1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Cameron jashtë loje

Udhëheqësit e BE përcaktuan Jean-Claude Juncker si kandidat për presidencën e Komisionit.

Kryeministrit britanik David Cameron i pëlqen të luajë rolin e luftëtarit të vetmuar. "Unë e di se çdo gjë është kundër meje. Por për këtë njeriu nuk ndryshon e mendjen e vet," tha ai me kokëfortësi. Disa javë më parë dukej sikur ai me ndihmën suedeze, holandeze dhe ndoshta dhe mbështetjen gjermane mund ta shmangte Zhan-Klod Junkerin, si President të Komisionit. Por kancelarja gjermane Angela Merkel pas një hezitimi fillestar e mbështeti Junkerin, kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt dhe kryeministri holandez, Mark Rutte u përkulën, dhe në fund i vetmi aleat i hapur mbeti vetëm kryeministri hungarez Viktor Orban.

Cameroni duket se ia merr për të keq Merkelit, Reinfeldtit dhe Ruttes që e lanë në baltë. Në Evropë është e rëndësishme "që njerëzit të njëjtat gjëra që thonë privatisht, t'i thonë dhe publikisht" - tha David Cameron. Votimi i hapur ishte një risi në BE - dhe demonstrim i mospajtimit. Deri tani, stafi i lartë është emëruar gjithmonë me konsensus; ka pasur mosmarrëveshje por ato janë sqaruar paraprakisht. Cameron mendon se Juncker është personi i gabuar për këtë post, sepse Juncker është angazhuar gjithmonë për forcimin e Brukselit dhe dobësimin e pushtetit të shteteve anëtare, gjë që Britanisë së Madhe nuk i pëlqen.

Reformat strategjike

Kancelari austriak Werner Faymann mendon se votimi i hapur nuk është dhe aq i keq: "Në një demokraci duhet të jetë e mundur, që nëse nuk njerëzit kanë mendime të ndryshme, t'i diskutojë ato në një marrëdhënie të mirë dhe në një diskutim serioz." Ai mendon se Cameroni e ka vetë fajin për izolimin e tij.

Pasojat e këtij konfrontimi nuk janë ende të parashikueshme. Disa besojnë se tani Cameroni do të konsiderohet nga bashkatdhetarët e tij si humbës, dhe se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja po bëhet tani më e mundëshme. Por Cameroni nuk dëshiron të heq dorë nga reformimi i BE-së, në mënyrë që vendi i tij të mund të vazhdojë të mbetet anëtar i një BE-je të reformuar: "Do të jetë një, betejë e gjatë e vështirë dhe ndonjëherë duhet të jesh i gatshëm për të humbur një betejë por për të fituar një luftë." - tha Cameroni.

Nevoja për një drejtim të ri

Të paktën sa u përket dëshirave të tij për reforma Cameroni ka në anën e tij kancelaren. Merkel tha se ajo ishte e kënaqur që samiti i BE-së formuloi një "agjendë strategjike": "Është mjaft e qartë se ne kemi nevojë për një drejtim të ri, i cili fokusohet tek stabiliteti i financave, rritja ekonomike, punësimi, risitë, apo reduktimi i burokracisë." Kjo shitet si një lloj direktive sipas së cilës duhet të punojnë presidenti i ri i Komisionit - një koncesion për britanikët. Në fakt, thotë suedezi Fredrik Reinfeldt, "programi është më i rëndësishëm se njerëzit e zgjedhur."

Kursin e Cameronit për kursime, reformave, shtimin e aftësisë konkurruese dhe tregtinë e lirë e mbështesin vendet veriore të BE-së. Kurse jugu punon kundër këtyre ideve. Italiani Matteo Renzi dhe presidenti francez François Hollande po punojnë me forcë për ta zbutur politikën evropiane të konsolidimit.

Pra samiti përfundoi vërtet në plan të parë me konfrontimin e Cameronit me BE-në. Por edhe pas këtij konfrontimi po bëhen sërish të qarta linja të tjera konflikti. Dhe ato duken më tepër si Veriu kundër Jugut. E pra asgjë e re në këtë drejtim.