1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

CDU miraton marrëveshjen e koalicionit

Pengesa e parë u kalua. Në një kongres të vogël të partisë në Berlin, CDU-ja e miratoi marrëveshjen e koalicionit me SPD. "Negociuam gjatë. Tani më në fund duhet të punojmë", tha kryetarja e CDU-së, Merkel.

Me shumicë të madhe votash e miratuan të 180 delegatët e komisionit federal të CDU-së marrëveshjen e koalicionit me SPD. Vetëm dy delegatë abstenuan. Vota kundër nuk pati. Më parë qe zhvilluar një diskutim i gjallë, në të cilin u shprehën edhe kritika për tekstin e marrëveshjes.

Në çelje të kongresit të vogël të partisë, kancelarja Angela Merkel bëri thirrje në fjalën e saj që të marrëveshja e koalicionit të mbështetet. Negociatat nuk kanë qenë të thjeshta. Por kompromiset që u gjetën janë të qendrueshme, tha ajo. "Kompromiset i kemi peshuar me kujdes. Duke u thënë jo disa gjërave, thamë po për disa të tjera".

Pensionet, paga minimale dhe shëndetësia

"Jo" unionistët thanë për shembull për ngritjen e taksave. Ekzistonte droja që rëndimi me taksa, siç dëshirohej nga socialdemokratët, do të çonte në pakësimin e vendeve të punës. Nga ana tjetër, u plotësua dëshira e socialdemokratëve në çështjen e pensioneve. Kështu, marrëveshja e koalicionit parashikon që punëmarrësit, të cilët kanë paguar për 45 vjet kontribute në arkën e pensioneve, të mund të dalin që 63 vjeç në pension dhe pensionin ta marrin të plotë.

Edhe përsa i përket pagës minimale, u plotësuan dëshirat e socialdemokratëve. Një pagë minimale e garantuar me ligj, në shumën 8,50 euro për orë pune do të hyjë që prej vitit 2015. Megjithatë parashikohet një periudhë tranzitore prej tre vjetësh, për t'u dhënë mundësi partnerëve të kontratave të punës që të negociojnë dyshemetë e pagave. "Kjo mua nuk më duket kërkesë e papranueshme", tha Merkeli dhe shtoi: "Kursantët dhe praktikantët nuk preken nga ky rregull".

Përsa i përket shëndetësisë dhe përkujdesjes, u ra dakord për marrëveshje të arsyeshme. Kështu, pjesa e punëdhënësit në sigurimin ligjor shëndetësor mbetet e pandryshuar, konkurenca midis instituteve të sigurimit shëndetësor ruhet dhe nuk do të ketë sigurime publike të përgjithshme.

Kritikë brenda partisë

Ditët e fundit janë para së gjithash ekspertë për çështjet ekonomike të CDU-së dhe deputetë të rinj unionistë që e kanë marrë fjalën. Ata kritikojnë që marrëveshja e koalicionit dhe e rëndon shumë ekonominë dhe brezin e ri. Kështu, pensioni për nënat që i kanë lindur fëmijët para vitit 1992 vete në kurriz të brezave të ardhshëm. Kryetari i Këshillit Ekonomik të CDU-së, Kurt Lauk tha: "Natyrisht që ka një boshllëk në drejtësi, një përpara dhe një prapa. Ne duhet të vendosim për të ardhmen."

Merkeli e hodhi poshtë këtë kritikë. CDU-ja e ka trajtuar këtë temë herë pas here në kongrese ku vendosi që t'i trajtojë më mirë nënat e vjetra.

CDU 2017

Në fundjavë, 54 politikanë të rinj të CDU-së u shprehën për më shumë drejtësi për brezat. Ata u bashkuan me inisiativën "CDU 2017". Në një manifest të publikuar në internet ata bëjnë thirrje për vlera konservatore, për më shumë drejtësi midis brezave dhe për t'u hapur ndaj partisë Të Gjelbrit.