1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Cameron kërkon futjen e kuotave për punëtorët nga vendet e tjera të BE

Punëtorët brenda BE-së duhet të lëvizin të lirë dhe të kenë të drejtën të punojnë në secilin vend. Kryeministri britanik David Cameron kërkon futjen e kuotave të caktuara.

Kryeministri britanik David Cameron i ka dhënë një shtytje të re debatit, që po zhvillohet në Gjermani dhe në Britani të Madhe. Cameron do që në vendin e tij të përcaktojë kuota për numrin e migrantëve nga vendet e tjera të BE, që mund të futen në Britani dhe të kërkojnë punë.

Ministria e Brendshme britanike është e mendimit se numri më i madh i punëtorëve, që mund të vijnë në Britani brenda një viti, duhet të jetë 75 000. Por kjo shifër duhet të vlejë vetëm për anëtaret e ardhshme të BE, sqaroi Cameron, në një intervistë për rrjetin BBC. "Ne jemi duke negocioar sërish pozicionet tona në Evropë dhe duam që të futen rregulla të reja më të rrepta për ardhjen e migrantëve", tha ai. Kuota nuk ka të bëjë me bullgarët dhe rumunët, të cilët prej 1 janarit kanë të drejtë që pa kufizime të kërkojnë vende pune në të gjitha vendet anëtare të BE.

Ndryshimi i Marrëveshjes së BE

Komisioni i BE ka reaguar i përmbajtur. Së pari duhet shikuar se çfarë po kërkon saktö Cameroni, tha zëdhënësi i Komisionit, Jonathan Todd në Bruksel. "Liria e lëvizijes së punëmarrësve është një prej bazave të BE. Kjo vlen që prej themelimit të tij në vitet 50-të. Kjo është edhe baza e tregut të përbashkët në BE", tha ai.

Kryeministri britanik Cameron: Ardhja tepër e madhe dhe tepër e shpejtë

Kryeministri britanik Cameron: Ardhja tepër e madhe dhe tepër e shpejtë

Çdo kufizim i mundësisë së punësimit në vendet sipas dëshirës duhet të bëhet vetëm me ndryshimin e Marrëveshjeve të BE, të ratifikuara nga të gjitha vendet, shpjegon zëdhënësi.

Kryeministri britanik Cameron u shpreh i sigurt se deri në anëtarësimin e ndonjë vendi të ri mund të ndryshohen rregullat.

Komisioni: S'ka nevojë për rregulla të reja

Komisioni i BE nënvizoi se në tetor është bërë publik një studim, ku shihet qartë, se vendet si Britania e Madhe, apo Gjermania kanë pörfituar nga zgjerimi i BE në vitin 2004, sepse nga vendet e reja kanë ardhur shumë ekspertë të domosdoshëm. Për mbingarkesën e sistemeve sociale të këtyre vendeve nuk mund të bëhet fjalë.

Kryeminsitri Cameron mendon ndryshe. Ai do që t'i shkurtojë shtesat për fëmijë për të ardhurit nga vendet e tjera dhe të kufizojë shërbimet shëndetësore pa pagesë. Imigrantët po e ngarkojnë tepër shoqërinë britanike, pohon Cameron. "Në vitet e qeverisë laburiste në vendin tonë kanë ardhur rreth 2,3 milionë të huaj. Këto janë dy qytete të mëdha, në madhësi si Birminghami. Ardhja ka qenë tepër e madhe dhe tepër shpejt."

Komisioni i BE në Bruksel nuk e konteston faktin që në disa rajone ka pasur probleme dhe kanë ardhur tepër të huaj të varfër nga vendet e BE. Ngarkesa të mëdha ka pasur për shembull në qytetet gjermane Duizburg, Dortmund, apo Berlin. Zëdhënësi i Komisionit Todd ka kërkuar nga vendet anëtare që të zgjidhen këto probleme, por që të mos kufizohet liria e lëvizjes së punëtorëve në përgjithësi.

Komisioni i BE në Bruksel

Komisioni i BE në Bruksel

Ligjet e reja, apo ashpërsimi i rregullave nuk janë të domosdoshme. "Rregullat janë përcaktuar dhe janë konfirmuar në vitin 2008. Vendet anëtare kanë mundësi që t'i largojnë qytetarët e vendeve të tjera, në qoftë se brenda tre muajve nuk gjejnë ndonjë punë dhe nuk mund të financohen nga puna e tyre.

Kërkesat e partisë konservatore në koalicionin qeveritar në Gjermani CSU, që qytetarëve të larguar nga vendi për shkak të keqpërdorimit të sistemeve sociale të mos u lejohet futja e sërishme në këtë vend, mund të zbatohen edhe sot, thuhet në shpjegimin e Komisionit të BE.

Sisteme gjerman social ëshë një rast i veçant

Disa vende anëtare si Gjermania u garantojnë imigrantëve ndihma sociale, si shtesat për fëmijë, të cilat nuk parashikohen me ligjet për lirinë e lëvizjes së punëtorëve. Disa gjykata në Gjermani u kanë mundësuar imigrantëve edhe ndihma sociale për jetë, si për shembull me programin Hartz 4. Me kërkesë të Gjykatës Sociale Federale të Gjermanisë në Luksemburg do të vendosë Gjykata Evropiane, nëse këto rregulla janë në harmoni me të drejtën e BE.

Për shkak të tezës: "Kush mashton, ai fluturon nga vendi", Partia Kristiansociale CSU ka përjetuar kritika edhe nga partia tjetër në koalicion, Partia Socialdemokrate SPD. Nënkryetari i SPD Ralf Stegner tha se këto janë vetëm parulla nxitëse. Të mërkurën Qeveria gjermane do t'i rishikojë pohimet për keqpërdorimet në sistemet sociale gjermane prej të ardhurve nga vendet e tjera të BE. Komisioni i BE nuk ka të dhëna se prej hapjes së kufijve edhe për punëtorët nga Rumania dhe Bullgaria është shtuar numri i punëtorëve nga këto vende, që kërkojnë punë në vendet e tjera anëtare.

Kryeministri britanik nuk mundi të përgjigjet në intervistën për BBC lidhur me numrat konkretö. "Nuk dua të jap vlerësime, se sa mund të vijnë, sepse këto të vlerësime mund të dëshmohen si tepër të larta, apo tepër të ulëta." Ndërsa pyetjes, si e vlerëson ai gjithë problematikën, pa pasur të dhëna konkrete, kryeministri Cameron nuk iu përgjigj fare.