1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bushati: Procesi i Berlinit po strukturohet përmes instrumenteve konkrete

Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, sinjal i qartë që Shqipëria dëshiron një kapitull të ri në marrëdhëniet me Serbinë. Politika duhet të ndërmarrë veprime kurajoze e të shohë përpara, thotë Bushati për DW.

DW: Zoti Bushati, takimi i ministrave të jashtëm të Ballkanit në Berlin, i organizuar nga Aspen Institute, zhvillohet shumë pranë në kohë me samitin e Ballkanit Perëndimor të 28 gushtit në Berlin. Cili është shkasi për këtë takim?

Ditmir Bushati: Këtë vit tematika ka të bëjë me qeverisjen ekonomike dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor për afrim të mëtejshëm me BE. Jemi në një kontekst të ri, disa muaj pas konferencës së Berlinit apo asaj, që tashmë njihet si procesi i Berlinit, ku u përcaktuan disa objektiva politikë për atë se çfarë mund të jetë marrëdhënia e BE dhe Ballkanit në katër vitet e ardhshme. Ne jemi në kushtet, kur është strukturuar një proces më i strukturuar i bashkëpunimit mes vendeve të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos përsa i përket ndërlidhshmërisë së rajonit, sepse rajoni është ende jo fort i ndërlidhur mes vetes me rrjetet kryesore evropiane. Njëkohësisht jemi në kushtet, kur strategjia e zgjerimit ka përcaktuar për herë të parë një shtyllë, siç është qeverisja ekonomike, si një kriter që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë për të përshtatur politikat e tyre ekonomike gradualisht me ato të BE.

Cilin kontribut sjell Shqipëria këtë herë në Berlin lidhur me qeverisjen ekonomike?

Kur flasim për kontribute për qeverisjen ekonomike do të ketë një proces të mirëkoordinuar me Komisionin Evropian, përsa i përket përgatitjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë në raport me politikën e simestreve ekonomikë evropianë. Në fillim të vitit tjetër të gjitha vendet e rajonit do të duhet të paraqesin programet e tyre të qeverisjes ekonomike. Do të konsiderohet si një vit pilot, pra do të jetë rasti i parë, kur do të testohen kapacitetet dhe performanca ekonomike të secilit prej vendeve të rajonit. Ky është një ushtrim mjaft i vështirë, por nga ana tjetër është i vlefshëm, sepse do t'u krijojë mundësi vendeve tona që në një fazë të hershme të fillojnë të mendojnë e të rregullojnë politikat e tyre ekonomike.

Kur do ta quanit konferencën e sotme të Berlinit rezultative?

Ne jemi të gëzuar që procesi i Berlinit po fillon të strukturohet përmes iniciativave konkrete, instrumenteve konkrete. Këto nuk janë shumë lehtë të vihen në lëvizje, kur vetë BE ka sfida të brendshme, kur vetë Evropa përballet me rreziqe, që vijnë nga Lindja dhe nga Jugu i saj. Është e rëndësishme që procesi i zgjerimit të vazhdojë, sikundër BE e ka kuptuar që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë deficienca, ato nuk kanë atë stad zhvillimi, që kishin vendet e Vishegradit, kur synuan anëtarësimin në BE. Kjo sepse vendet e BP përballen ende me çështje ekzistenciale, të lidhura me njohjet, të lidhura me kufirin, të lidhura me reformat në shtetin e së drejtës. Të gjitha programet, që u lancuan fillimisht në konferencën e Berlinit, mishërohen edhe në strategjinë e re të zgjerimit të BE. Qeverisja ekonomike dhe ndërlidhshmëria e rajonit duket që janë dy produkte të drejtpërdrejta të kësaj nisme.

Ditmir Bushati dhe Frank-Walter Steinmeier në Berlin, 8.4.2014

Ditmir Bushati dhe Frank-Walter Steinmeier në Berlin, 8.4.2014

Zoti Bushati, aktualisht kemi tensione në arrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Si do t'i karakterizonit marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë para vizitës në datën 10 nëntor të kryeministrit Rama në Beograd?

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk kanë qenë të lehta edhe në të shkuarën, për një sërë rrethanash dhe faktorësh. Por natyrisht ngjarjet para, gjatë dhe pas ndeshjes t futbollit mes ekipit tonë kombëtar dhe atij serb nuk sollën erë të ngrohtë në marrëdhëniet mes vendeve tona.

Vizita e planifikuar në Beograd e kryeministrit Rama është një sinjal i qartë i vullnetit politik,që ka Shqipëria për të hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve me Serbinë, si me të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Kur flas për një kapitull të ri në marrëdhëniet me Serbinë,kam parasysh edhe faktin që ekzistojnë diferenca mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat ne do të dëshironim të zvogëloheshin me kalimin e kohës.

Këto janë diferenca,si përsa u përket raporteve dypalëshe, ashtu për përkatësinë, kur vjen puna për orientimin atlantik të Shqipërisë dhe të Serbisë.

Por në fund të fundit nuk duhet harruar që Tirana dhe Beogradi duket që kanë një peshë specifike për stabilitetin demokratik në rajon.Nuk mund të mohohet fakti që të dyja vendet tona janë vende kandidate për në BE dhe është shprehur pa ekuivoke dëshira për të ecur drejt BE, mes inicativave dhe projekteve konkrete, që do t'u sillnin përfitim qytetarëve të të dyja vendeve tona.

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd kryhet në situatën pas ndeshjes, kur shpërthyen emocionet dhe u acarua situata. Në këto kushte, kjo vizitë pas 70 vjetësh në Beograd e një kryeministri të Shqipërisë, kur o të quhej e suksesshme për Shqipërinë?

Besoj se gjatë gjithë kësaj periudhe ne kemi demonstruar që sporti, politika dhe huliganizmi janë çështje të ndara. Huliganizmi dhe elementë të tjerë,që mund të shoqërojnë një aktivitet të tillë,në mënyrë fatkeqe nuk duhet të jenë mbizotërues në marrëdhëniet ndërshtetërore. Në këtë drejtim është politika ajo, ë duhet të ndërmarrë veprime kurajoze dhe të shohë përpara. Vizita e kryeministrit Rama në Beograd është sinjal i qartë që Shqipëria dëshiron të hapë një kapitull të ri.

Nga ana tjetër besoj se duhet ta shohim këtë hap në mënyrë realiste. Nuk do të jetë një proces i lehtë. Kemi mbrapa një histori. Edhe ngjarjet në stadiumin Partizani të Beogradit na vërtetuan edhe njëherë tjetër që përtej asaj,që duket në sipërfaqe, historia duket se është e vështirë për t'u lënë pas. Prandaj ka shumë rëndësi që paqja dhe stabiliteti në rajon të ushqehen përmes nismave të përbashkëta, të cilat synojnë ankorimin e vendeveë rajonit në rrjedhat evropiane.

Ne edhe me Serbinë kemi një listë marrëveshjesh, të cilat do të dëshironim t'i avanconim, do të dëshironim t'i përfundonim, si shenjë e vullnetit të mirë mes dy vendeve. Janë edhe iniciativa,që kanë të bëjnë me nxitjen e shkëmbimit mes dy vendeve tona, por edhe vendeve të tjera të rajonit, kryesisht për të rinjtë. Sot jemi më të motivuar se kurrë për t'i çuar përpara këto inicativa, në mënyrë që brezi i ri të mos jetojë me paragjykimet e së shkuarës, qofshin këta shqiptarë, serbë, po shtetas të tjerë.

Intervistën e zhvilloi në Berlin Auron Dodi.