1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Cilat janë pjesët e papublikuara të planit Kosovë-Serbi?

Pas konflikteve shumëvjeçare Serbia dhe Kosova arritën të premten zyrtarisht marrëveshje. Por pikat kritike megjithatë janë lënë jashtë, shkruan gazeta gjermane "Süddeutsche Zeitung".

default

(...)Projekti parashikon krijimin e një asosiacioni të komunave me shumicë serbe në territorin e Kosovës. Asosiacioni i komunave do të ketë presidentin dhe një kuvend përfaqësues dhe do të vendosë në mënyrë autonome për ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe planifikimin urban; Statusi i tij duhet të sigurohet me "ligje dhe kushtetutë". Policia e asosiacionit të komunave do të jetë në letër pjesë e policisë së Kosovës, por ajo do të jetë kryesisht me serbë dhe do të komandohet nga serbët. E njëjta gjë vlen edhe për gjykatat. Pikat kritike lihen jashtë. Vetëm në veri të Kosovës punojnë qindra policë serbë dhe punonjës të shërbimi sekret, pjesë të të ashtuquajturave "struktura paralele", për heqjen e të cilave ka këmbëngulur shpesh BE. Në planin 15 pikësh thuhet vetëm, pjesëtarëve të strukturave serbe të sigurisë do "t'u ofrohet një vend në strukturat ekuivalente kosovare." Përveç kësaj në katër komuna serbe në veri të Kosovës do të zhvillohen që këtë vit zgjedhje komunale të organizuara nga OSBE. Deri me 15 qershor Serbia dhe Kosova do të bien dakord për energjinë dhe telekomunikacionin. Deri tani Serbia bllokon investimet apo privatizimet në këto sektorë. As Serbia dhe as Kosova nuk duan të bllokojnë "përparimin e palës tjetër në rrugën e saj drejt BE." Për një njohje të pavarësisë së Kosovës, apo për një anëtarësi në OKB nuk bëhet fjalë.

Krahas planit 15 pikësh ka me sa duket marrëveshje të tjera, të papublikuara

Kështu Kosova sipas zëvendësministrit të Jashtëm Petrit Selimi ka premtuar, se nuk do të dërgojë njësi të një ushtrie të ardhshme në veriun e dominuar nga serbët, ai do të kontrollohet nga trupa e paqes së Natos, KFOR. Në planin 15 pikësh mungon kjo marrëveshje. Sipas gazetës kryesore e Kosovës Koha Ditore plani 15 pikësh bie ndesh me disa ligje kosovare. Politikani opozitar Albin Kurti kritikoi në Prishtinë faktin se me asosiacionin e komunave serbe "krijohet një strukturë paralele në nivel shtetëror" dhe integrohen zyrtarisht strukturat serbe, megjithëse Beogradi nga ana e tij nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në fakt presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliv e pati quajtur marrëveshjen, që do të arrihej një "garanci për Serbinë, se Kosova nuk do të pranohet kurrë si shtet i njohur në OKB."

Deputetët e partisë së Gjelbër Marieluise Beck dhe Manuel Sarrazin druhen, se në Kosovë mund të përsëritet "gabimi i një ndërtimi të një shteti jofunksional si i Bonjë-Hercegovinës." (...)Beck dhe Sarrazin kërkojnë, që data e një fillimi të vërtetë të bisedimeve me BE për pranimin e Serbisë të varet jo vetëm nga nënshkrimi, por edhe nga zbatimi i vërtetë i një marrëveshje, "e cila nuk dëmton aftësinë funksionuese të shtetit kosovar."

Për këtë qeveria serbe nga ana e saj duhet të injorojë rezistencën e nacionalistëve. Këtë ajo mund ta përballojë. Sipas anketimeve afro dy të tretat e serbëve e shohin Kosovën faktikisht të pavarur, vetëm një pakicë është akoma në mënyrë të qartë kundër një ujdie. Por fillimisht titujt kryesorë i dominojnë disa ultranacionalistë. Ata publikuan numrat e telefonave celularë të kryeministrit Dacic dhe zëvendëskryeministrit Vucic. "Mua më vijnë çdo sekondë sms me kërcënime me vdekje", tha Vucic.

Ish presidenti nacionalist dhe ish kryeministri, Vojisllav Kostunica e quajti marrëveshjen e ardhshme një "tradhti të popullit serb", në të cilën qeveria "e ka shitur territorin e Kosovës për datën e fillimit të bisedimeve me BE për pranim." Në fshatrat serbe të veriut të Kosovës ultranacionalistët njoftuan rezistencë kundër marrëveshjes dhe kërkuan një referendum.(...)