1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Christian Schwarz-Schilling: Serbia fajtori kryesor për luftën dhe zhvillimet e këqija në Ballkanin Perëndimor

Në një intervistë për programin boshnjak të Deusche Welles ish-ministri gjerman dhe përfaqësuesi i lartë i Bosnjës Christian Schwarz-Schilling sqaron përse ai sheh te Serbia fajtorin kryesor për ecurinë negative në rajon

default

Christian Schwarz-Schilling

Në një tekst autorial të botuar në gazetën gjermane "Süddeutsche Zeitung" Christian Schwarz-Schilling, kritikon Serbinë për rolin e saj rreth ngjarjeve në Ballkan. I pyetur nga korrespodentja e programit boshnjak të Deutsche Welles në Berlin, Selma Filipoviq se si është e mundur që vetëm Serbia të jetë fajtore për gjithë të këqijat që ndodhin në Ballkanin Perendimor, ai sqaron:

„Edhe Kroacia në një masë të mirë i ka kontribuar luftës në Bosnje Hercegovinë", është përgjigjur Schwarz-Schilling, për të shtuar menjëherë se faktet historike megjithatë tregojnë se luftën e inicioi Sllobodan Millosheviqi, ngaqë nuk lejoi pavarësimin e republikave të atëhershme jugosllave.

Serbët morën armatimin e Armatës Popullore të Jugosllavisë së Titos për të futur në kontroll territore të Kroacisë dhe Bosnje-Herecegovinës. Përleshjet luftarake të cilat kanë ndodhur më vonë në Bosnje Hercegovinë, janë dakorduar pastaj edhe në mes të Tugjmanit dhe Millosheviqit, për çka një pjesë e përgjegjësisë i takon edhe Kroacisë - vlerëson Christian Schwarz-Schilling. Megjithatë, Serbia deri tani nuk i ka pranuar rezultatet e pasluftës, sepse nuk dëshiron të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe e mbështet politikën e presidentit të qeverisë së Republikës Serbe, Milorad Dodik, komenton diplomati gjerman.

Ein brennenden Hochhaus in Sarajevo

Një ndërtesë e lartë në flakë në Sarajevë. Qershor 1992.

„Serbia i ofron ndihmë të vazhdueshme Dodikut, i cili është i njohur për deklaratat e llojit 'Sarajeva nuk është vendi im' apo 'Sarajeva është Teheran'. Ai hap përfaqësitë e tij konsullore nëpër botë dhe sillet si shef shteti. Serbia e pengon edhe përparimin e Kosovës, sepse në mënyrë të vazhdueshme e vë në dyshim statusin e saj. Si pasojë, Kosova edhe me tej nuk mund të lidhë marrëveshje me organizata ndërkombtare,“ thotë Schwarz-Schilling.

„Populli i Serbisë është i vetdijshëm se çfarë ka humbur“

Për frenimin e përparimit të Ballkanit, Shwarc-Shiling fajëson kryesisht Serbinë. Populli i Serbisë e ka kuptuar kaherë se Kosova s´do t´i kthehet prapa kurrë më dhe as Republika Serbe nuk do t´i bashkangjitet Serbisë, ashtu siç ishte menduar në fillim të viteve nëntëdhjetë. Megjithatë për luftërat e përgjakshme dhe stanjacionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Schilling fajëson edhe Evropën e veçanërisht Gjermaninë.

„Gjermania, duke qenë më e afërta gjeografikisht dhe njëkohësisht, vendi më i rëndësishëm i Evropës Qendrore, është dashur të tregojë vullnet politik dhe krizën jugosllave ta vërë në pikën e parë të rendit të ditës. Megjithatë, Gjermania lidhur me këtë çështje nuk ka qenë aktive as në Bashkimin Evropian e as në NATO. Ata besonin se intervenimi i Gjermanisë në NATO do të binte ndesh me kushtetutën. Ndërsa, kur pas tri vitesh Gjykata Kushtetutese e Gjermanisë konfirmoi se intervenimi i NATO-s nuk binte ndesh me kushtetutën, atëherë veç ishte bërë vonë,“ thotë Christian Schwarz-Schilling.

Gjermania duhet të ndjekë shembulin e Turqisë

Otto Fürst von Bismarck

Otto von Bismarck (1815-1898), kryeministër i Prusisë dhe kancelar i Gjermanisë.

„Ky është një gabim tjetër historik të cilin Gjermania e ka bërë kundruall Ballkanit," komenton Schilling. Vlerësimin e parë të gabuar e ka bërë kancelari i perandorisë së atëhershme gjermane, Oto von Bismark në shekullin XIX, kur ka deklaruar se „Për Ballkan nuk ia vlen të jipen as eshtrat e një ushtari të vetëm gjerman. Pak pas dhënies së kësaj deklarate pasoi vrasja e princit të kurorës së Habsuburgut, Franc Ferdinandit në Sarajevë dhe shpërtheu Lufta e Parë Botërore," kujton Schilling.

Gjermania dhe Evropa duhet të ndjekin shembullin e Turqisë, e cila me bisedime të shumta diplomatike me aktorët politikë të Ballkanit Perëndimor ka arritur të zgjidhë mosmarrëveshje të caktuara në mes të Beogradit zyrtar dhe Sarajevës, porosit Shiling. Vizitat njëditore të politikanëve gjermanë në Ballkan, siç është edhe vizita e ardhshme e ministrit të jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, e caktuar për të enjten e ardhshme(26.8), nuk do të kenë shume efekt,“ pohon Christian Schwarz-Schilling.

Autore: Selma Filipovic / Ajete Beqiraj

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 21.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ot5L
  • Data 21.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ot5L