1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dënime të rrepta për dehje në kafene

Republika Serpska merr masa të rrepta kundër alkoholit. Policia edhe ditët e ardhshme do të kontrollojë mysafirët në restorante dhe kafene dhe do të dënojë kamerierët që u shërbejnë të dehurve.

Birrë dhe kafe. Këto janë dy pijet më të kërkuara në Republikën Serpska, në Bosnjë e Hercegovinë. Boris Pavliq kaherë punon si kamarier, por është i vetëdijshëm se si pasojë e masave të fundit të policisë mund ta humbasë vendin e punës. Çdo herë në restorant mund të gjendet ndonjë person që ka pirë ndonjë gotë më shumë nga sa lejohet.

Ai nuk ka mirëkuptim për dënimin me gjoba të kamarierëve vetëm, sepse klienti ka pirë pak më shumë. Kundravajtja ndaj rregullores së rendit publik qëndron në vazhdimin e shërbimit të pijeve alkoolike. Një rregulloreje të tillë i referohet policia. „Kurrë s'kemi pasur ndonjë problem. Njerëzit pijnë disa birra dhe sillen plotësisht normalisht, edhe pse me testin për alkool mund të kontatohet se janë të dehur", shpjegon ai.

Republika Srpska Alkoholkonsum Boris Pavlic

Boris Pavliq punon si kamerier

Testi për alkool nuk duhet të bëhet në restorante, mendon Borisi. „Këtu ka një pakënaqësi të madhe. Njerëzit ndonjë herë kanë nevojë që të pinë alkool për t'i harruar problemet e së përditshmes. Nëse vazhdohet kështu, ata mund të pinë edhe në shtëpi. Por siç po shkojnë punët, njerëzit do të kontrollohen edhe në shtëpi“, pohon ai.

Gjoba për kamerierët

Policia e RS thotë se qëllimi i këtyre kontrolleve është evitimi i aksidenteve tragjike në rrugë. Ndërkohë që dënohen vetëm ata, të cilët u shërbejnë klientëve "dukshëm të dehur". Se çfarë do të thotë persona "dukshëm të dehur", e shpjegon shefi i policisë në RS, Dragan Qipiq: "Nëse klienti fillon të flas me zë të lartë, nuk mban ekuilibrin në ecje dhe nuk i përmbahet rregullave të parashikuara në raport me personat në detyrë, ai me siguri që është i dehur“.

Edhe pse nuk ka folur me zë të lartë, nuk ka pasur probleme me orientimin dhe nuk ka pasur probleme me policinë, një klient i një restoranti në Banjalukë ka përjetuar një ngjarje shumë të pakëndshme. Pas testit të policisë, kamerierja Bojana u dënua me 400 marka të Bosnjë e Hercegovinës. „Në kafene janë futur rreth 15 policë. Njëri prej tyre ka kërkuar që të gjithë t'i vendosin gotat në tavolinë. Një prej klientëve nuk e hoqi gotën nga dora, sepse ndoshta nuk e ka dëgjuar urdhërin e policit, apo ku e di unë pse. Ata e nxorrën me dhunë jashtë dhe e lënduan. Më pas i bënë testin e alkoolit“, shpjegon Bojana, e cila nuk e di rezultatin e testit, por ajo dhe pronari i kafenesë u dënuan rreptësisht.

Bojana gjobitet

Bojana gjobitet

Bojana nuk e di identitetin e këtij personi dhe as sa ka pirë ai. Ajo i ka shërbyer vetëm një pije, ndërsa personi në fjalë është sjellë plotësisht normalisht. Ndërkohë që policia ka shënuar në protokoll se personi "ka qenë dukshëm i dehur". „Është shumë e vështirë që unë si kameriere të vlerësoj nivelin e dehjes së ndonjë klienti dhe t'i them: mjaft, nuk ka më pije për ty“. Në këtë lokal çdo ditë vjen për të pirë një apo dy birra edhe Vladimiri. Atij i duket qesharake dhe shumë e pakëndshme që policia të kontrollojë edhe mysafirët nëpër kafene dhe restorante. "Kjo cënon lirinë e individit. Gjërat mund të kontrollohet në rrugë, nëse ndonjë prej tyre futet në veturë. I gjithë aksioni nuk ka asnjë kuptim“, pohon ai.

„Kafeneja është pjesë e jetës“

Branko nga Banjalluka nuk mund ta imagjinojë një ditë pa një birrë. Kjo është një kënaqësi, nga e cila ai nuk do të heqë dorë. "Tek ne të gjitha gjërat bëhen në kafene, por kjo nuk do të thotë se të gjithë dehen“, thotë Branko. Atij nuk i pëlqen fare mënyra e zbatimit të këtij ligji. "Ndryshe është kur t'i kontrollon shoferët në rrugë, por është normale që njerëzit në kafene mund të pinë", thotë ai.

Branko nuk e përfytyron dot jetën pa një birrë në ditë

Branko nuk e përfytyron dot jetën pa një birrë në ditë

Ministria është e vetëdijshme për efektet negative të këtij aksioni. Ditët e ardhshme policia do të marrë informacione më të sakta, se cilët klientë mund të kontrollohen në restorante dhe kafene. Ndërkohë që pronarët e restoranteve ankohen për sjelljen e policisë. Sipas tyre, arka e shtetit përfiton më së shumti nga shërbimi i alkoolit, sepse në nëntë muajt e parë në buxhetin e Bosnjë e Hercegovinës janë derdhur rreth 55 milionë marka. Nga deputetët kërkohet që të heqin dorë prej neneve kontestuese, të cilat parashikojnë dënime drastike për shërbimin e alkoolit "personave dukshëm të dehur".