1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Cila është e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi?

Zgjedhjet e përgjithshme këtë vit në Kosovë dhe mundësia që edhe në Serbi të ketë zgjedhje të parakohshme do ta ngadalësojnë dinamikën e dialogut Kosovë-Serbi.

Zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës, thonë se mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme këtë vit në Kosovë dhe mundësia që edhe në Serbi të ketë zgjedhje të parakohshme, do ta ngadalësojnë dinamikën e dialogut Kosovë-Serbi. Megjithatë, ata thonë se të dy qeveritë kanë vullnet për vazhdimin e dialogut, ndërsa, sfidë mbetet implementimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri tash. Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, do të mbahet me 27 janar, konfirmon zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi.

Në takimin e radhës ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit, në fokus gjyqësori në veri

Në foto: Daçiq, Ashton dhe Thaçi

Në foto: Daçiq, Ashton dhe Thaçi

“Takimi i 27 janarit do të zhvillohet pas inaugurimit të suksesshëm të tri komunave në veri, nga katër sa janë. Tani palët kanë mundësinë që të vazhdojnë punën e tyre në këtë aspekt dhe të çështjeve tjera që ndërlidhen me zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit”, thuhet në njoftimin e zyrës së Baroneshës Ashton.

Bekim Qollaku, këshilltar i parë politik i kryeministrit të Kosovës, i tha DW-së se në takimin e 27 janarit, në fokus të diskutimeve do të jetë çështja e gjyqësorit në veri të Kosovës.

”Në këtë takim, ne do të diskutojmë për implementimin e marrëveshjes së 19 prillit, pika që ka të bëjë me fushën e drejtësisë, sepse siç e dini, në veri ka filluar integrimi i policisë, por jo edhe funksionimi i organeve të drejtësisë”, thotë Bekim Qollaku.

Ai thotë se e ardhmja e dialogut të mëtutjeshëm Kosovë-Serbi, mbetet të diskutohet ndërmjet dy kryeministrave së bashku me Baroneshën Catherine Ashton. Kjo për faktin që sipas tij, jo të gjitha çështjet që janë në interes të dy vendeve kanë marrë përgjigje nga dialogu i deritashëm.

Zgjedhjet në Kosovë e Serbi mund ta ngadalësojnë dinamikën e dialogut

Por, e ardhmja e dialogut do të varet edhe nga zhvillimet politike rreth zgjedhjeve që pritet të ndodhin këtë vit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

“Ky vit, mund të jetë vit zgjedhorë për të dyja shtetet dhe normalisht nëse do të ketë një agjendë të tillë zgjedhore, dinamika e dialogut pritet të bie. Megjithatë, puna e grupeve punuese në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit do të vazhdojë”, thotë Bekim Qollaku.

Në foto: Naim Rashiti

Në foto: Naim Rashiti

Ndërkohë, Naim Rashiti, analist nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG ) i tha DW, se zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës, përkatësisht përsëritja e zgjedhjeve për kryetar komune nuk kanë ndikuar shumë në dialogun e përgjithshëm Kosovë-Serbi. Ai është i bindur se dialogu do të vazhdojë dhe për këtë thotë ai “ka vullnet nga të dyja qeveritë”.

“Vërehet një dinamikë më e shpejtë dhe më e re negocimi rreth çështjeve tjera, siç janë telekomunikacioni dhe energjetika dhe agjenda e implementimit të marrëveshjeve që tashmë janë arritur, mendojë se do të mbetet e plotë për këtë vit”, thotë Naim Rashiti.

Grupet punuese të vazhdojnë punën për implementimin e marrëveshjes

Naim Rashiti, thotë se gjatë këtij viti, do të ishte shumë e domosdoshme që grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, të punojnë në jetësimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri tash.

“Edhe Bashkimi Evropian, kërkon që në këtë fazë, fokusi të jetë implementimi i plotë e marrëveshjeve të arritura deri tash, sepse do të ketë edhe shumë detaje për t'i negociuar, siç e kemi parë me marrëveshjet për doganat, me marrëveshjet për zgjedhjet, dhe me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes e cila në fakt ka ngecur”, thotë Naim Rashiti.

Përdorimi i dhunës për ta ndërprerë ndryshimin politik në veri është e papranueshme

Në foto: Samuel Zhbogar

Në foto: Samuel Zhbogar

Sidoqoftë, suksesi më i madh i marrëveshjes Kosovë-Serbi, nga qeveria në Prishtinë është cilësuar mbajtja e zgjedhjeve lokale për herë të parë në veri të Kosovës. Por, veriu i Mitrovicës akoma mbetet i pa stabilizuar. Vrasja e një këshilltari komunal serb të enjten paradite vetëm sa e ka tensionuar situatën, sidomos para përsëritjes së zgjedhjeve për kryetar komune. Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, në reagimin e tij pas vrasjes së asamblistit Dimitrije Janiqijeviq, thotë se “përdorimi i çfarëdo dhune për ta ndërprerë ndryshimin politik apo për t'ju konfrontuar një situate komplekse sociale është e papranueshme”.

Samuel Zhbogar, thotë se “duhet punuar së bashku, qytetarët e veriut të Mitrovicës të të gjitha komuniteteve, forcat e paqes dhe rendit të Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të larguar tensionet dhe për të mbrojtur jo vetëm dinjitetin njerëzor, por edhe atë që është më e rëndësishmja që njerëzit kanë, jetën e tyre”.