1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Cilat vende pune ofrojnë firmat për refugjatët?

Politika kërkon t'i zbutë rregullat që u ndalojnë të punojnë azilkërkuesve. Kjo u pëlqen sipërmarrjeve të mëdha gjermane. Po çfarë mund të ofrojnë vërtet refugjatët?

Siemens-i nisi në pranverë në Erlangen një program për dhjetë praktikantë me pagesë. Prej tetorit, kjo do të vazhdohet në nëntë vende të tjera. "Këtu bëhet fjalë njëherë fillimisht për pak normalitet, për jetë të përditshme", thotë zëdhënësi Michael Friedrich. Deri tani nuk kanë marrë askënd për kualifikim. Por kjo edhe mund të ndodhë, thotë Friedrich. Edhe Deutsche Telekom ofron online praktika të paguara për refugjatë. Megjithatë kërkesat janë të larta: sipërmarrja kërkon para së gjithash studentë të ekonomisë, shumicën e herëve kërkohen njohuri të mira të gjermanishtes dhe anglishtes. Telekomi ende nuk ka gjetur praktikantë në këtë rrugë, por ndërkohë ka marrë aplikimet e para. Te sipërmarrja Continental druhen se në këtë mënyrë mund të nisë një odise praktikash. Prandaj, në vend të kësaj, furnizuesi për automjetet dëshiron që programet ekzistuese të kualifikimit t'i hapë edhe për refugjatët. Të rinjtë p.sh. mund të kenë mundësinë që gjatë një praktike të paguar të mbarojnë shkollën e pambaruar dhe pas kësaj të bëjnë një kualifikim profesional.

Gjendje e pasqaruar juridike

Aspektet juridike për këtë akoma nuk janë sqaruar me agjencinë e punës. Por përgjigja që kanë marrë është pozitive, thonë sipërmarrjet. Ka raste të veçuara kur edhe janë lidhur kontrata kualikimi profesional. Daimler p.sh. kualifikon në katër fabrika refugjatë. Ndërtuesi i automjeteve dhe i instrumentave të punës ka punësuar që tani sirianë dhe irakiane me leje pune. Kontakti krijohet në rrugë të ndryshme. Kështu, prodhuesi i automjeteve e mbështet qytetin e Shtutgartit financiarisht në punën me refugjatët dhe përmes këtij angazhimi ka kontakt me projektet e ndihmës në vend.

Vajtja direkte në strehimet e refugjatëve dhe kërkimi i punonjësve atje për Ariane Reinhart nga Continental nuk është ide e mirë. "Për njerëzit atje e rëndësishme është fillimisht që pas mundimeve të qetësohen." Edhe Telekomi nuk ka dëshirë ta ndjekë këtë rrugë që e propozoi si ide shefi i Daimlerit Dieter Zetsche javën e kaluar. "Kjo nuk ka kuptim. Më parë duhet të sqarohet situata juridike e refugjatëve," thotë zëdhënësi i koncernit, Christian Schwolow.

Statusi i pasigurtë i refugjatëve mbetet një rrezik për sipërmarrjet. Qeveria federale ra vërtet dakord në fundjavë që të zbuten ndalimet për të punuar. Por për sa kohë vazhdon procedura e azilit, është e paqartë për sa kohë do të ketë mundësi të qendrojë një azilkërkues në Gjermani. Për sipërmarrjet, kualifikimi profesional i një punonjësi është edhe një investim. Shoqata e Dhomave Gjermane të Industrisë dhe të Tregtisë mbështet nga ky shkak rregullin 3+2. Sipas këtij rregulli, dikush që bën një kualifikim trevjeçar nuk lejohet të dëbohet - edhe pas kualifikimit lejohet të punësohet për të paktën dy vjet të tjerë.