1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Cila do të jetë përgjigja e Papandreut ndaj kërkesave të opozitës?

Ultimatumi evropian ndaj Greqisë për mbajtjen e referendumit “ose euro ose drahmi” shkaktoi zhvillime të vrullshme politike në Greqi. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit.

George Papandreou

George Papandreou

Vendimi i kryeministrit grek Papandreu për mbajtjen e referendumit për marrëveshjen e re të kreditimit, të 26 tetorit, që në vazhdim u bë ultimatum evropian për mbajtjen e tij më 4 dhjetor me pyetjen “ose euro ose drahmi”, u bë katalizator zhvillimesh të vrullshme në skenën politike të Greqisë. Kërkohet me insistim dhe në tone dramatike dorëheqja e Papandreut, i cili kritikohet ashpër jo vetëm nga opozita por edhe nga ministra kryesorë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të tij si edhe deputetë se vuri në dyshim “strategjinë bazë” dhe “arritjen historike” të populit grek, praninë e tij në familjen evropiane. “Besoj se ajo që arritem me mundime dhe sakrifica dhe para se të hyjmë në euro dhe tani nuk duhet të vihet në asnjë mënyrë në diskutim në asnjë referendum” deklaroi deputetja e pozitës socialiste Evi Kristofillopullu.
Braktisje dhe nga deputetë socialistë që kërkojnë “qeveri të shpëtimit kombëtar”
Gjithçka filloi me diferencimin e ministrit të Financave dhe nënkryetarit të qeverisë Evangjellos Venizellos, i cili duke u kthyer në Athinë në të gdhirë të ditës së enjte, pas pjesëmarrjes së përbashkët me Papandreun në mini-samitin evropian të Kanës, u shpreh hapur kundër referendumit. E njëjta gjë bëhet në masë dhe nga deputetët në parlament, kurse Vaso Papandreu, deputete dhe nga kuadrot historikë të partisë në pushtet, i drejtoi apel kryeministrit për formimin e një qeverie të “shpëtimit kombëtar” se “gënjeshrat morën fund”. “Të formohet menjëherë me nismën e presidentit të Republikës qeveri e shpëtimit kombëtar, me synim që të garantohet marrëveshja e 26-27 tetorit dhe në vazhdim të shpallen direkt zgjedhje” deklaroi deputetja greke, kur tri kolege të tjera të saj deklaruan hapur se nuk kanë për t’i dhënë votëbesim qeverisë.
Evangelos Venizelos

Evangelos Venizelos

Opozita e djathtë kërkon qeveri të përkohshme provizore
Votëbesimi në fakt për ditën e premte, diskutimi i të cilit filloi sot në parlament, konsiderohet i kapërcyer me këto zhvillime, që po marrin trajtën e ortekut. Me letër të përbashkët deputetë të pozitës socialiste dhe deputetë të djathtë kërkojnë “krijimin e qeverisë së unitetit kombëtar” që nuk do të lejojë që “kriza qeveritare të kthehet në krizë kombëtare”. “Kërkoj formimin e qeverisë së përkohshme tranzitore me kompetencë eksluzive mbajtjen e zgjedhjeve dhe ratifikimin e marrëveshjes së kreditimit nga kuvendi aktual” deklaroi kreu i opozitës së djathtë Andonis Samaras që akuzohej deri më sot nga pozita për mungesë konsensusi. Kreu i partisë nacionaliste Jorgos Karaxhaferis me një letër të tij i kërkon presidentit Papulias që t'i japë fund "tragjedisë" greke me një iniciativë të tij të menjëhershme duke nënkuptuar që nga thirrja e mbledhjes së krerëve partiakë deri te dorëheqja e tij për të shkuar vendi në zgjedhje. E majta kërkon dorëheqje të qeverisë dhe mbajtje sa më parë të zgjedhjeve ku populli "të thotë pa asnjë presion fjalën e tij".
Papandreu do të preferonte një “tërheqje institucionale”
Ajo që nuk diskutohet është se është çështje kohe krijimi i qeverisë së “unitetit kombëtar”, e cila fiton terren. Opozita e djathtë kërkon që qeveria të ketë figura jo partiake në përbërjen e saj dhe kompetencë konkrete dhe të kufizuar, ratifikimin e marrëveshjes dhe lëvrimin e këstit të 6-të prej 8 miliardë eurosh në mënyrë që zgjedhjet të mbahen në kushte normale. Dekonspirimet më të fundit thonë se Papandreu nuk do të japë dorëheqje, gjë që la të kuptohet edhe ministri dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Dhimitris Repas tek hynte në mbledhjen e Këshilit të Ministrave. “Kontributi i deritanishëm pozitiv i Papandreut do të ketë vijimësinë analoge” deklaroi Repas, i cili e cilësoi Papandreun një “politikan të përgjegjshëm” që “di të bëjë gjithnjë atë që duhet” për vendin.
Lucas Papademos

Lucas Papademos

Analistët ndërkohë thonë se me Papandreun, që është “pjesë e krizës dhe jo e zgjidhjes”, nuk mund të ketë zgjidhje dhe për rrjedhojë çtensionim të klimës politike. Konfuzioni gjithsesi është i madh dhe duket se përsëritet historia e muajve të verës kur për nëntë orë Papandreu dhe kabineti i tij silleshin si të tërhequr. Ka të ngjarë që Papandreu të preferojë një “dorëheqje institucionale”, pra të shkojë në votëbesimin e ditës së nesërme në parlament për kabinetin e tij që konsiderohet që tani i humbur. Vetëm me diferencimet e deritanishme të deputeteve të tij ka humbur shumicën e 151 votave, duke siguruar vetëm 149.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM