1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Cilësi dhe besim: Në prag të hapjes së panairit të biznesit në Tiranë

Në Tiranë janë duke u bërë përgatitjet e fundit të Panairit të biznesit gjermano- austriako- zvicerian 2010. Nga e enjtja deri ditën e dielë në ambjentet e Pallatit të Kongreseve do të prezantohen rreth 50 firma.

Panairi gjerman, 2009

Panairi gjerman, 2009

Firmat dhe kompanitë që prezantohen në Panair janë përfaqësuese nga sektorët e energjetikës, ndërtimit, industrisë së pjesëve të këmbimit dhe shërbimit për automjetet, sistemit bankar, telekomunikacionet, linjat ajrore, industria farmaceutike, ushqimore etj. Një nga pjesmarrësit në panair është dhe Radio Deutsche Welle, e cila prej 18 viteve transmeton programe dhe në gjuhën shqipe.

Nëse një vit më parë, po në të njëjtin ambjent, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, u hap panairi i biznesit gjerman, këtë vit përfaqësimi do të jetë nga tre vende. Veç Gjermanisë edhe nga Austria e Zvicra. Kur e pyes njërin prej organizatorëve të panairit, Oliver Rohrbach, për arësyet e prezantimit së bashku të tre shteteve, ai përgjigjet: “Për dy çështje: Cilësia dhe besimi. Unë mendoj se kompanitë e tyre, prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre me cilësi maksimale, por dhe kanë besueshmëri në partneritet”.

Oliver Rohrbach

Oliver Rohrbach

Kryetari i Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla është një tjetër organizator i Panairit. Duke ndjekur nga afër punimet për ndërtimin e pavionëve të veçantë dhe të ambjenteve të përbashkëta për pjemarrësit ai thotë për DW, se kontakti me partnerët ka nisur para rreth tre muajsh, pasi dhe gjeografia e përfaqësimit këtë edicion ishte më e gjerë. “Organizimi i bizneseve gjermano, austriake dhe zviceriane në një panair të vetëm mendoj se është një gjetje shumë pozitive në drejtim të promovimit të tyre. Sepse në Shqipëri është mëse i njohur respekti për produktet e shërbimet gjermane, austriake e zviceriane. Ky do të jetë rasti më i mirë për bizneset e këtyre vendeve për t'u njohur me konsumatorët e partnerët shqiptarë. Aq më tepër kur në Shqipëri ka informalitet dhe ku të drejtat e autorit, pra emrat e firmave nuk është se kanë ndonjë konseguencë aq shumë të madhe. Kemi psh., shumë produkte turke a kineze që dalin në emër të produkteve të këtyre vendeve”.

Kompanitë dhe firmat pjesmarrëse janë rreth 50

Ato janë nga sektorë të ndryshëm nga energjitika, ndërtimi, industria e pjesëve të këmbimit dhe shërbimit për automjetet, nga sistemi bankar, telekomunikacionet, linjat ajrore, industria farmaceutike, ushqimore etj. Nuk do të mungojnë dhe institucione të edukimit apo të zbatimit të projekteve zhvilluese në Shqipëri, si GTZ-ja gjermane, Swiss Kontakt, Agjensia Austriake për Zhvillim, Instituti Gëte etj.

Ilir Zhilla, Kryetari i Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Ilir Zhilla, Kryetari i Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Sië është dhe tradita e aktiviteteve të tilla, ambjentet e panairit gjermano- austriako- zvicerian do të shërbejnë jo vetëm për kontakte bilaterale, por dhe organizmin e forumeve dhe tryezave të rrumbullakta me problematikën që kanë sipërmarrësit, me shkëmbimin e eksperiencave dhe përvojave etj.

Oliver Rohrbach thotë se veç perfaqësuesve nga të tre vendet, do të ketë dhe nga to kompani gjermane që vijnë nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia. Por për organizatorët e panairit ditët e fundit kanë qënë me disa të papritura, të cilat kanë ndryshuar pak nga skemat e transportit të pjesmarrësve. “Për shkak të situatës së krijuar nga hiri vullkanik organizatorë apo partnerë të ndryshëm nuk kanë arritur të shfrytëzojnë linjat ajrore, por kanë përdorur kombinimet me autobusët, makinat, tragetet për të qënë të sigurtë për prezencën e tyre këtu”.

Ilir Zhilla thotë për DW se Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, përveç finalizmit të këtij panairi është duke punuar paralelisht dhe për një tjetër aktivitet të rëndësishëm në bashkëpunimin shqiptaro- gjerman në fushën e biznesit. “Pas disa javëve në Hamburg të Gjermanisë do të zhvillohet forumi ekonomik mes të dy vendeve me një pjesmarrje të gjerë nga firmat e kompanitë që operojnë në treg, sikundër dhe nga ato që mbeten të interesuara për të vendosur kontakte dhe për të gjallëruar më shumë partneritetin”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 21.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N1ia
  • Data 21.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N1ia