1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Christian Wulff bën betimin si president i Gjermanisë

Presidenti i ri Gjermanisë bëri thirrje për shanse të barabarta për imigrantët. Në fjalimin e mbajtur me rastin e betimit, Wulff kërkoi gjithashtu rregullimin e tregjeve financiare.

Presidenti Wulff bën betimin

Presidenti Wulff bën betimin

Ishte një edicion origjinali i ligjit themelor të Gjermanisë, botim i vitit 1949, 12 vjet më i vjetër se Christian Wulff. Prandaj edhe ky i fundit ndoshta gjatë leximit të pasazhit të tij në fillim u ngatërrua dhe iu desh ta fillonte betimin nga e para. Këtë radhë pa gabime:

“Betohem që do t'ia përkushtoj forcën time të mirës së popullit gjerman, do ta shumëfishoj dobinë e tij, do të shmang dëmet për të, do të ruaj dhe mbroj ligjin themelor dhe ligjet e federatës, do t'i përmbush me ndërgjegje detyrimet e mia dhe se do të jem i drejtë ndaj çdokujt, me ndihmën e Zotit.”

Në fjalimin e tij të parë si president Wulff u shpreh për një politikë më të mirë në integrimin e imigrantëve: “Kur do të jetë e vetëkuptueshme për ne, që pavarësisht nga prejardhja dhe mirëqenia të gjithë të kenë shanse të barabarta arsimimi? Kur do të jetë e vetëkuptueshme që të gjithë fëmijët që rriten në këtë vend ta njohin gjuhën gjermane po aq mirë sa atë amtare, kur do të jetë e vetëkuptueshme që kur notat janë të njëjta shanset për vend pune të jenë të njëjta, pavarësisht në emri quhet Yilmaz, Krause apo diçka tjetër?,” tha ai ndër të tjera. Wulffi tha më tej se do të ishte më mirë që të mos pyetet aq shumë se nga ka ardhur dikush, por se ku do të shkojë, jo se çfarë na ndan, por çfarë na bashkon.

Disiplinë gjermane dhe triblime turke

“Atëherë kjo do ta bënte më njerëzore dhe më të suksesshme bashkëjetesën në vendin tonë”, tha presidenti i Gjermanisë dhe shtoi se kështu do të dilnin edhe cilësi të reja:

“Nga disiplina e vjetër gjermane dhe aftësia dribluese e turqve, nga ndërgjegjja e prusiane për punën dhe lirshmëria anglosaksone, nga thellueshmëria shvabe dhe arti i jetesës italiane dhe ndoshta në të ardhmen edhe nga stili i jetesës së zonës së Rinit dhe dëshira kineze për arsim”.

Wulff-i foli edhe për krizën financiare dhe kërkoi që të vihen para përgjegjësisë shkaktarët e saj. Ai kërkoi rregullimin e tregjeve financiare, për çka korri edhe një duartrokitje të fortë nga deputetët dhe anëtarët e Këshillit Federal, që ishin mbledhur nën kupolën e Rajhstagut: “ Kjo e bën të tërën më komplekse dhe nuk mund të them se ua kam zilinë, por kush do ta bënte këtë në se nuk e bëni ju, parlamenti gjerman me ndihmën edhe të Këshillit Federal”, inkurajoi ai.

Detyrime presidenciale qysh në ditën e parë

51-vjeçari, i cili deri tani ishte kryeministër i landit të Saksonisë së Poshtme u zgjodh të mërkurën nga Asambleja Federale si pasardhës i Horst Koehlerit, i cili një vit më parë pat dhënë dorëheqjen krejt papritur. Vetëm në raundin e tretë ai arriti të mblidhte shumicën absolute të votave dhe të sfidonte kështu kandidatin e opozitës Joachim Gauck. Wulff është presidenti i dhjetë i Republikës Federale Gjermane dhe më i riu deri tani. Dhe kjo deri diku ndjehej në tonin e fjalimit që nganjëherë ishte paksa më i shpejtë se ritmi i njëtrajtshëm dhe i qetë presidencial.

Edhe gruaja e tij 36-vjeçare, Bettina do të jetë zonja e parë më e re në historinë e Gjermanisë. Ndërkohë çifti hyri edhe në rezidencën e katër viteve të ardhshme në kështjellën Bellevue në Berlin dhe që sot në mbrëmje do të fillojnë ushtrimin e detyrës me një festë verore në oborrin e kështjellës ku priten mbi 5000 mysafirë nga politika dhe shoqëria.

Autor: Anila Shuka/ Berlin

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 02.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O9Lo
  • Data 02.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O9Lo