1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundeswehr-i do të ruajë vendet e Baltikut

Shtypi gjerman për planet e Gjermanisë që të dërgojë ushtarë në Lituani. NATO ka parashikuar që këto njësi të dërgojë në shenjë mbështetjeje të partnerëve lindorë, të cilët kanë frikë nga ndërhyrja ruse.

Lettland Manöver Operation Hazel der Bundeswehr

Operacion i Bundeswehr-it "Hazel" në Letoni

Polonia dhe shtetet baltike prej kohësh janë duke kërkuar mbështetjen e NATO-s dhe shtimin e numrit të ushtarëve në këtë rajon, si masë për "mbrojtje nga Rusia". Qeveria gjermane ka shprehur tani gatishmërinë që ky koncept të jetë pjesë e veprimit të ushtarëve gjermanë jashtë Gjermanisë. „Për këtë kanë filluar negociatat në NATO“, bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin, për agjencinë e lajmeve DPA. Ai shtoi se për këtë iniciativë do të vendoset në samitin e NATO-s në Varshavë më 8 dhe 9 korrik. Sipas kësaj kërkese, në Lituani duhet të vendosen njësitë e NATO-s.

Gazeta gjermane Spiegel Online shkruan se Gjermania është e gatshme të angazhohet në frikësimin e Rusisë në Evropën Lindore. Kancelarja Angela Merkel e ofroi këtë gjatë takimit të saj me presidnetin amerikan Barack Obama në Hanover, ku ishin edhe presidenti i Francës Hollande, si dhe kryeministrat e Britanisë së Madhe dhe Italisë, Cameron dhe Renzi. Më parë është vendosur që Bundswehr-i të dërgojë rreth 5.500 ushtarë në manovra si dhe instruktorët e tij në vendet lindore të NATO-s, në radhë të parë në Poloni dhe vendet e Baltikut, në kufi me Rusinë. Kjo do të thotë se këtë vit do të dërgohen atje rreth 500 ushtarë më shumë se vitin e kaluar. Numri i manovrave me pjesëmarjen e ushtarëve gjermanë, është rritur në krahasim me vitin e kaluar nga 16 në 21.

„Me shtimin e pranisë atje, NATO do t'u dërgojë sinjal mbështetjeje partnerëve në Lindje, të cilët ndjehen të rrezikuar nga Rusia, pas anektimit të Krimesë", shkruan Spiegel Online. "Në veçanti Polonia ka kërkuar me muaj të tërë vendosjen e njësive shtesë të NATO-s në Lindje. Pas samitit të fundit në Uells, aleanca ka vendosur që të formojë njësi për veprime të shpejta. Në këto njësi ka një përfaqësim të dukshëm të Gjermanisë. Përveç kësaj, Gjermania merr pjesë edhe në aksionet e vëzhgimit të hapsirës ajrore në Baltik“.

Rusia nuk duhet provokuar pa shkak

„Misioni i ri i NATO-s nuk është i pakontestueshëm dhe mund të rëndojë raportet NATO-Rusi. Pas një kohe të gjatë, së fundi ka pasur një takim mes përfaqësuesve të NATO-s dhe Rusisë. Qëllimi ishte rivendosja e komunikimit me Moskën. Qeveria gjermane edhe pas vendimit për pjesëmarrje me ushtarë në këtë mision, insiston që Rusia të mos provokohet pa shkak. Ndaj Berlini kërkon edhe respekimin e Aktit Themelues për raportet mes Rusisë dhe NATO-s, i cili ndalon vendosjen e përhershme të trupave të aleancës në kufirin lindor.“

„Në analizat e tanishme thuhet se disa njësi të NATO-s duhet të ndërrohen në Lituani", shkruan gazeta Süddeutsche Zeitung. "Kjo do të thotë se ato do të ndërrohen dhe do të jenë nën komandën gjermane. Kjo është me rëndësi sepse me Rusinë ekziston marrëveshja për mos vendosjen e njësive të përhershme në këtë kufi. Megjithatë Rusia e sheh këtë hap si një provokim", shkruan gazeta.

„Ushtarët gjermanë deri tani kanë qenë kohë pas kohe në territorin e partnerëve lindorë, në kuadër të NATO-s. E reja është që Gjermania do të mund të merrte udhëheqjen e përhershme. Tani po bisedohet për modalitetet e këtij misioni.“