1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Countdown për Gaddafin - Nis misioni ushtarak kundër Libisë

19 Mars 2011

Misioni ushtarak në zbatim të rezolutës së Këshillit të Sigurimit kundër Gaddafit nisi të shtunën pas samitit të jashtëzakonshëm në Paris. Avionë luftarakë francezë e të tjerë fluturuan mbi Libi.

https://p.dw.com/p/10chU
Manovra para sulmeve në LibiFotografi: AP

Misioni ushtarak për Libinë, ashtu siç pritej pas rezolutës së OKB-së filloi të shtunën. Avionë luftarakë francezë dhe të tjerë po mbrojnë qytetin Bengazi. Me këtë u hap rruga e zbatimit ushtarak të rezolutës. "Avionë të jerë luftarakë janë gati për të intervenuar kundër tankeve në mbrojtje të civilëve", tha presidenti francez, Nicolas Sarkozy. Ata kanë goditur objektiva të ushtrisë libiane, ka bërë të ditur, presidenti francez, Nicolas Sarkozy të shtunën në Paris, pas samitit të jashtëzakonshëm me pjesëmarrjen e një sërë shefash shtetesh dhe qeverish nga Evropa dhe vende të tjera. Samiti diskutoi mënyrën e zbatimit të rezolutës së OKB-së. Presidenti francez, Nicolas Sarkozy i adresoi Gaddafit shprehjen se "dera e diplomacisë do të hapet po qe se ndalon agresioni."

Nicolas Sarkozy, französischer Wirtschafts- und Finanzminister
Presidenti francez Nicolas SarkozyFotografi: AP

Edhe kryeministri britanik David Cameron u shpreh se koha për të vepruar në Libi erdhi. Dhe këtë e bëri vetë Gaddafi, tha ai për televizionin britanik. "Kolonel Gaddafi e premtoi armëpushimin, ai po vetë e theu armëpushimin", tha Cameron. Britania e Madhe ka vendosur avionët luftarakë, sipas gjasave, në afërsi të Qipros.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy mbrojti ndërhyrjen ushtarake në Libi pas takimit në Paris. "Nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe ta shohim këtë masakër," tha ai. "Koha e kërkon këtë." Ne duhet ta ndihmojmë popullin libian dhe të shpëtojmë jetët e njerëzve.

Gjermania ndihmon me marrjen e përgjegjësive në Afganistan

Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel pas takimit në Paris u shpreh se të shtunën fuqitë botërore ishin të bashkuara në qëndrimin se dhuna në Libi duhet të marrë fund. "Rezoluta e OKB-së është e vlefshme, prandaj edhe ne duam që ajo të zbatohet me sukses", tha Merkel. Ajo konfirmoi qëndrimin e saj se Gjermania nuk do të marrë pjesë në misionin ushtarak, por bazat amerikane në Gjermani mund të përdoren. Megjithatë Gjermania ka ofruar të lehtësojë NATO-n në Afganistan. Avionët gjermanë të tipit AWACS do të marrin përgjegjësi në Afganistan për të liruar forcat amerikane që të kryejnë misionin në Libi.

Deutschland Libyen Angela Merkel in Berlin zu Flugverbotszone
Angela MerkelFotografi: dapd

NATO planifikon një sulm të shpejtë të aleancës ushtarake. Por për pjesëmarrjen dhe mjetet në mision ka pasur divergjenca mes anëtarëve, kështu që NATO nuk e ka mandatin, edhe pas konsultimit të ambasadorëve në Bruksel të shtunën. "Ky është një mision gjigant, ne kemi nevojë për përgatitje të sakta para se të fillojmë", tha një diplomat i NATO-s.

Veprimet ushtarake koordinohen nga Italia

Britania e Madhe, Franca dhe SHBA janë udhërrëfyese në këtë mision ushtarak. Misioni i SHBA-së në Libi pritet të jetë tepër i kufizuar. SHBA, sipas njoftimeve të gazetës "New Jork Times" të shtunën, do të marrë pjesë vetëm "ditë dhe jo javë" në luftën kundër Gaddafit.

Italia do të vërë në përdorim bazat e saj. Koordinimi i veprimeve ushtarake kundër Gaddafit do të bëhet nga bazat amerikane të SHBA-së dhe NATO-s në Itali. Kanadaja është shprehur për një ndërhyrje të shpejtë. Avionët e saj luftarakë janë gati në rajon dhe kanë nevojë për dy ditë për përgatitjen e sulmit. Danimarka pas miratimit të njëzëshëm të parlamentit nisi të shtunën gjashtë avionë luftarakë të tipit F-16 në Sicili. Ministrja e Mbrojtjes, Gitte Lillelund Bech deklaroi se ata janë gati për mision të dielën. Qeveria siguroi se në mision do të bëhet ç'është e mundur që të mënjanohen viktimat civile. Edhe Spanja ka ofruar ndihmën e marinës së saj dhe aviacionit ushtarak. Belgjika ka ofruar katër deri në gjashtë avionë luftarakë të tipit F-16. Bashkë me vendet evropiane, flitet se merr pjesë në misionin luftarak edhe shteti arab i Katarit, por kjo ende është e pakonfirmuar zyrtarisht. Avionë luftarakë francezë fillimisht fluturuan "në të gjithë territorin libian" me mision për mbledhje të dhënash.

Autor: AG/Arapi

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi