1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëshmitarët përshkruajnë tmerrin e tërmetit

25 Tetor 2011

Tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë lindore u mori jetën të paktën 260 vetëve, por në Provincën Van mund të ketë shumë më tepër viktima të pazbuluara nën gërmadha. Standartet për ndërtimin e shtëpive janë të ulëta.

https://p.dw.com/p/12y6a
Njerëzit përpiqen të shpëtojnë viktima nën gërmadha pranë qytetit Van
Njerëzit përpiqen të shpëtojnë viktima nën gërmadha pranë qytetit VanFotografi: dapd

Njerëzit kërkonin gjithë natën të mbijetuarit në qytetin e vogël Ercis në Provincën Van. Tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë Lindore të dielën e ka shndërruar në gërmadhë një godinë më shumë dyqane. Disa nga shpëtuesit kërkojnë në gërmadha duke i lëvizur thjesht me duar gurët.

Nuk ka mbetur kohë: deri 28 familje mendohet që mund të jenë ende nën gërmadhat e ndërtesës. Ajo qe ndërtuar vetëm pesë ose gjashtë vjet më parë, thotë një fqinj, ende në gjendje shoku.

Edhe ata, shtëpitë e të cilëve nuk janë shkatërruar kanë frikë të flenë në to. "Ne e kaluam natën në veturë", thotë Rachard Bayram, pronar i një hoteli në qytetin e Vanit. Ai po hante drekë në një restorant, kur tërmeti me një magnitudë prej 7.3 ballë goditi pa paralajmërim.

Ai u fsheh nën një tavolinë, i frikësuar. Ai dhe familja e tij mbetën të paprekur, por ai ka frikë të kthehet në shtëpi. " Kanë pasuar dridhje të tokës çdo njëzet minuta", tregon ai.

Hayat Bilgisi gjithashtu nuk ishte e sigurtë nëse apartementi i saj, i cili nga jashtë dukej i padëmtuar, mund të mos pësonte kolaps në ndonjë goditje tjetër tërmeit. "Unë qendrova në universitet. Ishte shumë ftohtë të dilje jashtë", thotë ajo.

Rreth 100 studentë dhe lektorë kaluan një natë pa gjumë në universitet. Ajo dëshiron të largohet, por autobuzët dhe fluturimet prej Vanit janë të gjitha të prenotuara. "Unë dua vetëm të shkoj në shtëpi", thotë ajo.

Tërmete thuajse çdo ditë

Rreth 98 përqind e Turqisë është zonë tërmetesh, një e treta e vendit është zonë tërmeti e rrezikshmërisë së lartë, duke përfshirë zonat përreth qyteteve kryesore të Stambollit dhe Izmirit në rajonin e Anadollit Lindor.

Tre linja qendrore, ku takohen pllakat gjeologjike, kalojnë përmes Turqisë dhe tërmetet e vogla janë të përditshme. Dy prej këtyre linjave kalojnë nën provincat Van dhe Ercis, rreth 100 km në veri të kryeqytetit.

Në vitin 1939 rreth 40.000 vetë vdiqën në një tërmet masiv në Turqinë lindore, ndërsa tërmeti i fundit i madh ndodhi 12 vjet më parë, kur një tronditje prej 7.4 ballësh u mori jetën 20 mijë vetëve në Turqinë veri-perëndimore.

Shtëpi të ndërtuara pa kontroll

Megjithë rrezikimin e dukshëm, Turqia vazhdon të mbetet e papërgatitur për një katastrofë të madhe. Edhe në Stamboll, në qytetin më modern dhe më të zhvilluar të vendit, vetëm 25 përqind e ndërtesave janë ndërtuar duke respektuar standartet për t'u mbrojtur nga tërmetet, bën të ditur Ministria e Strehimit.

Shumë shtëpi janë ndërtuar pa kontroll teknik dhe me materiale ndërtimi të një cilësie të dobët. Dhoma e Inxhinjerëve të Çertifikuar beson se vetëm një përqind e spitaleve dhe as 10 përqind e shkollave në metropole janë riparuar siç duhet që prej tërmetit të fuqishëm që goditi qytetin në vitin 1999. Megjithëse epiqendra e tërmetit ishte 100 km larg Stambollit, mijëra banorë të qytetit humbën jetën.

Në provicën Van, në kufi me Iranin dhe Irakun, situata është edhe më e rëndë. Shumë njerëz që jetojnë në varfëri janë të lumtur që kanë një çati mbi kokë dhe standartet e sigurisë janë për ta vërtet të panjohura.

Autor: Susane Güsten/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica