1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dënohet me burgim të përjetshëm një oficer i Vermahtit

Aktualisht në Gjermani po zhvillohen me siguri proceset e fundit gjyqësore kundër nacionalsocialistëve të akuzuar për krime. Shumica e dorasve tashmë kanë vdekur dhe nuk kanë dalë para gjyqit.

Ish- oficeri i Vermahtit, Jozef Shojngraber dënohet për krime 65 vjet më parë në Itali. Ne foto: Ish- oficeri i Vermahtit, Jozef Shojngraber ne sallen e gjyqit

Ish- oficeri i Vermahtit, Jozef Shojngraber dënohet për krime 65 vjet më parë në Itali

Sot (11.08) u dha vendimi me burgim të përjetshëm në procesin kundër Josef Scheungraber-it. Në vitin 1944 si oficer i Vermahtit të Hitlerit ai ka marrë pjesë në të ashtuquajturin "aksioni i hakmarrjes" në Toskanë. 90 vjeçari akuzohet për katërmbëdhjetë vrasje. Në Ahen në tetor fillon një tjetër proces lidhur me periudhën e nacionalsocialzimit, së shpejti pritet edhe hapja e procesit kundër John - Ivan - Demjanjuk-ut.

"Alois Brunner, përgjegjës për deportimin e disa dhjetëra mijë hebrejve nga Austria, Greqia, Franca dhe Sllovakia jeton në Siri.

Aribert Heim, mjek në kampet e përqëndrimit në Saksenhauzen, Buhenvald dhe Mathauzen, ka vrarë qindra vetë, qysh nga viti 1962 ai konsiderohet i humbur.

Ivan Demjanjuk, roje përgjëgjes për vdekjen e disa mijëra njerëzve në kampin e përqëndrimit Sobibori, i akuzuar në Gjermani.

Heinrich Boere, si anëtar i armatës së SS-ve ka vrarë tre holandezë, i akuzuar në Gjermani..."

Lista e Qendrës Simon-Wiesenthtal për shumë nacionalsocialistë të kërkuar si kriminelë lufte numëron ndërkohë dhjetë persona.

Mosha e thyer nuk është arsye për ta mbrojtur nga procesi gjyqësor një njeri si Demjanjuku

Të akuzuarit në Gjermani, Heinrich Boere dhe John (Ivan) Demjanjuk janë 88 dhe 89 vjeç. Mosha e thyer nuk është arsye për ta mbrojtur nga procesi një njeri si Demjanjuk, mendon Wolfgang Benz, drejtor i qendrës për Studimet mbi Antisemitizmin në Universitetin Teknik të Berlinit:

"Varet nga vepra penale. Kjo duhet hetuar mbi bazën e ligjeve të shtetit ligjor. Nëse dikush është 89 vjeç, apo i sëmurë dhe jo në gjendje: këtë duhet ta vendosë gjyqi, se deri në ç'masë mund ta përballojë një njeri i tillë procesin."

Veprat mund të hetohen saktësisht, sepse në rast të kundërt dështon çdo akuzë

I akuzuari Jozef Shojngraber duke pritur shqiptimin e vendimit të gjyqit në Gjykatën e Landit në Mynih

I akuzuari Jozef Shojngraber duke pritur shqiptimin e vendimit të gjyqit në Gjykatën e Landit në Mynih

Ndërkohë që vendndodhja e Demjanjukut ishte e njohur, për të dyshuarit e tjerë ende vazhdojnë kërkimet. Sidoqoftë veprat mund të hetohen saktësisht, sepse në rast të kundërt dështon çdo akuzë. Kompetencat për këtë i ka Qendra për Zbardhjen e Krimeve Nacionalsocialiste në Ludvigsburg pranë Shtutgartit. Joachim Riedel, nëndrejtori i kësaj qendre vë në dukje hetimet e fundit të suksesshme:

'Ne e dërguam në Mynih rezultatin e hetimeve dhe prokuroria vendos nëse ngrihet akuzë ose jo'

"Në rastin e Demjanjukut është mëse e qartë: Ne hetuam për muaj me radhë, përmblodhëm rezultatin e hetimeve dhe e dërguam atë në Mynih. Prokuroria e Mynihut vazhdoi hetimet, duke marrë p.sh. në pyetje të akuzauarit, gjë që ne nuk e kemi bërë. Në fund është prokuroria që vendos nëse ngrihet akuzë ose jo. Kjo nuk është detyra jonë e mirëfilltë. Ne fillimisht na duhet ta kristalizojmë dhe përpunojmë rastin për prokurorinë përkatëse, e cila më pas e ndjek më tej procesin. Nëse ne nuk do të kishim bërë punën paraprake, ky rast ndoshta nuk do të ishte zbuluar fare."

Puna paraprake kryesisht ka të bëjë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe me kërkimin e dokumentave.

22 kriminelët kryesorë të luftës u nxorrën para proceseve gjyqësore të Nurembergut, ndër to marshalli i Rajhut Hermann Göring - numri dy më i pushtetshëm në shtetin nazist, zëvendësi i Hitlerit, Rudolf Heß, komandanti i kampit të Aushvicit, Rudolf Höß dhe drejtuesi i kancelarisë së partisë nacionalsocialiste, Martin Bormann.

1100 vetë janë dënuar për krime vrasjeje

Në dymbëdhjetë proceset pasuese të Nyrnbergut dhe në një sërë procesesh në gjyqet ushtarake u dënuan krimet e tjera të nacionalsocialistëve. Gjithashtu ka pasur edhe procese në gjykatat penale gjermane. Nga rreth 173000 të dyshuar të regjistruar janë dënuar gati 4%, pra rreth 6600, konstaton Instituti i Historisë Bashkëkohore në Mynih. Prej tyre vetëm rreth 1100 persona janë dënuar për krime vrasjeje.

Jo vetëm në Gjermani, por edhe në vende të tjera janë kryer hetime për krime lufte. Rasti më i njohur është procesi kundër Adolf Eichmann-it në Izrael. Ai ka qenë përgjegjës në Zyrën Qendrore të Sigurisë së Nacionalsocialistëve për asgjësimin e hebrejve në Evropë dhe për këtë u dënua me vdekje. Aktualisht edhe në Gjermani zhvillohen hetime, por nuk lejohet të bëhet publike se kundër kujt.

Autor: Dafne Gratvol/Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 11.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J7o5
  • Data 11.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J7o5