1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Cila do të jetë politika gjermane për Evropën pas zgjedhjeve?

Edhe në vende të tjera evropiane, zgjedhjet për parlamentin federal në Gjermani janë ndjekur me vëmendje. Kush qeveris në Berlin, përcakton në masë të madhe politikën e Evropës.

default

Merkel, Barroso dhe Hollande në Berlin

Nicolas Barotte, korrespondent në Berlin i gazetës konservatore franceze Figaro, shkruan: " Presidenti socialist i Francës François Hollande kishte pak shpresa për një fitore të socialdemokratëve gjermanë (SPD). Për të zgjidhja më e mirë do të ishte tani një koalicion i madh. Franca shpreson në më shumë konsum në Gjermani dhe një zbutje të pozicionit gjerman, sa i takon politikës së rritjes ekonomike në Evropë. Por pavarësisht se çfarë qeverie do të formohet, Parisi pret që marrëdhëniet francezo-gjermane të bëhen më të thjeshta. Mediet dhe opinioni publik në Francë e kanë ndjekur me shumë vëmendje fushatën elektorale. Angela Merkel vlerësohet si kryetare qeverie pasi ajo mishëron suksesin gjerman. Nëse do të kishin votuar francezët ata do ta kishin zgjedhur me shumicë Merkelin. Por mundësia e një koalicioni të madh i habit francezët. Në Francë dallimet mes kampit të majtë dhe atij të djathtë janë shumë më të mëdha. Një koalicion i madh do të ishte i pamundur në Francë."

Gazetari i lirë Janis Papadimitriu ka mbledhur në Athinë zërat nga Greqia: "Një skenar i mirë për Greqinë do të ishte një koalicion i madh, është i mendimit kanali kryesor televiziv grek Mega Channel. Këtë e kishin konfirmuar për televizionin edhe përfaqësues të ministrisë së Financave në Athinë. Kokëçarje u shkakton gazetarëve grekë ngritja e papritur e fortë e euroskeptikëve të partisë "'Alternativa për Gjermaninë". Mega Channel e cilëson atë si parti të ekstremit të djathtë. Tasos Teloglou nga kanali STAR e sheh gjithashtu pozitive për Greqinë mundësinë një koalicioni të madh, pasi socialdemokratët tradicionalisht 'angazhohen për forcimin e kërkesës së brendshme në BE', nga e cila do të përfitonin vendet me borxhe në jug të Evropës. Korrespondenti në Bruksel i kanalit televiziv, Thanos Athanasiu, është i mendimit se tani është hapur rruga për një rikapitalizim të bankave greke nga mekanizmi i BE-së për shpëtimin e euros

Asnjëherë më parë nuk janë ndjekur zgjedhjet në Gjermani me aq vëmendje sa këtë herë. 'Gjermanët votojnë, Evropa është në pritje', titullonte të dielën e zgjedhjeve (22.09.) një nga gazetat kryesore greke Kathimerini. Në disa raste shprehet frika se qeveria e re Gjermane mund t'a linte në baltë Greqinë. Ish presidenti i Parlamentit Evropian Hans-Gert-Pöttering, përpiqet megjithatë të qetësojë: Berlini do të vazhdojë të mbështesë Greqinë, siguron politikani në një intervistë me Kathimerinin.

Flaminia Bussotti nga agjencia italiane e lajmeve ANSA, mendon: "Zgjedhjet parlamentare në Gjermani u ndoqën me vëmendje edhe në Itali të madhe, ashtu si në gjithë Evropën: mediet, politikanët por edhe njerëzit e thjeshtë donin të dinin se nga kush dhe si do të qeveriset Gjermania. Ata e dinë se shumë nga ajo çka ndodh në Itali, nuk vendoset në Romë ose jo vetëm në Romë, por edhe në Bruksel dhe Berlin. Edhe pse ndoshta jo me të njëjtën forcë si në Greqi, në Itali është i përhapur opinioni se Gjermania është përgjegjëse për programet e rrepta të kursimit, për paralizimin e ekonomisë që ka si pasojë rritjen e papunësisë. Muajt e fundit ka pasur disa shprehje pakënaqësie në popull, të shoqëruara nga fenomene populiste të cilat ndërkohë falë Zotit janë qetësuar.

Në Itali nuk mbizotërojnë ndjenja antigjermane, por zërat kritikë dëgjohen mirë. Nga konstelacionet e mundshme për qeverinë e ardhshme gjermane, Italia konsideron një koalicion të madh si alternativën më të mirë për Evropën dhe Italinë. Theksi do të vihej atëherë më shumë tek rritja se sa tek konsolidimi i buxhetit dhe kjo do të thoshte më shumë frymëmarrje për ekonominë. Përpjekjet për reforma dhe kursime, do të vazhdonin megjithatë, thonë të gjithë politikanët drejtues. Nëse u beson opinionistëve këtu, qeveria e ardhshme Merkel do të përqendrohet patjetër më shumë se deri tani tek rritja. Kjo pritet me tension në Itali."

Frank Vermeulen nga gazeta holandeze "NRC Handelsblad", ka vrarë mendjen për konstelacionet e mundshme politike në Gjermani:

"Një koalicion i madh do t'i bënte këto zgjedhje më të mërzitshmet që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër duket se ka disa lëvizje të zgjedhësve në skajet e politikës. Nëse liberalët (FDP) zëvendësohen nga konservatorët skeptikë ndaj euros (AfD), ky do të ishte një zhvillim pozitiv, pasi kështu në Parlament do të përfaqësohej qytetari i zemëruar. Disavantazhi do të ishte një periudhë më e paqendrueshme në demokracinë gjermane. Por nëse Merkel do të arrinte shumicën absolute, vendi më i rëndësishëm në qendër të Evropës do të qeverisej nga një lëvizje e vetme politike. Kjo do t'i bënte të mendoheshin Gjermaninë dhe pjesën tjetër të Evropës."