1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Dëbimet e paparalajmëruara janë të papranueshme"

Qeveria gjermane do t'i kthejë azilkërkuesit e refuzuar në të ardhmen më shpejt dhe pa i lajmëruar. Kjo nuk ka të bëjë më me një procedurë të rregullt ligjore, thotë Marei Pelzer e organizatës Pro Asyl.

Deutsche Welle: Sie kryhet dëbimi?

Marei Pelzer: Deri tani disa autoritete i kanë përgatitur personat e prekur se do të dëboheshin. Kështu që këta kanë patur kohë, për t'u ndarë, për të mbledhur plaçkat dhe për të përgatitur largimin. Me ndryshimin e ligjit në fundjavë dëbimet nuk do të bëhen më të ditura. Kjo është shumë, shumë brutale për personat e prekur. Ato do të merren nga policia pa u lajmëruar, shpesh në mes të natës. Atyre u jepet kohë për të mbledhur gjërat më të nevojshme dhe pastaj dërgohen në aeroport.

Si e përballojnë të prekurit dëbimin?

Për ta kjo është një traumë dhe shumë shqetësuese, sepse ekzistenca dhe shpresat e tyre shkatërrohen. Kështu u prishen shumë gjëra njerëzve, që në shumicën e rasteve kanë jetuar për shumë vite këtu në Gjermani: fëmijët hiqen nga shkolla, studimet nuk përfundohen, miqësitë ndërpriten.

A kthehen familjet së bashku, apo ndodh që familjet të ndahen?

Për fat të keq shpesh ndodhin ndarje të familjeve. Policia merr pastaj vetëm një pjesë të familjes, që e gjen aty. Kjo ndodh pikërisht atëherë, kur dëbimet kryhen pa paralajmërim. Ne kemi pasur raste, kur familjet janë ndarë për vite të tëra. E keqja është se pas kësaj fshihet një llogari e autoriteteve. Ato shpresojnë se, nëse dëbon një pjesë të familjes, pjesa tjetër do t'i shkojë pas vullnetarisht.

Marei Pelzer Pro Asyl

Marei Pelzer Pro Asyl

A ndodh që të dëbohen të miturit pa prindërit?

Kjo nuk është e lejueshme, nëqoftëse edhe prindërit jetojnë në Gjermani. Të miturit e pashoqëruar, që kanë ardhur vetëm, mund të dëbohen vetëm. Por vetëm kur është e sigurtë se prindërit apo edukatorët e tyre ndodhen në vendin e origjinës.

Të dëbuarit kthehen me avionë civilë në vendet e tyre. Pranë tyre janë të ulur pushues dhe biznesmenë - si mund të imagjinohet një gjë e tillë?

Të dëbuarit rrinë në pjesën e pasme të avionit dhe pranë tyre ulen policët. Ka raste të rralla, kur pasagjerët e tjerë refuzojnë të udhëtojnë, kur ndodh një dëbim. Kapiteni i avionit e ka fjalën e fundit mbi sigurinë në bord dhe vendos në situata të tilla, nëse ai merr me vete të dëbuar.

Çfarë detyrash kanë policët?

Policët sigurojnë të dëbuarit. Për përdorimin e forcës ka pasur një diskutim të gjatë, pasi sudanezi 30-vjeçar Aamir Ageeb është mbytur nga policët gjatë dëbimit të dhunshëm më 28 maj 1999. Për shkak të këtij rasti për Gjermaninë u vendosën udhëzime, që nuk lejojnë forma të caktuara të mbajtjes nën dhunë dhe të përdorimit të saj.

A lejohet dëbimi i të sëmurëve?

Nëse konstatohet se gjatë dëbimit mund të ketë rreziqe për shëndetin, në raste ekstreme dëbimi nuk kryhet. Nganjëherë dëbimet kryhen nën shoqërimin e mjekëve: kjo bën që në praktikë të dëbohen edhe të sëmurë. Mjekët, që shoqërojnë dëbime të tilla, shpesh kanë interesin e tyre komercial në dëbimet. Ata fitojnë, nëqoftëse e deklarojnë një i dëbuar si të aftë për të udhëtuar. Ka të ashtuquajtur mjekë për dëbime, që nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse fitojnë nga dëbime të tilla.

Çfarë do të duhet të ndryshojë te dëbimet nga perspektiva e Pro Asyl?

Dëbimet e reja të paparalajmëruara na duken të papranueshme. Kjo nuk ka të bëjë me një proces të rregullt ligjor. Nuk është e njohur nga asnjë fushë tjetër e ligjit, që një vendim jashtëzakonisht i vështirë administrativ të kryhet pa paralajmërim. Nga ana tjetër mendojmë se politika ka bërë shumë pak në vitet e fundit, për të integruar personat me leje të përkohshme qëndrimi (duldung). Vetëm këtë vit ka hyrë në fuqi e drejta për të qëndruar, të cilën e kemi kërkuar që nga viti 2006.

Qeveria gjermane justifikon qëllimin e saj për të kryer në të ardhmen më shumë dhe më shpejt dëbime, me argumentin se duhen hapur kapacitete për azilkërkuesit, që përfitojnë me të vërtetë azil. Çfarë mendoni ju?

Dëbimi - edhe sipas logjikës së ligjit - duhet të jetë mjeti i fundit. Në vitet e fundit numri i dëbimeve ka lëvizur nga 6000 deri 8000 e llogaritur për një vit të tërë. Këtë vit në gjysmën e parë të tij numri gati është dyfishuar. Me politikën e dëbimit profilizohen përfaqësuesit e vijës së ashpër në debatin aktual për refugjatët. Ndjeshmëria - sidomos për refugjatët nga Ballkani Perëndimor - humbet e gjitha.

Marei Pelzer punon si juriste për organizatën e të drejtave të njeriut Pro Asyl.

Bisedën e zhvilloi Najima El Moussaoui.