1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bushati: Bashkëpunimi rajonal nuk mund të zëvendësojë anëtarësimin në BE

Kur ka vullnet mes Tiranës dhe Beogradit për të bashkëpunuar për çështje të bashkëpunimit rajonal është më e lehtë për të gjetur gjuhën e zgjidhjes, thotë pë DW-në ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Në Berlin u zhvillua më 31 maj 2017 një takim i ministrave të Jashtëm të Ballkanit, në të cilin morën pjesë edhe ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel dhe ai çek Lubomír Zaorálek.

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, tha se në takim u diskutua për rrugët që do të lidhin Ballkanin, projektet për rrjetet rinore sipas modelit gjermano-francez, apo njohjen e ndërsjelltë të diplomave. Po ashtu u diskutua edhe për procesin e Berlinit dhe se si ky mund të bëhet më i prekshëm për qytetarët.

Bashkëpunimi rajonal nuk mund të zëvendësojë anëtarësimin

"Bashkëpunimi rajonal i afron më tepër vendet e Ballkanit me njëri-tjetrin dhe me BE-në. Ky ka rëndësi për sigurinë e rajonit dhe të BE-së dhe është tregues i pjekurisë së mëtejshme të vendeve të rajonit. Por ky nuk mund të zëvendësojë as perspektivën evropiane dhe as procesin e anëtarësimit në BE." -theksoi Bushati.

Marrëdhëniet shqiptaro-serbe

Në fjalën e tij ministri Bushati e vuri theksin tek marrëdhëniet shqiptaro-serbe, ndërkohë që nisma e Ballkanit Perëndimor ka gjashtë shtete pjesëmarrëse. I pyetur nga DW për këtë ai  tha se "procesi është shumëpalësh por ai ka ndikuar në marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-serbe. Nga tjetër dihet pesha që kanë marrdhëniet shqiptaro-serbe për sa i përket stabilitetit demokratik në rajon. Një pjesë projektesh për të cilat do të punojmë në të ardhmen mbajnë vulën shqiptare apo serbe. Dhe kjo është arsyeja pse unë ju referova më tepër kësaj marrëdhënieje."

Bashkëpunimi Tiranë dhe Beograd energjizon bashkëpunimin rajonal

I pyetur nëse nuk druan, që një gjë e tillë mund të keqkuptohet sikur Shqipëria merr rolin lider në botën shqipfolëse, Bushati tha: "Absolutisht jo. Ky është një raport mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe nuk mund të barazohet me raportin mes shqiptarëve dhe serbëve në rajon. Kjo nuk është një gjë domosdoshmërisht e njëjtë. Por në të dy vendet tona ekzistojnë kapacitete të mëdha politike dhe njerëzore që mund t'i japin një drejtim strategjik dhe ta energjizojnë më tej për procesin e bashkëpunimit rajonal. Përvoja e këtyre viteve ka treguar mjaft qartë që kur ka vullnet mes Tiranës dhe Beogradit për të bashkëpunuar për çështje të bashkëpunimit rajonal është më e lehtë për të gjetur gjuhën e zgjidhjes dhe për të tërhequr mbështetje nga Gjermania dhe partnerët e tjerë evropianë."