1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundestagu miraton ndihma të tjera për Greqinë

Ministri gjerman i Financave Schäuble kërkoi në parlament durim lidhur me shpëtimin e Greqisë. Me ndihmat e reja duhet të mbyllet boshllëku i krijuar në financim. Parlamenti e miratoi paketën e ndihmës.

Bundestagu gjerman ka miratuar këtë të premte ndryshimet në paketën e ndihmës për Greqinë. Fjala është për dhënien e ndihmave të tjera, që kapin vlerën e rreth 44 miliardë eurove. Ndryshimet u miratuan nga 584 deputetë, 473 votuan pro, 100 kundër ndërsa 11 deputetë abstenuan.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, konstatoi se në Greqi janë bërë hapa të rëndësishëm në zbatimin e reformave. Por ai kërkon të kihet më shumë durim me këtë vend në krizë. "Sukseset e para janë të dukshme, por rruga është ende e gjatë", tha Schäuble në fjalimin e tij në hapjen e debatit parlamentar mbi ndihmat e reja miliardëshe për Greqinë. Grekët, tha ai, e kanë merituar mbështetjen, falë përpjekjeve të tyre për të kursyer. Schäuble refuzoi megjithatë përsëri një falje të re të borxhit. Nuk duhen vendosur stimuj të gabuar, tha ministri.

Përveç kredise emergjente prej 44 miliardë eurosh, duhet mbyllur boshllëku në programin e ndihmës financiare për Athinën në vlerë prej 14 miliardë eurosh dhe duhet ulur barra e borxhit të vendit. Për këtë është parashikuar një program për riblerjen e borxhit, lehtësime në normat e interesit dhe afate më të gjata për kredi.

Ndihma të reja për shkak të një boshllëku në financim

Gjatë votimit për ndihmat shtesë për Greqinë në Bundestag

Gjatë votimit për ndihmat shtesë për Greqinë në Bundestag

Për shkak të shtyrjes për Greqinë krijohet një boshllëk prej 14 miliardë eurosh në financimin për Athinën. Prandaj eurogrupit i është dashur të përpilojë propozime të reja. Ndryshimet parashikojnë një zgjatje të normave të interesit për fondin EFSF për një periudhë dhjetëvjeçare. Prej kësaj Gjermania humbet 130 milionë euro. Fitimet nga tregu sekondar i Bankës Qëndrore Evropiane duhet t'i kalojnë direkt Greqisë. Pjesa gjermane këtu për vitin e ardhshëm do të ishte 600 milionë euro. Kështu aksioni i shpëtimit rëndon për herë të parë buxhetin federal gjerman për vitin 2013 me afro 730 milionë euro. "Në thelb ne vendosim sot për vazhdimin, ose ndërprerjen e programit të ndihmës", bëri të qartë Schäuble, "me të gjitha pasojat për pjesën tjetër të Evropës". Refuzimi mund të çojë në shpërbërjen e eurozonës, tha ai.

Miratimi nga opozita konsiderohej i sigurtë

Miratimi i paketës së zgjeruar të ndihmës nga opozita socialdemokrate dhe të Gjelbrit konsiderohej i sigurtë që para fillimit të debatit parlamentar. Në fjalën e tij në parlament kryetari i grupit parlamentar të partisë socialdemokrate, Frank-Walter Steinmeier, akuzoi qeverinë, se po e zhgënjen vazhdimisht popullin në krizën e euros. Nga frika e zgjedhjeve të ardhshme koalicioni qeverisës vazhdon të mohojë të vërtetën, tha Steinmeier. Steinmeier deklaroi se partia socialdemokrate do ta miratojë megjithatë paketën e ndihmës. Zëvendëskryetarja e grupit parlamentar të partisë së Majtë, Sahra Wagenknecht, i quajti përpjekjet për shpëtimin shtyrje të falimentimit. Partia e Majta është e vetmja parti, që do të votojë kundër paketës së ndihmës.