1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundestagu miraton kartën e identitetit të refugjatit

Azilkërkuesit duhet të pajisen në të ardhmen sapo mbërrijnë me një kartë identiteti të refugjatit. Bundestagu miratoi një ligj të propozuar nga qeveria gjermane. Karta do të shmangë problemet me regjistrimin.

Aktualisht, në Gjermani çdo institucion hap një dosje të tijën për një refugjat që kërkon azil. Disa njerëz regjistrohen në këtë mënyrë dy herë. Veç kësaj njerëzit duhet të presin disa muaj, derisa të regjistrohen. Kësaj gjendjeje tani synohet t'i jepet fund. Letërnjoftimi i mbërritjes, i quajtur edhe kartë identiteti e refugjatit do t'i zgjidhë probleme të tilla.

Për çdo refugjat do të ruhet një bllok qendror të dhënash në regjistrin për të huajt, dhe kjo do të bëhet që në kontaktin e parë me autoritetet gjermane. Këtë bllok të dhënash do të kenë mundësojnë ta shfrytëzojnë zyrat përkatëse dhe policia.

Krahas të dhënave personale, do të memorizohen edhe të dhëna të tjera: gjurmët e gishtave, vendi i origjinës, numri i celularit, të dhëna për vaksinimin dhe informacione të tjera shëndetësore, të dhëna për shkollimin dhe kualifikimin. Do të shënohet edhe përkatësia fetare.

Procedurat e azilit do të shkurtohen

Me kartën e identitetit në letër qeveria gjermane synon të zgjidhë njëkohësisht disa probleme: me të do të pengohen në të ardhmen regjistrimet e dyfishta dhe shpërdorimi i identitetit. Të dhënat për kualifikimin profesional do të lehtësojnë integrimin në tregun e punës, sepse zyrat e punës do të kenë mundësinë t'i lexojnë ato. Një synim tjetër i kartës së identiteti është shkurtimi i kohëzgjatjes së procedurës së azilit.

Veç kësaj, Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF) do ta ketë më të lehtë shpërndarjen e refugjatëve. Në bllokun e të dhënave do të jetë i memorizuar institucioni i synuar i pranimit të refugjatit, pra vendi që i është caktuar azilkërkuesit të banojë.

Aktualisht refugjatët shpërndahen në të gjithë Gjermaninë. Por jo të gjithë qendrojnë atje ku i dërgojnë, por shpërngulen nga fshatrat ku i kanë çuar në qytetet e mëdha dhe në aglomeratet urbane. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere tha se me kartën e identitetit të refugjatit kjo tani do të frenohet. Këtë kartë mund ta marrësh vetëm atje ku të dërgojnë.

Vetëm me kartë identiteti merr shërbime sociale

Vendimtare është që vetëm me këtë kartë identiteti do të kenë mundësi refugjatët të marrin shërbime sociale dhe një procedurë azili. Pra ai që nuk shkon në institucionin ku e kanë dërguar, nuk do të marrë para dhe as mundësinë që të marrë azil. Me këtë synohet të motivohen edhe refugjatët e paregjistruar deri tani që të regjistrohen. Organizata Pro Asyl kërkoi që refugjatët të mos mbahen të lidhur në rajone me struktura të dobëta në Gjermani, ku thuajse nuk ka vende pune. Me këtë vështirësohet integrimi i tyre në tregun e punës dhe në shoqëri.