1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dënohet ish-ministri grek

Edhe një dënim tjetër sinjalizues kundër politikanëve grekë. Ish-ministri grek i Ekonomisë dhe Mbrojtjes, Akis Cohatsopulos u dënua për evazion fiskal me tetë vjet burg dhe një gjobë prej 520.000 eurosh.

Një gjykatë apeli e Athinës e shpalli 73 vjeçarin fajtor për evazion fiskal. Ish-ministri akuzohet për mosdeklarim të një vile në qytetin e Athinës, si edhe për depozita dhe letra me vlerë, me një vlerë prej 100.000 euro. Gjykata ka kërkuar edhe konfiskimin e vilës luksoze me pamje nga Akropoli, e cila do të dalë më vonë në ankand. Sipas ekspertëve dënimi ishte shumë i ashpër, por edhe i kuptueshëm në rastin e një funksionari të lartë të shtetit, si Cohatsopulos. Por Leonidas Kotsalis, avokati i ish-ministrit në një intervistë me televizionin sky u shpreh se ai është habitur me lartësinë e dënimit.

Karrierë me skandale

Karrierën politike, Cohatsopulos e filloi në vitet 60-të në Mynih si zëvendësi udhëheqësit socialist, Andreas Papandreu. Nga emigrimi ai luftoi kundër juntës ushtarake greke dhe ishte bashkëthemeluesi i partisë PASOK, që në vitin 1981 korri një fitore spektakolare në zgjedhje. Inxhinieri Cohatsopulos ishte numri dy i socialistëve, dhe synonte pas vdekjes së Papandreut të ngjitej edhe më lart, pro nuk mundi të fitonte përballë Kostas Simitisit.

Por Tsoçatsopulos nuk ia bënte gjithmonë të lehtë partisë së tij. Në vitin 2004 opinioni publik grek u shokua nga martesa e tij me një grua 30 vjet më të re, e cila u festua në një hotel luksoz parizian. Në vitin 2010 çifti bleu një vilë me pamje nga Akropoli, sipërfaqja e truallit llogaritej në 7.000 metra katrorë. Cohatsopulos thekson se vila nuk i përket atij, por gruas së tij të re. Avokati i Cohatsopulos në një intervistë në televizionin grek, tha se vila i përket gruas së tij "por duket si shtëpia e tij, si çdo baba familjar. Blerja u krye në vitin 2010 dhe ishte transparente dhe e financuar me kredi bankare në 2/3 e saj."

Akis Cohatsopulos gjatë arrestimit

Akis Cohatsopulos gjatë arrestimit

"Provat po dalin në dritë"

Por gjykata ishte e një mendimi tjetër dhe Tsoçatsopulos u dënua me tetë vjet burg. Dënimi i dytë brenda disa ditësh. Të mërkurën e shkuar u dënua ish-kryetari i bashkisë së Selanikut dhe ish-deputet konservator, Vasilis Papageorgopulos për shkak të mashtrimit me burg të përjetshëm.

Të dy politikanët nuk i pranojnë akuzat dhe e shohin veten si viktima të proceseve të motivuara politikisht. Analisti grek Dimitris Ekonomu nuk e pranon këtë. "Kur ne gazetarët dikur kapnim ndonjë gjurmë historie korrupsioni, politikanët na përcillnin shpesh me fjalët: Kush ka prova le të shkojë tek gjykata. Tanimë dolën në skenë gjykatat. Dhe provat po dalin ngadalë në dritë."

Tabelë qitjeje?

Ndërkohë gazetari grek, Panos Kosmas, i cili në vitiin 2012 kandidoi për partinë e Majtë shprehet se ekziston rreziku që një politikan si Cohatsopulos të bëhet tabelë qitjeje, e të instrumentalizohet, me qëllim që të mbulohen aferat e tjera apo që të mos hetohen më, deklaroi Kosmas në televizionin Skai. "Askush nuk beson në të vërtetë që korrupsioni u eliminua, sepse u dënuan dy politikanë të njohur."

Ish-ministrin e Ekonomisë, Cohatsopulos e pret edhe një proces tjetër këtë vit, ai për korrupsion. Cohatsopulos akuzohet se ka marrë ryshfet në lidhje me blerjen e nëndetësve nga Gjermania dhe në rastin e blerjes së raketave mbrojtëse nga Rusia. Cohatsopulosi i mohon akuzat duke u shprehur se vendimet nuk i ka marrë vetëm ai, por i gjithë kabineti qeveritar.

Autor: Janis Papadimitriu/Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi