1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundestagu: Negociata me Serbinë "po", por më parë kushtet

Koalicioni qeverisës i unionit kristiandemokrat dhe kristiansocial së bashku me partinë liberale lejojnë fillimin e negociatave me Serbinë, por jo para vitit 2014. Më parë duhen plotësuar kushtet.

Qeveria gjermane parimisht është dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe do të japë edhe votën e saj pro këtij procesi. Bundestagu në një seancë plenare të enjten, dha dritën e gjelbër parimisht, por data e këtyre bisedimeve nuk do të jetë para vitit 2014. Sipas një deklarate të Bundestagut, kur Kosova dhe Serbia të vënë në jetë marrëveshjet për të cilat kanë rënë dakord, atëherë nuk ka asnjë pengesë më për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Unioni qeverisës kristiandemokrat e kristiansocial si edhe partneri i koalicionit, partia liberale u shprehën qartë se data më e hershme për këtë do të jetë janari i vitit 2014.

Ndër kushtet që duhet të plotësojë Serbia përmenden ngritja e strukturave të reja në sektorin e sigurisë dhe atë të drejtësisë, të cilat do të duhet t'i nënshtrohen jo vetëm kontrollit politik, por edhe financimit nga qeveria e Kosovës. Përveç kësaj Beogradi duhet t'i japë Kosovës një pasqyrë të qartë të pagesave që vijnë nga Serbia për institucionet në Kosovë. Kërkesë tjetër është mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira komunale në të gjithë Kosovën. Bundestagu i kërkon qeverisë serbe deri më 30 nëntor të informojë me shkrim për plotësimin e planit 15 pikësh mes të dy shteteve.