Bundeswehr-i pjesë e gjuetisë kundër krerëve talebanë? | Gjermania | DW | 30.12.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundeswehr-i pjesë e gjuetisë kundër krerëve talebanë?

Sipas mediave gjermane, Bundeswehri ka luajtur një rol më të rëndësishëm tek eliminimet e qëllimshme në Afganistan nga sa mendohej më parë. Praktika e eliminimeve të planifikuara është mjaft e kritikuar në botë.

Gjeneralmajori Markus Kneip gjatë mandatit të tij si komandant në Afganistan i ka përzgjedhur vetë emrat e personave që duhej të eliminoheshin, raporton gazeta gjermane "Bild" e bazuar në dokumente sekrete të Bundeswehr-it. Sipas tyre në shtabin gjerman në Masar-i-Sharif ka ekzistuar një "celulë planifikuese e mbështetëse", detyra e së cilës ka qenë të mbledhë "informacione mbi përcaktimin e atyre personave që duheshin eliminuar".

Sipas "Bild" ka ekzistuar edhe një "dosje e këtyre personave", e cila i paraqitej Kneip për miratim. Në një diskutim në maj 2011 gjeneralmajori ka kërkuar të trajtohej si "prioritet" kapja e një kryengritësi taleban, Kari Hafis ose "neutralizimi" i tij, siç njofton gazeta gjermane që ka dorë protokollin e takimit. Përsa i përket talebanëve të tjerë të përmendur në këtë takim, ka pasur dyshime të pjesëmarrësve se eliminimi i tyre do të sillte me vete një vakuum të rrezikshëm, pasi ata zotëronin shumë pushtet përmes armëve, drogës dhe parasë.

Gjeneralmajori Markus Kneip

Gjeneralmajori Markus Kneip

Miratimi nga BND-ja

Në këtë raport thuhet se Shërbimi Informativ Gjerman, BND ka lejuar që informacionet e mbledhura prej tij të përdoreshin për vrasje të caktuara të disa personave, në rast të një kërcënimi me sulm. "Përdorimi për qëllimin e misionit të dhunës vdekjeprurëse është vetëm atëherë i lejuar dhe për sa kohë nëse ekziston rreziku i një sulmi aktual apo po qe se ai kërcënon për një kohë shumë të afërt", citon gazeta nga një raport i BND-së i gushtit 2011 për një njërin nga krerët e talebanëve Kari Jusuf. BND ofronte edhe numra telefoni që mund të përdoreshin për të lokalizuar Jusufin.

Ka vite që Shtetet e Bashkuara kryejnë rregullisht sulme ajrore në Afganistan dhe Pakistan kundër krerëve të rebelëve dhe ekstremistëve të tjerë. Në Gjermani debatohet prej kohësh se çfarë roli ka luajtur BND-ja dhe Bundeswehr-i në sulmet e kontestuara me drone.

Kuota e njohjes 46%

Siç bën të ditur komandoja e Bundeswehr-it në Potsdam, qeveria gjermane ka miratuar lejen për të udhëtuar në Gjermani për më pak se gjysmën e të punësuarve lokalë të rrezikuar në Afganistan. Nga 1195 kërkesa të trajtuara vetëm 553 kanë marrë përgjigje pozitive. Shumica e kërkesave- 1020 janë punonjës afganë të Bundeswehr-it, të cilët kërcënohen në vendlindje. Misioni i NATO-s, ISAF, i cili kishte si qëllim luftën kundër talebanëve radikalë islamistë përfundon pas 13 vitesh më 31 dhjetor të këtij viti. Pjesërisht në këtë mision ka pasur deri në 5000 ushtarë gjermanë. Në të ardhmen ushtria gjermane do të jetë pjesëmarrëse vetëm me 850 ushtarë për qëllime trajnimi.