1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Buxheti 2014 në Maqedoni pritet me kritika

Projektbuxheti për vitin 2014 në Maqedoni, nga partitë në pushtet u vlerësua si zhvillimor dhe real. Ndërksa për opozitën ai është jopremtues dhe vendnumëro për zhvillimin ekonomik.

Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë gjenden para etheve të miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm. Rritja e ekonomisë, investimet kapitale, hapja e vendeve të reja të punës dhe rritja e rrogave dhe pensioneve janë disa nga parashikimet e buxhetit të ardhshëm. Buxheti me një vëllim prej 2, 87 miliardë euro, parasheh rritje ekonomike me 3.2% dhe inflacion 3.3%. Sipas ministrit të financave, Zoran Stavrevski, karakteristika kryesore e këtij buxheti është rritja e konsiderueshme me 20% e investimeve kapitale.

Projektbuxheti në shënjestër të opozitës

Opozita maqedonase dhe shqiptare ka propozuar rreth 700 amendamente për përmirësimin e buxhetit në të mirë të qytetarëve, ata do të përdorin të gjitha mekanizmat për të parandaluar varfërimin e mëtejshëm të qytetarëve.

“Si do të zhvillohet shteti me investime në teatro, ndërtesa administrative, ku parashihen shuma të konsiderueshme nga buxheti, ndërsa për zhvillimin e energjetikës ndahen mjete minimale financiare”, thotë deputeti i socialdemokratëve Marjanço Nikollov.

Deputetja nga radhët e opozitës, Vesna Bendevska, thotë se projektbuxheti i vitit të ardhshëm, para së gjithash planifikon investime për qytetin e Shkupit, ndërsa komunat të cilat udhëhiqen nga kryetar të opozitës anashkalohen.

“Në buxhet nuk parashikohet mbështetje të asnjë projekti për Kërçovën, Strumicën apo Ohrin. Përpiluesit e buxhetit udhëhiqen nga idetë politike dhe jo nga logjika ekonomike e zhvillimit të vendit”, thekson Bendevska.

Përfitimi i zonave shqiptare nga buxheti

Projektbuxheti kritikohet edhe nga opozita shqiptare e cila e quan atë ”buxhet antishqiptar”, pasi sipas saj në të nuk janë paraparë fonde për zhvillimin e zonave të banuara me shqiptarë.

“Me këtë buxhet vazhdohet me mentalitetin se pronar në këtë shtet janë maqedonasit dhe se ne jemi shërbëtorë të tyre. Buxhetin por edhe çështjet e tjera, Maqedonia duhet t'i miratojë në bazë të parimit të konsensusit etnik”, shprehet kryetari i partis opozitare PDSH, Menduh Thaçi.

Nga partia shqiptare në pushtet BDI thonë se buxheti është miratuar me konsensus në qeveri, andaj ata nuk kanë dorëzuar amendamente.

“Kërçova dhe Struga dominojnë në projektbuxhetin për vitin 2014 por nuk mungojnë edhe zonat e tjera shqiptare. Mjete janë paraparë për projekte të ndryshme në Zajaz, Likovë e Tetovë. Nuk është anashkaluar asnjë institucion shqiptar nga buxheti i vitit të ardhshëm “, shprehet koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Nexhati Jakupi.

Ndarje e barabartë në buxhet?

Vitin e kaluar, miratimi i buxhetit në Parlament, rezultoi me një incident të rëndë politik

Vitin e kaluar, miratimi i buxhetit në Parlament, rezultoi me një incident të rëndë politik

Projektbuxheti për vitin e ardhshëm është më tepër optimist sesa real, vlerëson eksperti ekonomik, Abdylmenaf Bexheti. Sipas tij, shqiptarët duhet të luftojnë për ndarje të barabartë të luxhetit e jo të sillen si lypës.

“Deri sa shqiptarët nuk marrin pjesë në vendimmarrjen e buxhetit, ne nuk mund të marrim hise. Nga buxheti nuk mund të marrësh në formën e lypësit, hisja merret, nuk falet. Ne ende nuk jemi në pozitë që të kushtëzojmë miratimin e këtij dokumenti”, thotë profesori universitar Abdylmenaf Bexheti.

Ndikim i politikës në buxhet

Eksperti për çështje ekonomike Vanço Uzunov vlerëson se projektbuxheti është mbështetur më shumë në premisa politike se sa në ato ekonomike. Pritjet e Qeverisë për rritje ekonomike prej 3.2% janë premtime që dëgjohen prej shtatë vitesh në Maqedoni, por në vend të realizimit të kësaj rritjeje, vendi vazhdon të zhytet në varfëri dhe krizë të thellë, thotë Uzunov.

“Për shtatë vjet, opozita dhe ekspertët apelojnë se investimet në përmendore dhe objekte të tjera administrative janë të panevojshme dhe veprim jo i mirë. Tani,Qeveria ka vendosur të investojë në infrastrukturë, në rritjen e pagave dhe pensioneve. Është mëse e qartë se këto premtime janë parazgjedhore, meqë viti i ardhshëm është vit zgjedhor “, shprehet Uzunov.

Mendimi i afaristëve për buxhetin anashkalohet

Kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore Menderes Kuçi si pjesëmarrës në një debat për projektbuxhetin ka thënë se deri më tani buxheti është trajtuar vetëm si kategori politike, duke anashkaluar shpesh ata që e mbushin buxhetin.

“Buxheti të mos jetë i partive politike por bazë për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik pa i dhënë konotacion etnik edhe pse buxheti në mënyrë të barabartë duhet të jetë në disponim të të gjithëve”, shprehet Menderes Kuçi.

Projektbuxheti për vitin e ardhshëm po shqyrtohet në komisione parlamentare. Numri i madh i amendamenteve të propozuara nga opozita ka shtyrë hyrjen e tij në seancë parlamentare. Vitin e kaluar, miratimi i buxhetit në Parlament, rezultoi me një incident të rëndë politik pasi opozita maqedonase me forcë u largua nga seanca.