1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Cooper sërish në Beograd dhe Prishtinë - Vazhdimi i dialogu me tema politike

Ndërmjetësuesi i BE në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, viziton Beogradin dhe Prishtinën. Në Kosovë pritet, që në vazhdimin e dialogut të përfshihen edhe tema politike, si ajo e Veriut të Kosovës.

default

Raundi i parë i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar, por opinioni nuk e njeh plotësisht përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, thotë për DW Rada Trajkoviç, deputete e “Listës së bashkuar serbe” në parlamentin e Kosovës. Ajo pret që ndërmjetësuesi i BE-së në dialog Robert Cooper t'u thotë qartë dhe hapur si Prishtinës ashtu edhe Beogradit se ato, që janë arritur me marrëveshje, duhen zbatuar.

“Bisedimet zhvillohen për të mirën e popullit, por kam frikë se populli nuk është i informuar as hapur dhe as në kohë për shumë gjëra dhe kjo shkakton situatën, që në kemi aktualisht, me gjoja lirinë e lëvizjes, ndryshimin e targave, në fakt është mungesë lirie, prej së cilës preken edhe ata, që do të duhej të gëzonin më shumë atë, e këto janë të sëmurët." Familjet nuk mund t'i transportojnë njerëzit e sëmurë në qendrat shëndetësore, thjesht sepse ata nuk janë regjistruar në kohë, nuk janë njohur me të gjitha detajet e këtyre marrëveshjeve, për të mos përmendur ndoshta marrëveshjet e tjera, që duhet të shohin dritën e diellit”, thotë Trajkovic.

Pritet që Brukseli të ushtrojë presion ndaj të dyja palëve

Ndërsa Ardian Arifaj, përfaqësues i KIPRED-it, institutit kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, thotë për DW se nuk pret shumë nga vizitat e Robert Cooperit në Beograd dhe Prishtinë. “Në Beograd nuk kemi akoma qeverinë e re dhe është vështirë ta dish, nëse do të ketë dialog me qeverinë e re, ndërkohë që qeveria në Prishtinë është e vendosur, për të mos pasur dialog, derisa të mos jenë zbatuar marrëveshjet e deritanishme.”

Arifi megjithatë mendon se Brukseli dëshiron vazhdimin e dialogut dhe prandaj do të ushtrojë presion ndaj të dyja palëve. “Bashkimi Evopian do që dialogu të vazhdojë dhe sigurisht që në një farë mënyre të rritet niveli i dialogut dhe të përfshihen tema politike, siç është Veriu i Kosovës. Do të këtë presion ndaj të dyja palëve dhe nëse ato do ta dëgjojnë Brukselin si deri tani, atëherë BE-ja do t'i bindë të dyja palët, edhe Kosovën edhe Serbinë, që të ulen në tryezë dhe të dialogojnë edhe për temat e reja."

Dialogu do të jetë më kompleks

Edhe Rada Trajkovic pret që vazhdimi i dialogut të jetë shumë më kompleks se deri tani dhe do të nënkuptonte zgjidhjen e çështjeve në një nivel më të lartë. Ajo thekson se mbështet heqjen e barrikadave në Veri të Kosovës, por KFOR-i dhe EULEKS-i duhet t'u garantojnë serbëve të atjeshëm, që çështja e Veriut do të zgjidhet me rrugë politike, e jo me dhunë. “Unë pres që përfundimisht të ecim në rrugën, që çon në normalizimin e marrëdhënieve edhe insitucionale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thotë Trajkovic.