1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënimi i Breadly Manning të shërbejë si shembull

Miodrag Soriq / Angjelina Verbica22 Gusht 2013

Në fund të korrikut ushtarakut të lartë iu provua fajësia në 20 nga 22 akuza, ndër të tjera për spiunazh dhe nxjerrje të sekretit. Tani u shpall dënimi në Fort Meade.

https://p.dw.com/p/19UTy
Fotografi: Reuters

Gjyqtarja Denise Lind e dënoi Bradley Manning me 35 vjet heqje lirie. Ai u degradua dhe u përjashtua nga ushtria duke humbur të gjithë reputacionin. Megjithatë sipas profesor Morris D. Davis të Universitetit të Horwardit në Uashington, Manning në rast se sillet mirë, mund të falet pas tetë deri në nëntë vjetësh dhe të lirohet.

Gjykimi sipas ligjit ushtarak amerikan po shqyrtohet nga një gjykatë apeli. Avokatët e Manning mund ta apelojnë çështjen më tej në disa instanca. Në Uashington vëzhguesit nuk presin që presidenti Obama ta falë Manning-un.

Manning e vuri qeverinë amerikane në vështirësi për të dhënë shpjegime

Në arsyetimin e dënimit thuhet se Manning kishte vepruar pa përgjegjësi duke i vënë të tjerët në rrezik. Ushtaraku i lartë në kohën që kishte qenë i stacionuar në Irak, nga nëntori 2009 deri në maj 2010, kishte shkarkuar nga kompjuterët e ministrisë së Mbrojtjes rreth 700.000 dokumente dhe depeshe diplomatike, të klasifikuara si sekrete, për t'ia kaluar platformës së zbulimeve WikiLeaks.

Në foto, Bradley Manning
Në foto, Bradley ManningFotografi: Reuters

Sidomos publikimet e dokumenteve të luftës shkaktuan sensacion në gjithë botën dhe e vunë qeverinë amerikane në vështirësi për të dhënë shpjegime. Ndër të tjera u bë e njohur edhe një video, që tregon, se si një helikopter amerikan në Bagdad ndjek dhe vret civilë. Në arsyetimin e vendimit më tej thuhet se Manning duhet ta kishte menduar, se veprimet e tij do të dëmtonin Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë hesht

Jack Janes, një nga analistët kryesorë politikë në Uashington, nuk shprehu habi për masën e dënimit. "Kjo është pasoja, kur një ushtar thyen ligjin", tha ai. Charles Stimson i Fondacionit konservator Heritage në reagimin e tij të parë, e quajti Manning-un një "kriminel", i cili kishte pranuar fajësinë e tij edhe në gjykatë. Politikanët dhe ekspertët tani mund të diskutojnë, nëse Manning ështe informant, apo tradhtar. Por nga perspektiva ligjore, tha Simson, ai është një kriminel.

Deri tani nuk ka ndonjë reagim zyrtar të Shtëpisë së Bardhë për aktgjykimin. Vëzhguesit megjithatë besojnë se administrata Obama synon që rasti i ish-analistit të lajmeve të ushtrisë të bëhet shembull për të tjerët. Ata që duan të ndjekin shembullin e tij, duhet të tremben.

Amerikanët janë të ndarë

Veprimi i Manningut e ndan SHBA-në deri më sot. Në bazë të sondazheve një ndër dy amerikanë, beson se ushtaraku i lartë me trup të vogël ka dëmtuar interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe për këtë arsye është tradhtar. Pothuajse kaq shumë qytetarë amerikanë lavdërojnë sjelljen e ekspertit të kompjuterit dhe e konsiderojnë atë patriot. Megjithatë interesi publik për procesin është i kufizuar.

Bradley Manning në gjykatë (30.07.2013)
Bradley Manning në gjykatë (30.07.2013)Fotografi: Reuters

Para disa ditësh Manning vetë në një deklaratë para gjykatës ushtarake e ka bërë të qartë se ai do të pranojë dënimin. Me fytyrë të zbehtë ai ka kërkuar falje për veprimet e tij.