1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Cebit: Ndërlidhja e përgjithshme

Interneti i ka fajet që panairet e kompjuterëve duken gjithnjë e më të ngjashme mes tyre. Kjo shihet edhe në panairin e kompjuterëve Cebit në Hannover, ku paraqiten risi të jashtëzakonshme.

Automjete autonome? Ato mund të shihen edhe në Panairin Ndërkombëtar të Automjeteve (IAA) në Frankfurt apo Konferencën Tech (SXSW) në Austin në Texas. Robotë, të cilët shkojnë dorë për dore me njerëzit? Gjëra të tilla shihen në Hannover. Cloud, Big Data, dhe gjëra nga Interneti - një Virtual Reality? Këto mund të shihen në Consumer Electronics Show në Las Vegas apo në Mobile World Congress në Barcelona. Po dronat? Ndërkohë ata shihen gjithandej.

Cebit në Hannover - i cili ka filluar këtë të hënë dhe është hapur nga vet kancelarja Angela Merkel dhe homologu i saj japonez Shinzo Abe  - ka një problem: trendet e reja nuk tregohen vetëm këtu por edhe në panairet e tjera të botës. Oliver Frese, kryesues i organizatorëve "Deutsche Messe AG" dhe drejtor i Cebit-it, duket se nuk shqetësohet fare për këtë punë. "Dikur digjitalizimi ka qenë diçka abstrakte", thotë Frese. "Në këtë Cebit ai mund të shihet konkretisht, sepse ndërkohë ka shumë lojëra me të cilat aplikohet."

Të gjitha janë të ndërlidhura

3000 sipërmarrje nga 70 vende do të prezantojnë deri me 24.03.2017 prodhimet e tyre. Ky është nivel i njëjtë si vitin e kaluar. Frese llogarit se këtë vit do të ketë rreth 200.000 vizitorë. Fokusi i panairit është digjitalizimi tek sipërmarrjet e mëdha dhe përdorimi i digjitalizimit nga shtresa e mesme. Pra aplikacionet për konsumatorët e rëndomtë ende janë larg. Tani më është e qartë që të gjitha të dhënat do të mblidhen në të ardhmen në një Cloud. Në Cebit paraqiten studime sipas së cilave ndërkohë janë ndërlidhur mes vete më shumë se 50 miliardë kompjuterë në botë - prej telefonëve Smartphone e deri tek makinat autonome me sensorë.

Lëvizja e invalidëve

Në Cebit paraqiten risi për punët e zejtarëve por edhe lëvizjen e invalidëve. Ekso Bionics prodhon të ashtuquajturat "skelete Exo". Ato janë struktura të ngjashme me robotë, të cilat mbështesin trupin e njeriut. Me ndihmën e tyre, Sebastian Erhardt, i cili nuk mund të lëvizë këmbët pas një fatkeqësie në trafik, sërish mund të ecë. Skeletët aktualisht mund të futen në përdorim vetëm në klinika dhe kushtojnë 120.000 euro.

Salesforce, një prodhues amerikan që ofron Cloud-Computing, ka dizajnuar aplikacione të cilat mund të përdoren ndërkohë edhe nga prodhuesit e kamionëve MAN. Klientët mund ta dijnë në çdo moment se ku është kamioni dhe kur do të vijë malli i porositur. Ndërsa drejtorët mund ta dinë se ku janë kamionët e tyre të nisur në rrugë. Edhe për shoferin ka informacione që kursejnë para. Sistemi analizon stilin e vozitjes dhe shpenzimet e karburanteve dhe i tregon shoferit se si mund të kursejë gjatë vozitjes. Shumë shoferë që kursejnë shpërblehen me para, thotë një bashkëpunëtor i Salesforce.

Rreziku i humbjes së vendit të punës

Por shtohet pyetja sa gjatë do të ketë nevojë për një shofer? Në Cebit shihen autobusë të vegjël që shëtisin në mënyrë autonome, pa shoferë. Ata i njohin pengesat në rrugë dhe i evitojnë ato. Disa prej tyre tani më përdoren edhe në Zvicër. Lëvizja autonome e makinave është një temë serioze edhe në bujqësi, ku hapat e parë ka bërë koncerni japonez Magellan Systems. Ndërsa Chiphers demonstron se si bëhen riparimet në plaftormat e vajit në deti me ndihmën e dronave. Thuhet se kostoja e riparimeve do të përgjysmohet. Kur flitet për digjitalizim in në Gjermani, me dëshirë flitet për "Industri 4.0"  - një nocion për të arriturat e fundit në botën digjitale. Vendi partner këtë vit në Cebit është Japonia, e cila prezanton robotë në disa fusha - madje edhe në përkujdesjen ndaj të moshuarve dhe të sëmurëve. Motoja japoneze këtë vit është programi : "Shoqëria 5.0".

Nga numri i përgjithëshëm, çdo sipërmarrje e katërt më e zhvilluar High-Tech vjen nga Japonia, kumtoi Bitkom. Edhe këtu bëhet fjalë për vendet e punës. "Nëse Gjermania nuk ia del të marrë rolin kryesor në këtë segment, atëherë do të kemi problem me mirëqenien", thotë presidenti i Bitkom, Thorsten Dirks. "Ndryshe tek ne nuk do të ketë vende të mjaftueshme pune, sepse ato do të zvoglohen për shkak të digjitalizimit. Ky është një skenar të cilin nuk dua ta paramendoj."

Nga pikëpamja gjermane, Japonia nuk është vetëm vend partner në Cebit, por edhe një konkurrente. Kancelarja gjermane Merkel theksoi në fjalën hyrëse edhe elementet e përbashkëta. "Kur shikoj se si po grindemi për tregtinë e lirë (këtu i drejtohet presidentit të ri amerikan Donald Trump), atëherë më vjen shumë mirë që me kryeministrin japonez (Shinzo Abe) nuk kemi probleme të këtilla", thotë Merkel.