1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundestagu konfirmon fundin e prodhimit të energjisë bërthamore në Gjermani

Parlamenti Gjerman, Bundestagu ka aprovuar me një shumicë të gjerë votash braktisjen e energjisë bërthamore brenda vitit 2012. Gjermania është vendi i parë i industrializuar, që braktis energjinë bërthamore.

Bundestagu vendosi shkëputjen nga energjia bërthamore

Bundestagu vendosi shkëputjen nga energjia bërthamore

Vendimi i Bundestagut mbështet ndryshimin e pozicionit të kancelares Merkel, pas krizës bërthamore në Fukushima. Deputetët e opozitës, ata të partisë së Gjelbër si dhe ata socialdemokratë kanë votuar bashkë me përfaqësuesit e koalicionit të Qendrës së Djathtë, masat për daljen nga faza e energjisë bërthamore.

Koalicioni qeveritar i bindi opozitarët për të votuar për masat, duke siguruar kështu një mazhorancë që prodhoi 513 vota pro, dhe vetëm 79 kundër. Vetëm 8 vetë abstenuan. Partitë e majta votuan kundër masave për energjinë bërthamore, duke e argumentuar këtë me një datë më të afërt për të dalë nga faza e prodhimit të energjisë kaq shumë të diskutueshme.

Ky plan masash gradualisht do të sjellë mbylljen e të gjitha centraleve bërthamore në Gjermani, si dhe do të mbyllë menjëherë 8 prej centraleve më të vjetra në këtë vend. Sipas projektit, centrali i fundit bërthamor në vend do të mbyllet në vitin 2022. Kjo periudhë është e ngjashme me planin e legjislacionit të kaluar të ish-kancelarit Gerhard Schröder, që mori formë vendimi në vitin 2002. Merkeli kërkoi të shtonte kohën e përdorimit të energjisë bërthamore, por shpejt bëri „prapakthehu“ pas katasrofës bërthamore në Japoni, çka rriti shqetësimin te populli gjerman.

Gjermania - vendi i parë që braktis energjinë bërthamore

Gjermania është shteti i parë mes vendeve më të industrializuara, që i jep fund fuqisë bërthamore, që prej incidentit në centralin e Fukushimës.

"Kjo është një ditë e madhe për Gjermaninë“ tha ministri i Mjedisit, Norbert Röttgen, duke nënvizuar se plani ishte aprovuar me një konsensus të gjerë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Bundestagu, gjithashtu aprovoi fonde për të siguruar shfrytëzim më efikas të energjisë në shtëpi e banesa, ndërsa do të mbështesë edhe përhapjen e energjisë që prodhohet nga era.

Ministri Röttgen tha se Gjermania do të shkruajë histori me kalimin e saj në energjinë e rinovueshme. "Në vendet e tjera thonë se nëse ka ndonjë shtet që mund ta bëjë këtë kalim, kjo është Gjermania“ tha ministri i Mjedisit.

Por „Të Gjelbërit“ dhe socialdemokratët, që kanë luftuar shumë për t'i dhënë fund energjisë bërthamore nuk ishin të gatshëm për t'u dhënë konservatorëve të gjitha meritat. "Ne kemi vuajtur 30 vjet abuzime dhe pikërisht tani, ata bien dakord me ne?“ pyeti me ironi Sigmar Gabriel, lideri i Socialdemokratëve.

Author: Andrew Bowen, Holly Fox/Aurel Boriçi

Redaktoi: Auron Dodi