1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundestagu përkujton viktimat e nacionalsocializmit

Lammert: Mbrojtja e demokracisë është e domosdoshme edhe sot. Këtë e tregoi kohët e fundit seria e pabesueshme, e tmerrshme e akteve të dhunës të NSU-së, me motive antisemitike.

Në ditën përkujtimore të viktimave të nacionalsocializmit morën pjesë ndër të tjera presidenti Joachim Gauck, kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i dhomës së lartë të parlamentit Winfried Kretschmann. Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert bëri thirrje për të mbrojtur demokracinë. Që kjo gjë është e domosdoshme edhe sot, këtë e tregoi "kohët e fundit seria e pabesueshme, e tmerrshme e akteve të dhunës të NSU-së, me motive antisemite", tha Lammert në plenumin e Bundestagut, të mbushur plot. "Rajhstagu është një dëshmitar i heshtur i shkatërrimit të demokracisë së parë gjermane para 80 vjetësh."

Inge Deutschkron në Bundestag

Inge Deutschkron në Bundestag

"Sot përkujtojmë të gjitha viktimat e ideologjisë kriminale të nacionalsocializmit", tha më tej Lammerti. Marrja e pushtetit nga Adolf Hitleri si sot 80 vjet më parë "nuk ishte aksident". Kjo nuk ndodhi as rastësisht as pashmangshmërisht, vijoi Lammert. Më 30 janar 1933 Hitleri ishte emëruar kancelar i Rajhut.

Rreziku nuk quhet i mënjanuar sa kohë ekzistojnë pyetje

Fjalimin kryesor në orën përkujtimore për miliona viktimat e nacionalsocializmit e mbajti shkrimtarja gjermano-izraelite Inge Deutschkron. 90-vjeçarja qëndroi për vite e fshehur me të ëmën në Berlin, për t'iu shpëtuar deportimit dhe Holocaustit. Me fjalë që ngjallën emocione të fuqishme, ajo përshkroi para parlamentit frikën e herbrejve të Berlinit dhe deportimet në kampet e asgjësimit. Deutschkron apeloi që gjëra të tilla të mos lejohet të ndodhin më kurrë.

"Për hir të këtij synimi duhet njohur e vërteta, e gjithë e vërteta", tha Deutschkron. Për këtë angazhohem "me tërë moshën time, me tërë fuqitë e mua." Sa kohë që ekziston pyetja, si mund të ndodhte diçka kaq e tmerrshme, nuk është mënjanuar rreziku, që të ndodhin gjëra të ngjashme, tha ajo.

Prej vitit 1996 Bundestagu përkujton viktimat e dikaturës nacionalsocialiste dhe çlirimin e kampit të përqendrimit Auschwitz nga ushtarët sovjetikë më 27 janar 1945. Veprimtaria përkujtimore tradicionale u shty sivjet dhe ra në 80-vjetorin e marrjes së pushtetit nga Hitleri.

Autor: Elert Ajazaj (dpa)

Redaktoi: Auron Dodi