1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dënim me vdekje me kusht për ish-ministrin e Kinës

Rasti konsiderohej si një provë e vendosmërisë së presidentit Xi Jinping në luftë kundër korrupsionit në Kinë. Dhe drejtësia ndërhyu vendosmërisht kundër ish-ministrit të Hekurudhave Liu Zhijun.

Për shkak të korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit, ish-ministri kinez i Hekurudhave Liu Zhijun u dënua me vdekje me kusht. Një Gjykatë Popullore në Pekin njoftoi për dënimin, i cili pas dy vitesh mund të ndryshohet nga dënimi me vdekje në dënim me burgim të përjetshëm.

Liu ishte bërë ministër i Hekurudhave në vitin 2003. Tetë vjet më vonë ai u shkarkua nga posti nën dyshimin se kishte marrë ryshfet për dhënien e kontratave për zgjerimin e shpejtë të rrjetit hekurudhor për trenat me shpejtësi të madhe në Kinë.

"Humbje të mëdha"

Në foto, ish ministri Liu Zhijun

Në foto, ish ministri Liu Zhijun

Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua citoi nga aktakuza, se Liu ka marrë ryshfet prej vitit 1986 deri në vitin 2011 një total prej 64.6 milionë juan, përkatësisht afro tetë milionë euro. Prandaj, ai është përgjegjës për "humbje të mëdha të parave publike", akuzonte prokuroria ish ministrin 60-vjeçar.

Qysh në nëntor të vitit të kaluar Liu u përjashtua nga Partia Komuniste në pushtet në Kinë. Ministria e Hekurudhës dikur e fuqishme u shpërbë këtë vit. Detyrat administrative të saj i mori përsipër Ministria e Transportit ndërsa për interesat komerciale kujdeset një kompani e re kineze hekurudhore.

Kreu i ri shtetëror i Kinës, presidenti Xi Jinping dhe kryeministri Li Keqiang, erdhën në pushtet me premtimin se do të luftojnë me vendosmëri korrupsionin. Sipas disa të dhënave presidenti dëshiron të veprojë si kundër "mizave" ashtu edhe kundër "tigrave" të fuqishëm - me çka ai nënkupton zyrtarët e korruptuar si në nivelin e ulët ashtu dhe në nivelin më të lartë shtetëror.