1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cheney kritikon Hamasin

Clemens Verenkotte23 Mars 2008

Zëvendëspresidenti amerikan, Cheney, kërkon kompromise të dhimbshme nga të gjitha palët, por pa vënë në rrezik sigurinë e Izraelit. Të djelën ai u takua me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas

https://p.dw.com/p/DTI2
Cheney duke u takuar me PeresinFotografi: picture-alliance/ dpa

Marrëveshja e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve kërkon kompromise të dhimbshme, theksoi zëvendëspresidenti amerikan Dick Cheney, mbas takimit të tij me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, të djelën pasdite (23.3.) në Ramallah.

„Gjetja e një kompromisi përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve, që i merr parasysh të pretendimet e përligjshme nacionale të të dy popujve, do të kishte një vlerë të paçmuar. Dhjetra vitet e mosbesimit dhe dhunës nuk kanë sjellë asgjë dhe ekstremistët, që janë kundër arritjes së marrëveshjes, veçse ua kanë shtuar vuajtjet popullit izraelit dhe atij palestinez", tha Cheney në konferencën e përbashkët për media me Abbasin.

Cheney kritikoi ashpër organizatën radikal-islamike, Hamasin, që ka pushtuar Rripin e Gazës dhe që në fund të janarit të 2006-ës pat fituar zgjedhjet parlamentare. Duke pasur parasysh goditjet e bëra me raketat "Kasam" ndaj pikave kufitare në Rripin e Gazës, zëvendëspresidenti amerikan tha se është e nevojshme të përsëritet një e vërtetë e hidhur. „Terrori dhe raketat nuk vrasin vetëm civilët e pafajshëm, ato vrasin edhe shpresat dhe përpjekjet legjitime të popullit palestinez."

Cheney, i cili gjatë tetë ditëve të kaluara, pat zhvilluar biseda në Afganistan, Irak dhe Arabinë Saudite, tha se shteti palestinez duhej krijuar me kohë. Këtë e ka merituar populli palestinez. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha zëvendëspresidenti, do të vënë në dispozicion mjetet e duhura për ndërtimin e infrastrukturës.

Presidenti i palestinezëve, Abbas, pat kërkuar nga Cheney mbështetje për të ndaluar zgjerimin e lagjes izraelite në pjesën e pushtuar të Jordanit Perëndimor dhe aneksimin e njëanshëm të Jerusalemit Lindor. Këtë e bëri të ditur më vonë një nga këshilltarët e Abbasit, Saib Erekat.

Abbasi gjithashtu ka kërkuar që ushtria izraelite t'u japë fund vrasjeve të qëllimshme të palestinezëve që dyshohen për ekstremizëm. Për të arritur paqen, tha Abbasi në prani të Cheneyt në Ramallah, duhet vullneti, guximi dhe mbështetja e fortë e bashkësisë ndërkombëtare, e veçanërisht e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Cheney ishte takuar më parë me presidentin izraelit, Shimon Peres. Ky i fundit kishte theksuar se Izraeli nuk është i gatshëm t'i dorëzojë Damaskut zonat e Golanit, të pushtuara qysh në vitin 1967, për shkak të kontrollit iraniano-sirian ndaj Libanit. Zëvendëspresidenti amerikan më parë i kishte siguruar kryeministrit izraelit Ehud Olmert, se Amerika nuk do ta detyrojë kurrë Izraelin të bëjë hapa që vënë në rrezik sigurinë e tij.