1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dëmi digjital për Gjermaninë

Spiunazh industrial ka pasur gjithmonë. Por në epokën digjitale vjedhja e sekreteve të sipërmarrjeve është më e lehtë se kurrë. Spiunime bëhen nga shtetet dhe nga sipërmarrjet. Dëmi është gjigant.

Në mbi 50 miliardë euro në vit e vlerëson dega e ekonomisë digjitale Bitkom dëmin vjetor nga spiunazhi ekonomik. Ky është rezultati i një studimi të publikuar pak kohë më parë, i cili përpiqet për herë të parë të ndriçojë fushën e errët të spiunazhit ekonomik.

Për këtë u pyetën 1074 sipërmarrje me më shumë se 10 punonjës. Më shumë se gjysma e tyre bëri të ditur se është bërë njëherë viktimë e spiunazhit, sabotazhit ose e vjedhjes së të dhënave. 28 përqind shprehën dyshimin se i kanë spiunuar. Në vend të parë të objekteve të spiunimit është industria automobilistike, e ndjekur nga degët e kimisë dhe të farmaceutikës. Në vend të dytë dhe të tretë janë degët e financave dhe të sigurimeve.

Lidhja e përbotshme në rrjet e bën spiunimin më të lehtë se kurrë. Hajdutët e të dhënave nuk ka më nevojë që të hyjnë dhe të jenë të pranishëm fizikisht në ndërtesën e një zyre, në një laborator, në një institucion kërkimor. Nëpërmjet kabllove me fibra optike, piratët shtetërorë ose privatë të internetit mund të depërtojnë në sistemet e IT. Bashkëpunëtorë të pëkënaqur mund të kopjojnë sasi gjigante të dhënash dhe t'ia përcjellin ato konkurrencës.

Spiunimi pa kufi

Rritja e rrezikut nga spiunazhi ekonomik ka aktivizuar edhe Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Një broshurë e publikuar vitin e kaluar paralajmëron që në fjalinë e parë të parathënies, "spiunazhi ekonomik është një rrezik për t'u marrë seriozisht, por i cili megjithatë nëvleftësohet në botën tonë të globalizuar, të ndërthurrur." Në mënyrë të posaçme Mbrojtja e Kushtetutës Gjermane paralajmëron për rrezikun nga "shërbime informative dhe të sigurisë me shumë bashkëpunëtorë të shteteve të tjera." Mbrojtja e Kushtetutës përmend në këtë kuadër disa shërbime informative ruse dhe kineze, të cilat besohet se bëjnë spiunazh ekonomik të ngarkuara nga qeveritë përkatëse.

Njëkohësisht tërhiqet vëmendja, se edhe shtetet perëndimore i përgjojnë konkurrentët e tyre përmes shërbimeve informative.

Marcel Dickow është i mendimit se në fushën spiunazhit industrial, shumë gjëra peshkohen "si kapje aksidentale e aktiviteteve të tjera të spiunazhit". Eksperti i kibernetikës i Fondacionit Shkenca dhe Politika mendon se instanca shtetërore angazhohen veçanërisht kur bëhet fjalë për "sulme të teknologjisë së lartë, ku bëhen përpjekje shumë të qëllimshme për të spiunuar sekrete të caktuara të sipërmarrjeve."

Kampionë të fshehtë bote si objekt vëzhgimi

Ekonomia gjermane ofron një numër të madh objektesh me vlerë për t'u sulmuar. Shumë sipërmarrje të vogla ose të mesme janë lider në tregun botëror për produktin e tyre. Produktet gjermane përfaqësojnë përparim teknologjik dhe cilësi të lartë. Përgjimi dhe imitimi në këtë kuadër është më i lehtë se zhvillimi në laboratorin tënd.

Krahas dijeve teknologjike teknike, konkurrenca interesohet edhe për strategji marketingu dhe negociimi. Kështu pasja dijeni për oferta konkurruese në tendera ndërkombëtarë për trenat e shpejtësisë së lartë ose për avionë mund të përcaktojë dallimin midis suksesit në biznes ose dështimit. Këtë e pati fiksuar në një raport edhe Parlamenti Evropian që në vitin 2001. Raporti bënte fjalë për sistemin e përgjimit të përbotshëm amerikan, Echelon. Me shembuj konkretë: kështu NSA besohet se përgjoi komunikimin e Airbusit me partnerët arabë sauditë në negociata dhe ia përcolli të dhënat konkurentëve amerikanë McDonell-Douglas dhe Boeing. Në fund, biznesin prej gjashtë miliardash e fitoi McDonell-Douglas.

Në firmat e vogla gjermane, siguria e të dhënave nuk është ende pjesë e politikës së sipërmarrjes. "Por sipërmarrjet që preken njëherë mësojnë shumë shpejt", thotë Marcel Dickow. Kjo është edhe e nevojshme, përballë tendencës për "Cloud-Computing" dhe "Industrisë 4.0" me procece prodhimi të ndërthurrura. Sepse me çdo pikë takimi që shtohet, rritet edhe rreziku, që persona të tretë të mund t'i lexojnë të dhënat.