1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëshmitari "X" i rastit "Kleçka" është gjetur i vdekur

29 Shtator 2011

Një dëshmitar i rëndësishëm në procesin në rastin "Kleçka" është gjetur i vdekur në Gjermani. Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X është gjetur i vdekur në një park në qytetin e Duisburgut.

https://p.dw.com/p/12j0F
Policia gjermane
Policia gjermane konfirmon lajminFotografi: dapd

 Zëdhënësi i policisë së qytetit të Dusiburgut, Ramon van der Maat, konfirmoi për Deutsche Wellen se trupi pa jetë i Zogajt është gjetur në një park dhe pas hetimeve të para nuk ka shenja që vdekja e tij të jetë shkaktuar nga ndërhyrje nga jashtë.

"Policia e Dusiburgut është vënë ditën e martë në kërkim të një personi të shpallur si i zhdukur, pasi ka qenë larguar nga shtëpia me paralajmërimin se do t'i bëjë diçka të keqe vetes, dhe nuk është kthyer për orë të tëra. Dhe kërkimeve policia ka arritur të gjejë trupin pa jetë të burrit. Nga vëzhgimet e bëra sot, pas shqyrtimit të rrethanave të përgjithshme, nuk kemi pasur asnjë lloj shenje se dikush tjetër mund të ketë qenë fajtor për vdekjen e tij", sqaroi van der Maat.

Sipas të dhënave të mediave vendore Agim Zogaj, emri i të cilit deri tani mbahej fshehtë ka dashur të dëshmojë ndër të tjera edhe kundër ish ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj. Ai ka qenë pjesë e një programi të misionit evropian  EULEX, për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe është sjellë nga Kosova në Gjermani. Një gjykatës i EULEX-it ka ngritur ndërkohë një aktakuzë kundër Limajt dhe nëntë personave të tjerë të dyshuar për krime lufte. Procesi gjyqësor do të duhej të fillonte muajin e ardhshëm.

Fatmir Limaj në Hagë
Fatmir Limaj në HagëFotografi: dpa

Të akuzuarit dyshohet të kenë kryer krime të luftës kundër civilëve dhe të burgosurëve të luftës, në kampin e të burgosurve në Kleçkë, 30 kilometra në jug të kryeqytetit Prishtinë, në gjysmën e parë të vitit 1999.  Zogaj thuhet të ketë shërbyer në Kleçkë nën komandën e Fatmir Limajt.

Fatmir Limaj, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, partisë në pushtet të kryeministrit Hashim Thaçi, ka qenë një ndër komandantët më të njohur të UÇK-së e cila ka luftuar për një Kosovë të pavarur kundër forcave të armatosura të presidentit të atëhershëm serb Sllobodan Millosheviq. Në qeverinë e kaluar të kryeministrit Thaçi, po ashtu një ish komandant i UÇK-së, Limaj ka qenë ministër i Transportit. Në një proces kundër tij të zhvilluar në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish Jugosllavi ai në vitin 2007 është shpallur i pafajshëm.

EULEX nuk bën komente për rastin në fjalë duke kujtuar se hetimet po zhvillohen nga autoritetet gjermane.

Zyra Federale e kriminalistikës, BKA bëri të ditur se Zogaj nuk ndodhej në ndonjë program mbrojtje dëshmitarësh të kësaj zyre.

Kurse ministria e jashtme gjermane pranon se qeveria gjermane ndodhej në kontakt me dëshmitarin që ndodhej nën përkujdesjen e EULEX-it dhe gjendej në Gjermani.

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama