1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënohen nëntë pjesëtarë të “Çakallëve” për krime në vitin 1999 Kosovë

(bc) afp/reuter11 Shkurt 2014

Gjykata e posaçme për krime në Beograd i ka denuar 9 persona për krimet e bëra në Kosovë. Ndër viktimat kishte fëmijë dhe pleq.

https://p.dw.com/p/1B6vM
Gericht in Belgrad, Special Court
Fotografi: AP Photo

Departamenti i posaçëm i Gjykatës së Lartë për Krime Lufte në Beograd shqiptoi vendimim, që parashikon dënime me heqje lirie ndaj nëntë anëtarëve të formacionit paramilitar “Çakallët” për krime të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999. Gjyqtarja Snezhana Nikoliq-Garotiq komunikoi, se të akuzuarit janë gjetur fajtorë për vrasjen e më shumë se 120 civilëve në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lubeniq. Viktima më e re e kësaj masakre ishte asokohe vetëm 19 muajshe dhe më e moshuara 87 vjeç. Pjestarët e kësaj njësie paramilitare u gjetën fajtorë në akuzat për vrasje, dhunime, shkatërrime dhe plaçkitje të pronës së shqiptarëve si dhe deportim të popullatës civile nga Kosova për në Shqipëri.

I akuzuari i parë, Toplica Milladinoviq, u dënua me 20 vjet burg. Sreqko Popoviq me 10 vjet, Sllavisha Kastratoviq me 2 vjet burgim, Boban Bogiçeviq me 2 vjet, Abdulah Sokiq me 12 vjet burgim, Millojko Nikoliq me 20 vjet, Ranko Momiq me 15 vjet, Sinisha Mishiq me 5 vjet dhe Dejan Bulatioviq me 20 vjet. Në tërësi të akuzuarit u dënuan me 106 vjet burgim.
Nga akuzat u liruan Radosllav Brnoviq dhe Veljko Koriçanin.