta profesionale, në universitetet është shkenca që është në plan të parë. "Ne këtu shkollojmë për të kryer punë kërkimore, kurse në shkollat e larta profesionale dhe në institucionet private bëhet kryesisht shkollim për tregun e punës."

Në universitete pra teori, në vend të praktikës? Kjo varet nga zgjedhja e lëndëve që bën. Në këtë drejtim, universitetet shtetërore ofrojnë shumë më tepër mundësi se sa shkollat private ose shkollat profesionale. Në universitet, studentët mund t'i kombinojnë më lirisht lëndët e tyre dhe kryhet një shkëmbim midis sektorëve të ndryshëm. Por larmia dhe mundësia e madhe për të zgjedhur në universitete kanë edhe disfavore: "Kudo plot e përplot".

"Seminaret janë më tepër se plot, normalisht, dhe kjo më zemëron pak."

"Në shkollën e lartë shtetërore duhet ta hapësh rrugën me luftë. Universitetet në Gjermani në shumicën e rasteve janë shumë plot. Në Këln ne kemi 43 mijë studentë përballë 500 profesorëve. Mund ta marrësh me mend, që raporti i përkujdesjes nuk është i tillë siç duhej të ishte."

Ka studentë që megjithatë janë optimistë: "Mund të ambjentohesh. Besoj se më vonë nuk do të frikësohem kaq shumë."

Edhe Juditi nga Hungaria ka arritur që ta organizojë studimin e saj në Universitetin e Këlnit. Për bashkëatdhetarët e saj, që duan të vijnë për të studiuar në Këln ajo ka një këshillë: "Më parë t'i kesh përfunduar studimet në vendin nga vjen, dhe pastaj të dish shumë mirë gjermanisht, po të duash të studiosh në shkollën e lartë ose në universitet. Pra, nuk është e mjaftueshme, që kur ke dëshirë të studiosh, të flasësh gjermanisht, parakusht është që të kuptosh mirë dhe anglisht dhe të jesh në gjendje të lexosh."

Edhe Ana nga Polonia ka një këshillë për studentët nga atdheu i saj:"Të ambjentohesh sa më herët që është e mundur me sistemin. Te ne studimi zhvillohet në një mënyrë të tillë, që ne jemi të detyruar të punojmë gjithë semestrin, ne kemi shumë provime të ndërmjetme. Kurse këtu ka vetëm një provim të madh në fund të semestrit. Dhe po të mos punosh gjithë semestrin, atëherë të dalin probleme."

Pavarësisht, nëse vjen nga Hungaria, apo nga ndonjë vend tjetër: një veti duhet ta sjellin me vete studentët, që duan të studiojnë në një shkollë të lartë në Gjermani, thotë zëdhënësi i studentëve, Patrik Honeker: "Pasion për pavarësi. Të ndjesh kënaqësi t'i zbulosh vetë gjërat, të zhvillosh vetë gjëra. Këtu ne nuk mund të ofrojmë përkujdesje të plotë si në shkollë, por ata duhet t'i arrijnë vetë me përpjekje sukseset. Kur të ndiejnë kënaqësi në këto gjëra, atëherë ata janë në vendin e duhur në universitet."