1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bunkeri qeveritar në Marienthal - Pjesë nga historia e Luftës së Ftohtë

Në kohën e konfrontimeve midis lindjes dhe perëndimit ekzistonte rreziku i luftës atomike. Të dy qeveritë gjermane u përgatitën të mbroheshin prej saj. Qeveria e Bonit ngriti një tunel që tani është kthyer në Muze.

Bunkeri qeveritar Marienthal, rreth 25 kilometra në jug të Bonit.

"Bunkeri qeveritar Marienthal", rreth 25 kilometra në jug të Bonit.

Historia gjermane fshihet në një labirint të gjatë 17 kilometra, në të ashtuquajturin "Bunkeri qeveritar Marienthal", rreth 25 kilometra në jug të Bonit. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, bunkeri kishte për qëllim mbrojtjen e qeverisë prej sulmeve eventuale atomike, të Bashkimit Sovjetik. Një skenar i tillë për fat nuk u realizua, deri në fund të ndarjes në blloqe në vitin 1989. Por bunkeri i përmasave jashtëzakonisht të mëdha ishte i organizuar në mënyrë perfekte. Një pjesë e tij tani është shndërruar në muze, i cili në qershor të vitit 2009, fitoi medaljen evropiane Nostra, që jepet për trashëgiminë kulturore.

Bunkeri qeveritar Marienthal.

Rreth 900 zyra mund të pranonin mbi 3000 persona. Bunkeri kishte dhe 940 dhoma gjumi.

Atij që kërkonte mbrojtje në bunkerin qeveritar Marienthal, i është dashur të kalojë nëpër dy dyer, një hekuri dhe një betoni, të rënda nga 25 ton. Qëllimi i tyre ka qenë mbrojtja nga sulmet me armë bërthamore. „Qëllimi ishte që qeveria në Bon të mos detyrohej të dorëzohej menjëherë pas sulmit të parë eventual bërthamor, por të kishte mundësi të vepronte për të paktën 30 ditët e ardhshme...." thotë Wolfgang Müller, dikur anëtar i ministrisë së Mbrojtjes.

Për 30 ditë këtu kanë mundur të punojnë pavarësisht nga sulmet bërthamore presidenti dhe qeveria. Këtu ka një bunar uji, gjeneratorë për rrymë, filtër për pastrimin e ajrit dhe rezerva të mjaftueshme ushqimi. Rreth 110 metra në thellësi ka qenë ndërtuar një lloj qyteti me kantina për ushqim, salla operacioni dhe qendër komandimi. Kishte madje edhe një studio televizive, një shtypshkronjë dhe një sallon flokësh. Shumë dhoma ishin të dedikuara edhe për anëtarët e parlamentit. Rreth 900 zyra mund të pranonin mbi 3000 persona. Kishte dhe 940 dhoma gjumi.

Bunkeri qeveritar Marienthal.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, bunkeri qeveritar kishte për qëllim mbrojtjen e qeverisë prej sulmeve eventuale atomike të Bashkimit Sovjetik.

„Dhomat kanë qenë kryesisht me katër shtretër e disa edhe me tre. Vetëm kancelari dhe presidenti kanë pasur dhoma më vete. Kancelari ka pasur një dush, ndërsa presidenti edhe një vaskë....“ kujton Paul Groß, i cili 30 vjet me radhë është kujdesur për mirëmbajtjen e bunkerit. Puna e tij shtrihej në një hapsirë prej 17,3 kilometrash. „Secili kishte një biçikletë. Kemi pasur 180 biçikleta, sepse duhej të kalonim një hapësirë shumë të gjatë. Për të gjitha udhëtimet është dashur të shkruhen edhe raporte."

Ndërtimi i bunkerit është inicuar prej NATO-s, ku që prej 6 majit 1955, bënte pjesë edhe Republika Federale e Gjermanisë. Për këto qëllime është përdorur një tunel hekurudhor, në afërsi të Bonit. Ndërtimi ka filluar në vitin 1962, ruikujton Wolfgang Müller. „Një ndërtim i tillë me rreth 2.000 puntorë nuk mund të mbetej sekret. Kushdo këtu në Ahrtal e ka ditur se po ndërtohej diçka, por nuk e kemi ditur se si dukej nga brenda."

Bunkeri qeveritar Marienthal.

Atij që kërkonte mbrojtje në bunkerin qeveritar Marienthal, i është dashur të kalojë nëpër dy dyer, një hekuri dhe një betoni, të rënda nga 25 ton.

Gati askush nuk e dinte historinë e bunkerit, i cili që në kohën e mbretit ka qenë përdorur për transportimin e armëve dhe ushtarëve në luftën kundër francezëve. Pas Luftës së Parë Botërore, tuneli ushtarak ra në harresë. Më vonë është përdorur për prodhimin e këpurdhave. Ndërsa nazistët e shndërruan në fabrikë për prodhimin nëntokësor të raketave, ku kanë punuar kryesisht punëtorët me punë të detyruar. „Është ky kapitulli më i errët i bunkerit. Në Dernau u krijua kampi 'Rebstock', që ishte pjesë e kampit të përqëndrimit Buchenwald (në Weimar). Këtu janë detyruar të punojnë rreth 500 njerëz, nën kushte të paimagjinueshme."

Pas Luftës së Dytë Botërore, aleatët i hodhën në ajër dyert e bunkerit me mjete shpërthyese, me qëllim që ai të mos përdorej kurrë më për qëllime ushtarake. Kjo dëshirë mbijetoi deri në vitin 1966. Çdo dy vjet Gjermania, duke qenë anëtare e NATO-s simulonte sulmin atomik dhe rreth 2.000 nëpunës futeshin në bunker për dy javë me radhë. Një prej tyre ka qenë edhe Wolfgang Müller. „Politikanët e lartë janë luajtur prej dubluesve, për shembull prej sekretarëve të shtetit." Urdhërin për strehim në këto lojëra simulimi e jepte ai që luante rolin e kancelarit. Por loja ishte e pakuptimtë, sepse në një rast të vërtetë, sipas njohurive të sotme, bunkeri do të ishte i pavlefshëm. Jo vetëm për faktin se bombat kishin fuqinë më të madhe shkatërruese se bomba që është përdorur në Hiroshimë, për të cilën ishte konceptuar bunkeri.

Bunkeri qeveritar Marienthal.

Çdo dy vjet Gjermania simulonte sulmin atomik dhe rreth 2.000 nëpunës futeshin në bunker për dy javë me radhë.

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë u shtrua çështja e bunkerit. Në fund të vitit 1997 u vendos që të mbyllet, sepse prej kohësh ishte vendosur që qeveria dhe parlamenti të zhvendoseshin në Berlin. Me 2001 ka filluar çmontimi i tij pjesë-pjesë. „Pjesa më e madhe e gjërave që kam mirëmbajtur për vite të tëra është hedhur në mbeturina. Mu duk sikur më therrte diçka në zemër."

Në një hapësirë prej plot 200 metrash shtrihet sot dokumentacioni për kohën e Luftës së Ftohtë. Kur sot shikon këtë tunel, të duket sikur bën një eskursion në histori - mes llahtarisë dhe ekzaltimit.

Autor : Richard Fuchs / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 24.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JHM2
  • Data 24.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JHM2