1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Anschlag Moskau

25 Janar 2011

Atentati i tmerrshëm në aeroportin e Moskës Domodedovo ngre pyetje për aftësinë funksionuese të organeve ruse të sigurisë.

https://p.dw.com/p/102Tn

Atentatin terrorist ndaj aeroportit moskovit Domodedovo, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e quajti "një akt barbar". Me plot të drejtë. Për një akt të tillë të shëmtuar nuk ka asnjë justifikim.

Është e tmerrshme që në Rusi ndodhin vazhdimisht krime të tilla brutale. Sigurisht, është e vështirë të zbulosh në kohë terroristet për të parandaluar me kohë aktet e tyre terroriste, të planifikuara në shumicën e rasteve në grupe shumë të vogla. Atentatet në Londër, Madrid dhe gjetkë kanë treguar se sot fatkeqësisht nuk mund të ketë siguri të plotë. Megjithatë pas një atentati terrorist ngrihen dy pyetje legjitime: Kush e ka kryer? Përse nuk u arrit të shmangej?

„Pista e Kaukazit Verior“

Pyetja e parë merr në Rusi përgjigje të menjëhershme me referimin ndaj Kaukazit Verior. Edhe tani prapa atentatit në aeroportin Domodedovo dyshohen atentatorë nga Çeçenia apo Kaukazi Verior. Në këtë rajon të paqendrueshëm në jug të Rusisë, prej vitesh është formuar një fuçi baruti: probleme sociale, papunësia e lartë në radhët e të rinjve, tensionet etnike dhe lufta e Çeçenisë, në të cilën të dyja palët u sollën me brutalitet, kanë shkaktuar një situatë thuajse të pamenaxhueshme. Në republikat ruse të Kaukazit Verior ka thuajse çdo ditë atentate terrorste dhe shkëmbime zjarri mes forcave të sigurisë dhe luftëtarëve islamistë.

Deutsche Welle Russische Redaktion Ingo Mannteufel
Ingo MannteufelFotografi: DW

Kjo është prej kohësh një përditshmëri e trishtueshme, të cilën shumë rusë në Moskë apo Rusinë Qëndrore nuk e njohin aspak. Me atentatet e tyre të tmerrshme në kryeqytetin rus, terroristët kërkojnë të përhapin frikë por edhe të tërheqin vëmendjen. Ndoshta bëhet fjalë edhe për luftë të brendshme mes grupeve islamiste.

Sidoqoftë nuk janë paraqitur kërkesa konkrete. Për këtë arsye nuk mund të flitet për një zgjidhje politike. Aktualisht nuk ka asnjë organizatë në Kaukazin Verior, e cila mund të luante rolin e bashkëbiseduesit me udhëheqjen ruse, edhe pse në sfondin e këtyre akteve të tmerrshme bisedime të tilla nuk mund të justifikohen në planin etiko-moral. Veç objektivit afatgjatë dhe të vështirë për t'u arritur të përmirësimit të situatës sociale në Kakuazin Verior, për shmangien e atentateve të tilla udhëheqja ruse mund të mbështetet vetëm në organet e saj të sigurisë.

Korrupsion, paaftësi, neglizhencë

Por tragjike është se rusët nuk mund të mbështeten në organet e tyre përgjegjëse shtetërore. Pas atentateve të mëparshme shpesh është bërë e ditur se si terroristët kishin arritur të pregatisnin aktet e tyre duke shfrytëzuar struktura të korruptuara. Veç kësaj konstatohen paaftësi dhe neglizhencë në trajtimin e masave të sigurisë. Është për të ardhur keq që pikërisht aeroporti Domodedovo është bërë objektiv i një atentati. Ky aeroport është ndoshta më i miri në Rusi dhe disponon sisteme tejet moderne sigurie. Po aq fatale janë njoftimet se Shërbimi Brendshëm i Fshehtë rus (FSB) ka qenë i informuar për një atentat, por nuk ka kryer kontrolle në Domodedovo, në juglindje të Moskës, por në Selenograd, në veriperëndim të kryeqytetit. Presidenti rus Dmitri Medwedew do të bënte mirë të merrte masa për zbardhjen e plotë të dështimit të organeve të sigurisë. Por a e dëshëron ai këtë dhe a disponon fuqinë e nevojshme politike?

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi: Aida Cama