1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Cameron përpiqet të zbusë kundërshtarët e BE-së

Për të zbutur kundërshtarët e Evropës në Britaninë e Madhe, kryeministri Cameron ka prezantuar një projektligj për një referendum për BE-në. Ai parashikon mbajtjen e një referendumi në 2017, nëse Cameron fiton zgjedhjet.

Me propozimin për një ligj për referendum, kryeministri britanik David Cameron i ka dalë përpara një revolte, që kërcënonte të shpërthente në radhet e kundërshtarëve të BE-së, në partinë e tij konservatore. Krahu kritik ndaj BE-së në parti kishte kërcënuar me një votim luftarak në dhomën e ulët të parlamentit, për të detyruar kalimin e një ligji për një referendum për qendrimin, ose daljen e Britanisë së Madhe nga BE.

Në fjalimin e tij parimor për politikën evropiane janarin e kaluar, Cameron kishte njoftuar se në vitin 2017 do të mbahej një referendum, nëse negociatat për reforma në BE deri atëherë nuk do të kishin pasur sukses.

Megjithatë javën e kaluar, në të ashtuquajturin "Fjalimi i Mbretëreshës", me të cilin Mbretëresha Elizabeta e II. paraqet tradicionalisht në parlament planet e qeverisë, ligji për referendumin nuk u përmend. Kjo e zemëroi krahun e djathtë të Partisë Konservatore. Rruga e zgjedhur tani nga Cameron për të sheshuar polemikën brenda partisë është e komplikuar: konservatorët nuk kanë shumicë në dhomën e ulët, por qeverisin me një koalicion me liberaldemokratët, të cilët kanë qendrim miqësor ndaj Evropës. Për këtë arsye projektligji për referendumin nuk do të paraqitet nga qeveria, por nga deputetë të veçantë në formën e një "private members bill". "Nëse konservatorët do të qeverisnin të vetëm, thjesht do të kishim hartuar një ligj. Por këtë nuk mund ta bëjmë, sepse jemi në një koalicion", tha Cameron për kanalin "Channel 5 News", gjatë vizitës së tij në SHBA.

Debati në dhomën e ulët

Por projektligji i Downing Street, që përmban gjithsej gjashtë pika, nuk i kënaq rreth 100 "rebelët" në Partinë Konservatore. Gjithashtu e pasigurt është nëse liberaldemokratët do të votojnë për "arsye shtetërore" me konservatorët. Për këtë arsye pritet me shumë interes debati i planifikuar për këtë të mërkurë (15.5.) në dhomën e ulët.

Në disa pjesë të opinionit publik në Britaninë e Madhe BE shihet me skepticizëm. Komisioni i BE-së në Bruksel konsiderohet si monstër burokratike, që ndërhyn gjithnjë e më shumë në çështjet kombëtare. Sipas mendimit të shumë vëzhguesve, polemika në radhët e konservatorëve ka si shkak edhe fitoret e fundit në zgjedhje të partisë me orientim të djathtë UKIP, e cila shënon pikë tek zgjedhësit me teza armiqësore ndaj të huajve dhe Evropës. Sipas sondazheve aktualisht shumica e qytetarëve britanikë përkrahin daljen e Britanisë nga BE-ja.

Presidenti amerikan Barack Obama, gjatë takimit të hënën (13.5.) në Shtëpinë e Bardhë, i dha si këshillë Cameronit të ndreqë marrdhëniet mes Britanisë dhe BE-së. Përpara se të arrihet tek ndarja, duhet parë, nëse mund të riparohet ajo, që është dëmtuar në këtë "marrëdhënie shumë të rëndësishme", tha Obama.