1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Cooper: Marrëveshjet të implementohen edhe nga ana e Serbisë

Vizita në Kosovë e ndërmjetësit Robert Cooper, u prit me protesta nga aktivistët e levizjës Vetëvendosje. Ata hodhën domate në xhamat e objektit të qeverisë në shenjë kundërshtimi të vazhdimit të bisedave Kosovë-Serbi.

default

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet teknike, Kosovë-Serbi, Robert Cooper, qëndroi për disa orë në Prishtinë duke takuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryenegociatoren e Kosovës, Edita Tahiri. Takimi i zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa, vetëm një komunikatë e shkruar nga zyra e kryeministrit, sqaron disa detaje të bisedave.

Marrëveshjet e nënshkruara të implementohen sa më shpejtë

“Në takim është diskutuar për implementimin e marrëveshjeve të arritura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë gjatë procesit të bisedimeve teknike në Bruksel. Robert Cooper theksoi se marrëveshjet e nënshkruara nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë duhet të implementohen sa më shpejtë, në mënyrë që të ecet përpara në proces”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Hashim Thaçi. Ky i fundit thotë se: “Këto marrëveshje duhet të implementohen edhe nga ana e Serbisë, pasi ato janë në dobi të qytetarëve të të dy shteteve dhe në dobi të forcimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”, thotë kryeministri, Thaçi.

Vizita e Robert Kuper pritet me protesta të Vetëvendosjes

Vizita në Kosovë, e ndërmjetësit Robert Cooper, u prit me protesta nga aktivistët e levizjës Vetëvendosje. Aktivistët e kësaj lëvizje arritën të depërtojnë në oborrin e qeverisë ku zhvillohej takimi, duke hedhur domate në xhamat e objektit.

Deputeti i kësaj lëvizje në parlamentn e Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ishte pjesë e protestës tha: “Siç dihet tashmë është paralajmëruar një raund tjetër i negociatave shumë të dëmshme për Kosovën, me ç'rast kësaj radhe nuk do të jenë vetëm marrëveshje siç kanë qenë deri më tani, por do të vendoset në tavolinë edhe veriu i Kosovës. Kjo është e papranueshme për Lëvizjen ‘Vetëvendosje”, tha Glauk Konjufca.

Protestën e lëvizjes Vetëvendosje dhe hedhjen e domateve në xhamat e qeverisë e dënoi kryeministri Hashim Thaçi, duke i cilësuar protestuesit persona të papërgjegjshëm. “Shpalosja e ambicieve politike duhet të bëhet në mënyrë institucionale dhe demokratike në Parlament, e jo përmes dhunës së shfaqur kundër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian. Këto veprime janë të papranueshme dhe si të tilla të dënueshme nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thotë kryeministri Hashim Thaçi.

Përpjekje për të nisur raundin e ri të bisedimeve

Një ditë më parë, ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper, qëndroi në Beograd, ku takoi këshilltarin e presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq. Në një deklaratë të lëshuar nga kabineti i presidentit serb, thuhet se bisedimet e deritashme janë element i rëndësishëm për arritjen e konsensuseve ndërmjet faktorëve politikë në Serbi. “Ky është njëri nga synimet e presidentit të Republikës dhe parakusht thelbësor për realizimin e interesave të Serbisë në Kosovë”, thuhet në deklaratën nga Presidenca serbe.

Vizita në Beograd e Prishtinë e ndërmjetësit Robert Cooper është një përpjekje për të nisur raundin e ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto biseda pritet të vazhdojnë pas formimit të Qeverisë së re në Beograd, mirëpo, Qeveria e Kosovës disa herë ka thënë se këto biseda nuk do të vazhdojnë, nëse Serbia nuk zbaton marrëveshjet e arritura deri tash në dialogun teknik që është zhvilluar në Bruksel.