1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Buxhet i reduktuar- Qeveria greke vazhdon kursin e rreptë të kursimit

Financat e Greqisë do të jenë edhe më tej nën mbikqyrjen e vëmendshme të autoriteteve ndërkombëtare. Qeveria vazhdon përpjekjet e konsolidimi të buxhetit. Ndërkohë projektbuxheti aktual përmban shkurtime mjaft drastike.

default

Parlamenti grek

Të gjithë grekët, të cilët deri tani kishin menduar se situata nuk mund të bëhet më e keqe, mbetën jo pak të habitur të enjten (18.11.). Qeveria i paraqiti parlamentit projektbuxhetin me shkurtimet më të forta në historinë e re të vendit. Rreth mesditës ministri grek i Financave Jorgos Papakonstantinu i dorëzoi presidentit të parlamentit Filipos Petsalnikos një çelës USB: në të ndodhej versioni digjital i projektbuxhetit 2011. "Ky çelës USB, siç po shoh zoti ministër, është dukshëm më i vogël se sa projektbuxheti i paraqitur në letër vitin e kaluar. Ndoshta pasi deficiti buxhetor në 2011 do të jetë më i vogël se në 2010."

Greqia duhet të kursejë më shumë se 6 miliardë euro!

Pas shikimit të parë të dokumenteve në çelësin USB Filipos Petsalnikos duhet t'i ketë ikur plotësisht dëshira për shaka. Pasi projektbuxheti për vitin e ardhshëm parashikon kursime shtesë prej 6,3 miliardë eurosh. Kjo shumë është jo vetëm më e madhe nga sa ishte planifikuar disa javë më parë, por edhe më e lartë nga shifra që diskutohej deri të enjten paradite. Mediet greke kishin folur për kursime deri në 4 miliardë euro. Tani Greqia duhet të kursejë më shumë se 6 miliardë euro, përveç masave kursyese në zbatim e sipër, apo të miratuara deri tani.

Ministri grek i Financave George Papaconstantinou duke folur në Athinë

Ministri grek i Financave George Papaconstantinou duke folur në Athinë

Shkurtime të reja do të ketë në sektorin shëndetësor të vendit, deri në 2,1 miliardë euro. Veç kësaj planifikohet një ndryshim në rregullat për taksën mbi vlerën e shtuar. Kjo do të thotë që disa mallra, ndër to edhe shumë produkte ushqimore, do të kenë një taksë më të lartë mbi vlerën e shtuar dhe pra do të bëhen më të shtrenjta. Edhe taksat mbi cigaret dhe vajin për ngrohje do të rriten. Ministrit grek të Mbrojtjes do t'i duhet të kursejë një gjysmë miliardi euro.

Buxheti i ri përmbush kërkesat ndërkombëtare

Për të tërhequr nga njëra anë në vend paratë e zeza dhe nga ana tjetër për të forcuar sektorin e ndërtimit, qeveria greke pati këtë ide: të gjithë grekët, të cilët duan të ndërtojnë një shtëpi të re apo të blejnë një banesë të re, nuk do të jenë më të detyruar të tregojnë burimet e parave. Ky rregull do të vlejë për të gjithë ata, që deri tani nuk zotërojnë pasuri të patundshme. Qeveria shpreson që në këtë mënyrë të tërheqë në vend paratë e padeklaruara tek fisku, të depozituara jashtë vendit.

Flamuri i BE-së, ai i Bankës Botërore dhe ai grek

Flamuri i BE-së, ai i Bankës Botërore dhe ai grek

Pas dorëzimit të projektbuxhetit ministri i Financave Jorgos Papakonstantinu doli para shtypit me plot vetëbesim: "Ky buxhet, e përsëris, kontribuon në përmbyshjen e gjithë detyrimeve që kemi në plan ndërkombëtar. E them shprehimisht: të të gjitha detyrimeve, në aspektin cilësor dhe sasior. Të gjitha këto bëhen që të kemi mundësi edhe më tej të mbështetemi tek kredia prej 110 miliardë eurosh. "

Projektbuxheti i paraqitur nga qeveria greke është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me kontrollorët e FMN-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe BE-së. Miratimi i projektbuxhetit nga parlamenti më 22 dhjetor konsiderohet i sigurtë. Kryeministri grek Jorgos Papandreu me partinë e tij socialdemokrate PASOK gëzon një shumicë komode në parlamentin grek.

Autor: Steffen Wurzel/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 19.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QDNt
  • Data 19.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QDNt